Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti merr pjesë në ceremoninë e hapjes së ndërmarrjes gjermano-kosovare

1 Prill, 2022

Prishtinë, 1 prill 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në ceremoninë e hapjes së ndërmarrjes së sapothemeluar gjermano-kosovare, që shënon edhe suksesin e parë të themelimit të parkut gjerman të biznesit, në fushën e inxhinierisë mekanike në Kosovë. KICK Engineering & Manufacturing Kosova Sh.P.K, është ndërmarrja e parë gjermano-kosovare e KD Business Development në Kosovë.

Ai para të pranishmëve tha se investimet e tilla, bashkë me institucionet demokratike dhe qeverisjen e mirë, e bëjnë Kosovën atraktive për investitorët e huaj dhe krijojnë një mjedis miqësor për biznese. Për këtë qëllim, kryeministri Kurti tha se qeveria tashmë ka nisur një seri të reformave strukturore në sistemin e drejtësisë dhe administratë publike. Ai veçoi rëndësinë e themelimit të Gjykatës Komerciale, e cila, siç u shpreh kryeministri Kurti, pritet që të funksionalizohet brenda dy muajve të ardhshëm, e që do të rrisë sigurinë juridike për bizneset vendore dhe investimet e huaja.

Më tej shtoi se sektori privat është shtylla kryesore për krijimin e vendeve të reja të punës dhe për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, e që të dy këto janë komponentë kryesorë të platformës qeverisëse. Andaj, duke i falënderuar investitorët, ai i siguroi se Qeveria e Republikës së Kosovës është këtu për t’i mbështetur ata në realizimin e qëllimeve të përbashkëta.

Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti:

I nderuar, Dr Ingo Schael, Partner Menaxhues i KD Business Development,
Prof. Holger Krebs, Partner Menaxhues dhe Aksionar i Grupit KICK,
Shkëlqesitë tuaja, ministre Rozeta Hajdari dhe ministre Arbërie Nagavci,
Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti,
Të nderuar mysafir,
Zonja dhe zotërinj,

Kam kënaqësinë të jem me ju sot në ceremoninë e hapjes të ndërmarrjes të sapothemeluar “KICK Engineering & Manufacturing Kosova” Sh.P.K., që është ndërmarrja e parë gjermano-kosovare e KD Business Development në Kosovë dhe hapi i parë historik për themelimin e parkut gjerman të biznesit në fushën e inxhinierisë mekanike në Kosovë.

Së bashku me institucionet tona demokratike dhe qeverisjen e mirë, investimet si kjo e bëjnë vendin tonë tërheqës për investitorët e huaj, duke krijuar një mjedis miqësor të biznesit që do ta bëjë Kosovën destinacionin më konkurrues dhe më të kërkuar të Investime të Huaja Direkte në Evropën Juglindore.

Sektori privat është shtylla kryesore për krijimin e vendeve të punës dhe për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe, si i tillë është komponent kryesor i platformës Punë dhe Drejtësi të qeverisë sonë.

Siç e dini, Kosova ka bërë progres të konsiderueshëm në zhvillimin ekonomik vitin e kaluar. Në vitin e parë në detyrë, kemi arritur rritje ekonomike prej 10,53%, me një rritje prej 83,6% të eksporteve, një rritje prej 21% të Investimeve të Huaja Direkte, një rritje prej 30% të të hyrave buxhetore, 31% rritje të taksave të arkëtuara dhe 34% rritje të të ardhurave nga tatimet. E gjithë kjo pa ndryshuar politikën fiskale. Kur njerëzit janë me shpresë, kur janë optimistë, ata më shumë shpenzojnë dhe se sa kursejnë. Dhe kur shohin që nuk ka korrupsion në qeveri janë më të gatshëm të paguajnë tatime. Pra, ekonomia dhe shteti përfitojnë njësoj. Dhe më e rëndësishmja, ne kemi shtuar më shumë se 25.000 vende pune në vitin e fundit.

Ne gjithashtu kemi shënuar rritje për 17 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International dhe u renditëm të parët në mesin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në indeksin “World Justice Project”. Këto renditje ofrojnë konfirmimin e ekspertëve nga palët e treta për përkushtimin tonë për zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe për suksesin tonë të deritanishëm në vendosjen e sundimit të ligjit në Kosovë.

Për të krijuar një mjedis më të mirë dhe më të sigurt për tërheqjen e investimeve të huaja, ne kemi filluar me një sërë reformash strukturore në drejtësi, administratë publike, duke përmirësuar mjedisin e biznesit dhe zhvillimin e konkurrueshmërisë në sektorin privat. Gjykata Komerciale e sapokrijuar pritet të jetë plotësisht funksionale brenda dy muajve të ardhshëm. Kjo do të rrisë më tej sigurinë ligjore për bizneset vendase dhe investimet e huaja. Këto reforma janë vetëm disa nga parametrat që tregojnë përkushtimin tonë për rritje të qëndrueshme ekonomike dhe qeverisje të mirë.

Pra, më lejoni të jem i qartë: Qeveria jonë është këtu për t’ju mbështetur në realizimin e qëllimeve tona të përbashkëta. Gjermania nuk është vetëm një nga partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës dhe një nga donatorët tanë më të mëdhenj bilateral në fushën e zhvillimit, por gjithashtu ofron mbështetje të fortë për përpjekjet tona në integrimin euroatlantik, gjë që do të përshpejtojë progresin tonë ekonomik edhe më tej.

Po e përsëris, ne mirëpresim këtë investim të rëndësishëm që do të ndihmojë në transformimin e sektorit industrial të Kosovës, për përfitim reciprok të qytetarëve të të dy vendeve tona.

Faleminderit!

 

Last modified: 13 Maj, 2022

Comments are closed.

×