Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti ka vizituar Termocentralin “Kosova B” dhe Termocentralin “Kosova A”

16 Dhjetor, 2021

Prishtinë, 16 dhjetor 2021

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, dhe Kryeshefin ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, ka vizituar Termocentralin “Kosova B” dhe Termocentralin “Kosova A”.

“Unë jam këtu bashkë me jo vetëm drejtorin e KEK-ut , Nagip Krasniqin, por jam bashkë edhe me dy ministrat, me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministrin e Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati sepse pa energji nuk ka ekonomi e pa ekonomi nuk ka financa, por edhe pa financa nuk ka energji”, tha kryeministri.

“Kështu që e keni mbështetjen tonë, e do t’ju jemi gjithmonë pranë ashtu siç ju po i qëndroni pranë popullit të Kosovës në këtë dimër të vështirë në mes të një krize energjetike që nuk është vetëm e Kosovës por edhe e rajonit, e që besa edhe mbarë kontinentit”, tha ai.

Kryeministri falënderoi punëtorët dhe menaxhmentin, që kanë arritur që njërin bllok të Termocentralit “Kosova B” ta kthejnë me shpejtësi në punë. Ai tha për bllokun tjetër të termocentralit Kosova B që ende nuk është kthyer në punë do të ketë nevojë për një lloj hulumtimi e studimi të një ekspertize të lartë në mënyrë që të konstatohet saktësisht shkaku i defektit dhe më pastaj të sanohet dhe të operojmë me kapacitetin e plotë.

Menaxhmenti bëri të ditur se flatrat e turbinës së rotorit të gjeneratorit janë ato të cilat janë dëmtuar dhe kur kanë rënë poshtë e kanë dëmtuar edhe kondensatorin dhe asisoj e kanë kuptuar se bëhet fjalë për një defekt serioz dhe e kanë ndërprerë bllokun.

Duke iu falënderuar kthimit të njërit bllok sot i kemi edhe nga “Kosova B” 280 megavatë, dhe ka vazhduar koogjenerimi, përkatësisht rifunksionalizimi i Termokosit.

Gjatë vizitës në Termocentralin Kosova A, Kryeministri shprehu mirënjohjen për punën e palodhshme gjatë këtyre ditëve, kur përveç stinës së dimrit të ashpër e kemi edhe krizën energjetike e cila nuk është vetëm e Kosovës por edhe e rajonit e më gjerë. Në veçanti ai i falënderoi punëtorët dhe menaxhmentin që kanë mundësuar që sadopak ta zbusin krizën nëpërmjet punës së pandalshme të tri blloqeve A3, A4 dhe A5 të Termocentralit Kosova A, madje pikërisht në kohën kur patën rënë të dy blloqet e termocentralit Kosova B.

Kryeministri u njoftua prej menaxhmentit dhe punëtorëve se është duke funksionuar Termocentrali Kosova A me kapacitet të plotë, me afër 400 megavatë.

“Na keni këtu, pranë juve, në mënyrë që bashkërisht ta tejkalojmë këtë krizë energjetike, duke pasur në njërën anë furnizim sa më të qëndrueshëm e në anën tjetër edhe çmime të përballueshme”, tha Kryeministri Kurti.

Ai theksoi bashkëpunimin e suksesshëm midis KEK-ut, midis termoelektranave, por edhe KOSST-it edhe ZRRE-së, KEDS-it e KESCO-s, dhe qytetarëve e Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri theksoi synimin e Qeverisë, që në këtë krizë që nuk është vetëm e jona të dalim me sa më pak humbje dhe sa më shumë të bashkëpunojmë.

 

Last modified: 16 Dhjetor, 2021

Comments are closed.

×