Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti: Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972, pati rëndësi gjuhësore dhe politike

10 Nëntor, 2022

Tiranë, 10 nëntor 2022

Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e lexuar në Konferencën Jubilare të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe:

I nderuar President i Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj,
I nderuar Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama,
I nderuar Zëvendëskryeministër i parë i Maqedonisë së Veriut, z. Artan Grubi,
I nderuar Kryetar i Akademisë së Shkencave, z. Skënder Gjinushi,
I nderuar Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, z. Mehmet Kraja,
Të nderuar profesorë e akademikë Valbona Toska, Emil Lafe, Matteo Mandala e Jani Thomai,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja e zotërinj,
Vëllezër e motra,

Ndihem me fat dhe jam fort i nderuar që mund t’iu drejtohem në këtë Konferencë Jubilare të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Dhe më vjen keq që m’u desh të udhëtoj për Paris e nuk mund të jem me juve fizikisht në Tiranë.

Gjuha për ne shqiptarët është themel identitar dhe jo thjesht mjet komunikimi. Historia e standardizimit të gjuhës shqipe është e ndërlidhur ngushtë me historinë e ndërgjegjësimit tonë kombëtar, prandaj fazat e ndryshme të procesit të kristalizimit të shqipes së shkruar janë, në të njëjtën kohë, edhe faza të kristalizimit të kësaj ndërgjegjeje. Synimi drejt njësimit të gjuhës së shkruar, për shqiptarët, u kthye në një program që do të mundësonte edhe njësimin politik kombëtar. Kjo ishte arsyeja që për të gjithë letrarët shqiptarë, e sidomos për ata që nga Rilindja e këndej, ideja e shqipes së përbashkët u bë projekti kryesor atdhetar. Por, rruga drejt sendërtimit të këtij synimi nuk ishte e lehtë. U desh shumë mund, punë, përkushtim dhe jo rrallë edhe flijim, në mënyrë që shqipja të mbijetonte: të shkruhej, të mësohej e të kultivohej.

Dihet që standardizimi i një gjuhe nënkupton punën në reduktimin e varianteve gjuhësore në një varietet standard. Dhe historia e standardizimeve në botë tregon jo vetëm një larmi të madhe në mënyrën e përzgjedhjes së normës e të kodifikimit, por edhe implikime të pashmangshme politike në këtë proces. Një nga këto implikime është se përzgjedhja e një standardi gjuhësor ndikon thellë në kohezionin politik kombëtar.

Pikërisht në kohën kur nisi debati për krijimin e një gjuhe të përbashkët letrare shqipe, – siç quhej atëherë, – në fund të shek. 19, rrethanat shoqërore e politike u rënduan shumë. Shqiptarët vërtet ishin nën sundimin e një pushteti monocentrik administrativ e politik, nën Perandorinë Otomane, por kishin një gjendje policentrike gjuhësore. Shqipja jo vetëm që nuk ishte gjuhë zyrtare në këtë kohë, por ishte edhe e ndaluar. Dhe, kur Shqipëria shpalli pavarësinë, më 1912, shqiptarët kaluan në një policentrizëm administrativ e politik, – ngaqë gjysma e tyre ra nën sundimin e disa shteteve fqinje, ku shqipja mbeti prapë e ndaluar – në një mundësi planifikimi drejt një monocentrizmi gjuhësor.

Hapi i parë i rëndësishëm ndodhi me organizimin e Kongresit të Manastirit, më 1908, ku u miratua alfabeti i shqipes. Por, puna e mirëfilltë e planifikimit të një gjuhe standarde shqipe nisi me themelimin e Komisisë Letrare Shqipe, në Shkodër e cila punoi gjatë viteve 1916-18, e udhëhequr nga Gjergj Pekmezi dhe Luigj Gurakuqi.

Është e vërtetë që brenda gjuhës shqipe, për shekuj me radhë, ishin zhvilluar tri gjuhë letrare, gegërishtja letrare, toskërishtja letrare dhe arbërishtja letrare, por rrethanat politike për shqiptarët ishin aq të ndera, aq të pafavorshme, sa dukej e pamundur që shqiptarët të përballonin edhe policentrizmin e pafavorshëm politik, edhe policentrizmin përçarës gjuhësor.

Kur Komisia Letrare Shqipe vendosi për bazë të gjuhës standarde të folmen e elbasanishtes, më e rëndësishme se cila e folme u mor për bazë, ishte krijimi i një ndjenje përbashkuese dhe ambientimi i shqiptarëve me idenë se si do të dukej në praktikë një gjuhë e vetme standarde për të gjithë, duke qenë se kjo nuk ishte provuar asnjëherë më parë. Në këtë pikë projekti i «Komisisë Letrare Shqipe» doli i suksesshëm.

Edhe kur pas Luftës së Dytë Botërore u ndërrua baza e gjuhës standarde, shumë nga vendimet e kësaj «Komisie» mbetën të ngulitura në themelet e kësaj gjuhe standarde, sepse, prapëseprapë, bëhej fjalë për rregullat e gjuhës shqipe.

