Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti: Gjuha është forma e kombit që e marrim kudo me vete

15 Gusht, 2022

 

Prishtinë, 15 gusht 2022

Në Bibliotekën Universitare në Prishtinë, është hapur edicioni i 40-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Fjala përshëndetëse e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e lexuar në hapje të edicionit të 40-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare:

I nderuar drejtor Munishi,

E nderuara bashkëdrejtore Dhurata Sheri,

I nderuari kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja,

Të nderuar anëtarë të Akademisë,

Të nderuar ministra, 

Të nderuar profesorë, studiues, zonja e zotërinj,

Më vjen keq që nuk mund të jem sot me ju në ngjarjen më të rëndësishme vjetore për fushën e albanologjisë.

Gjuha dhe fjalët, një nga një, na vënë gjithmonë para një përgjegjësie të lartë. Madje, ndoshta jo vetëm të përgjegjësisë, por edhe të borxhit. Gjuha na ka dhënë aq shumë secilit prej nesh. Por kjo dhënie në formë dhurate prej gjuhës dhe prej hartuesve të saj duhet të kthehet në marrëdhënie. Pra, atë që kemi marrë duhet edhe të japim.

Raporti në mes të gjuhës dhe kombit nuk është veçse historik. Këto janë dy vetëdije që e ndihmojnë dijen dhe kureshtjen universale. Nëpërmjet gjuhës jo vetëm është mësuar në mënyrë të drejtë dashuria për kombin por edhe për vetë jetën, për vetë gjuhën dhe njerëzoren.
Derisa gjuha ndërton e mirëmban raportet tona, shkrimtarët e studiuesit e mirëmbajnë gjuhën tonë.

E sulmuar nga mendimi i ndërprerë, nga mendimi i shpejtë, nga thjeshtëzimi i tepruar, nga përkthimi i panevojshëm, shqipja jo vetëm është mjeti ynë për dije, politikë dhe në jetë, por është edhe qëllimi ynë i zhvillimit.

Gjuha për nga natyra publike është pasuria jonë e përbashkët. Kur një shkrimtar, një publicist apo përkthyes e pasuron gjuhën e tij apo të saj, na ka pasuruar të gjithë ne nëpërmjet shqipes sonë të përbashkët.

Fuqia linguistike nuk qëndron vetëm në dëshminë e lashtësisë, e cila ka tejkaluar shkencërisht mëdyshjet, por edhe në njohjen dhe përdorimin. Sa më mirë që e njohim gjuhën, aq më mirë i zotërojmë mendimet tona. Prandaj, gjuha është pavarësi politike dhe individuale.

Se nuk duhet të provojmë ta zgjidhim nyjën e fortë të gjuhës, kombit, historisë e gjeografisë është një qëndrim i dëshmuar. Ato qëndrojnë të lidhura fort njëra pas tjetrës. Por, atë duhet ta mbrojmë  për hir të rezultateve te të gjitha  disiplinat. Jo vetëm për kulturën tonë, por për të gjitha kulturat që na ofrohen të shkruara. Madje edhe për hir të mësimit të gjuhëve të huaja na duhet njohja e thellë e amtares.

Përkthimet kanë kryer shumë detyra, na kanë dhënë stilin, biografinë dhe historinë e një vendi tjetër dhe në të njëjtën kohë kanë shtuar fjalorin tonë.

Prandaj, ne të gjithë si përfitues të gjuhës duhet të mbajmë mend Çabejn dhe porosinë e tij, se “duhet t’i shërbejmë gjuhës siç na shërben ajo”.
Gjuha është forma e kombit që e marrim kudo me vete. Ne nuk duhet të presim të bëjmë homazhe për moszbatimin e rregullave të detyrueshme që si disiplinë na obligon.

Ndjenjën e lartë të përgjegjësisë duhet ta kemi të gjithë dhe jo vetëm hartuesit e gjuhës shqipe dhe profesionistët, shkencëtarët e gjuhës. Duhet ta bëjmë pra atë të zotërueshme nga të gjithë bashkëkombësit tanë kudo që jetojnë.
Në institucionet tona po punohet për herë të parë për të jetësuar koncept-dokumentin për mësimin e gjuhës shqipe në mërgatë dhe për certifikimin e gjuhës.

Së bashku me institucionet e Republikës së Shqipërisë kemi përgatitur tekstin e nivelit të parë “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare” dedikuar fëmijëve tanë në mërgatë, që do të shpërndahet në shtator, ashtu si edhe Abetarja e përbashkët.

Ne besojmë që është i mundur integrimi pa asimilim i mërgatës sonë në Evropë dhe në botë. Mësimi i gjuhës shqipe është çelësi i integrimit pa asimilim.

Shqiptarët janë komb i gjuhës, jo vetëm i flamurit dhe i simboleve të tjera. Prandaj, njohja e gjuhës është e domosdoshme për ta kuptuar më mirë popullin tonë e për ta mësuar historinë tonë. Roli i Seminarit dhe kontributi i studiuesve në këtë aspekt është shumë i vlefshëm.

Edicioni i dyzetë i Seminarit, për aq sa jam i njoftuar do të ketë numrin më të madh të seminaristëve e pjesëmarrësve ndonjëherë, rreth 150 sosh. Duke ju përgëzuar për këtë vit jubilar, uroj për ligjërata, sesione e kurse sa më të frytshme të shtjellimit të problematikave gjuhësore dhe të mësimit të shqipes.

Ju faleminderit.

Last modified: 15 Gusht, 2022

Comments are closed.

×