Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti: Çka ka ndodhur në Sanxhakun e Nishit nuk është asgjë më pak se gjenocid

15 Gusht, 2022

Fotografi nga ekspozita “Gjenocidi serb ndaj shqiptarëve”

Prishtinë, 15 gusht 2022

Në 144 vjetorin e dëbimit të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit, Shoqata Shqiptare e Muhaxhirëve Mbarëkombëtar, mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka hapur ekspozitën e fotografive “Gjenocidi serb ndaj shqiptarëve”.

Fjala përshëndetëse e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e lexuar në hapje të ekspozitës:

I nderuar kryetar i Shoqatës Shqiptare të Muhaxhirëve Mbarëkombëtar, Asllan Qyqalla,
E nderuar nënkryetare, Esma Bunjaku,
I nderuar profesor Hakif Bajrami,
Të nderuar pjesëmarrës,
Zonja dhe zotërinj,

Ju kërkoj ndjesë fillimisht për pamundësinë për të qenë me ju dhe ju falënderoj fillimisht për ftesën tuaj në këtë ditë kujtimi kaq të rëndësishme. Unë gjithmonë e kam thënë e vazhdoj ta them sa kruciale është kujtimi për të kaluarën. Vlerësimi i asaj që ka ndodhur. Ballafaqimi me të.

Në raste si këto sot, kur fjala kryesore e asaj që na takon është GJENOCIDI – ndjenja që na bashkon bëhet edhe më e thellë. Kontributi që duhet dhënë edhe më i madh. Nevoja për të kujtuar edhe më e dukshme.

Nuk dëshiroj që sot të marrë vëmendjen e detajeve të asaj që sot do ta shohim përmes këtyre 144 fotografive të ekspozuara në 144 vjetorin e dëbimit të muhaxhirëve. Por dëshiroj të shkoj një hap më tutje e të hap këtë ekspozitë duke i prekur rrënjët e termit GJENOCID.

Kur Lemkini në librin e tij “Axis Rule in Occupied Europe” kishte përdorur termin GJENOCID për të parën herë, jam i bindur që nuk e ka konsideruar mundësinë e diskrepancës mes aspektit teorik dhe praktik të termit.

Dyshoj shumë që kur Lemkin ka folur për gjenocidin, të ketë menduar që dikush në shekullin 21 do të arrijë të ndërtojë një narrativë të tërë diskutimi bazuar në mohimin e gjenocidit.

Gjenocidi si fjalë nuk është zbuluar për t’u mohuar. Por për të potencuar egërsinë dhe johumanitetin e krimeve që shkojnë përtej asaj që termet si krime lufte e krime kundër njerëzimit përfshijnë.

Ende sot, gjenocidi nënkupton ndërmarrjen e veprimeve me qëllim të shkatërrimit (të plotë ose të pjesshëm) të grupeve në aspektin kombëtar, etnik, racor ose fetar.

E çka ka ndodhur në Sanxhakun e Nishit nuk është asgjë më pak se gjenocid. Asgjë më pak se targetim i qëllimshëm i viktimave për shkak të ekzistencës së tyre.

Dëmi i shkaktuar nga gjenocidi nuk mund të riparohet. Por ai mund të njihet duke u pranuar. E në kohën kur jetojmë ne, viktimave u vendoset kripë në plagë secilën ditë kur gjenocidi i Sanxhakut të Nishit nuk kujtohet si duhet.

Kur roli i atij agresioni të tmerrshëm minimizohet deri në pafundësi.

Dokumentimi i asaj që ka ndodhur është hapi më i duhur që dikush mund të bëjë për të kujtuar. Në Kosovë kemi akademikë të caktuar që janë marrë me dokumentimin dhe shkrimin e kujtimeve. Megjithatë sidomos tash në vazhdën e proceseve në të cilat jemi duke kaluar si shtet – për të dokumentuar të kaluarën, na duhet të fokusohemi edhe më tepër në të kaluarën në mënyrë që ta ndriçojmë sa më mirë të ardhmen.

Në kohëra si këto, duhet të kujtojmë që hapi i parë i përsëritjes së gjenocidit është mohimi. E bashkë me të edhe harresa. Andaj duhet të jemi të vëmendshëm e të zëshëm në përkujtimin tonë dhe kërkesat tona për njohje dhe përulësi ndaj një prej gjenocideve më makabre të ndodhura ndonjëherë.

 

Last modified: 15 Gusht, 2022

Comments are closed.

×