Në këtë proces destandardizimi e standardizimi, që në shikim të parë mund të duket si ndërhyrje e ashpër e autoritetit shtetëror, po të shikohet nga këndvështrimi i sotëm, do të kuptohet se pati efekte të pamohueshme pozitive, sepse shkaktoi trazimin, përzierjen e dy gjuhëve kryesore letrare, të gegërishtes e të toskërishtes, në mënyrë shumë më të fuqishme sesa që do të mund të ndodhte kjo në çfarëdo mënyre tjetër. Por kjo ishte ajo që ndodhte në planin e brendshëm, në Shqipëri.

Në planin e jashtëm periudha pas Luftës së Dytë Botërore paraqiti një nga fazat tejet të rënda e shumë sfiduese në fushën e planifikimit të gjuhës së përbashkët shqipe. Ndarja e ashpër politike në disa shtete, pamundësia e komunikimit normal ndërshqiptar për disa dekada dhe funksionimi i shqipes si një gjuhë standarde në Shqipëri me një bazë, e si gjuhë standarde me një bazë tjetër në trojet shqiptare në ish-Jugosllavi, do të mund të çonte drejt një ndarjeje kombëtare të pakthyeshme edhe politike, edhe kulturore. Për fat të mirë, gjuha shqipe ia doli të tejkalojë edhe këtë ndarje të mundshme të thellë politike dhe të arrijë synimin që pati nisur që nga rilindësit: vendosjen e një gjuhe standarde shqipe. Kjo u kurorëzua me nënshkrimin e 87 delegatëve të Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në vitin 1972, që kishte qenë një ëndërr e të gjithë veprimtarëve tanë për shekuj me radhë.

Duke u nisur nga këto fakte, Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972, 50-vjetorin e të cilit po e kremtojmë tani, nuk pati vetëm rëndësinë gjuhësore, por po aq, – në mos edhe më shumë, – rëndësinë politike. Sepse, ashtu si shumë herë në historinë tonë, veprimet dhe vendimet rreth gjuhës shqipe i paraprinë veprimeve dhe vendimeve politike. Ky Kongres ishte jo vetëm vazhdim i përkushtimit të rilindësve, i punës së Komisisë Letrare Shqipe, por edhe një kurorëzim i gjithë atyre përpjekjeve shekullore për një shqipe të përbashkët.

Gjuha letrare apo shqipja standarde nuk duhet konceptuar si e ngurtë, ajo ka nevojë të reformohet për t’i ardhur më pranë mënyrës së si flitet e shkruhet shqipja sot, por edhe reformimi ka si parakusht përvetësimin masiv të gjuhës letrare përmes arsimit publik dhe mediave. Përndryshe, në kushtet kur edhe ata që mbarojnë arsimin universitar bëjnë gabime gjatë shkrimit të shqipes letrare, çdo reformim i kësaj të fundit më shumë do të prishte punë se sa do të ndreqte.

Shqipja letrare por edhe shqipja e folur në larminë e saj ndodhen para sfidave të komunikimeve onlajn e të rrjeteve sociale. Institucionet shkencore dhe mediatike të studiojnë rreziqet dhe mundësitë që teknologjia e informacionit paraqesin për shqipen dhe të hartohen projekte, edhe me pjesëmarrjen e sipërmarrjes private për aplikacione që nevojiten (p.sh. fjalorë onlajn për gjuhën letrare, apo për lëmi të ndryshme, korrektues letrar etj.).

Pavarësisht përdorimit të teknologjisë së informacionit, librit mbetet formati më i mirë për formimin, ruajtjen dhe përcjelljen e dijes në gjuhën shqipe. Kosova dhe Shqipëria në kuadër të njësimit të politikave dhe institucioneve të trajtojnë me përparësi çështjen e shpërndarjes së librit shqip, pasurimit dhe themelimit të bibliotekave, digjitalizimit të librave etj. Sidomos manualet për përdorimin e saktë të shqipes letrare apo aplikacione për këtë qëllim të ofrohen falas përmes platformave elektronike të bibliotekave apo të institucioneve të tjera.

Duke qenë se jeta e gjuhës shqipe është kaq shumë e ndërthurur me fatet politike të kombit tonë, puna për kristalizimin e mëtutjeshëm të saj duhet të vazhdojë me të njëjtin zell e me të njëjtin përkushtim edhe nga brezat e rinj. Vetëm kështu gjuha shqipe do të mund t’u bëjë ballë sfidave që e presin në të ardhmen. Në këtë punë, doemos, mjafton të ndiqet këshilla e Profesorit mendjendritur, Eqrem Çabej, i cili kumtesën e tij në Kongresin e Drejtshkrimit e përfundoi me këto fjalë:

“[Gjuhëtarët] do të udhëhiqen nga një ndjenjë e lartë përgjegjësie. Në formulim të çdo rregulle do të jetë e pranishme vetëdija që është puna për një drejtshkrim të caktuar jo për disa mijë veta, po për katër milionë njerëz që e kanë shqipen gjuhë amtare.”

Katër milionë shqiptarët e asaj kohe ishin shqiptarët e të gjitha trojeve. Sot, këta shqiptarë, janë shtuar edhe për disa milionë të tjerë, kështu që përgjegjësia jonë duhet të jetë edhe më e madhe, përkushtimi ynë edhe më i thellë.

Faleminderit!

Last modified: 10 Nëntor, 2022

Comments are closed.

×