Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti bisedoi me profesionistët në Washington D.C. për rritjen e rolit të mërgatës në zhvillimin e vendit

19 Maj, 2022

Washington DC, 19 maj 2022

Përfshirja e mërgatës në proceset politike, ekonomike, kulturore dhe shoqërore të Kosovës, si një prej prioriteteve të Qeverisë, ishte tema e takimit në takimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me profesionistët e Kosovës në Washington D.C.

Në këtë takim të organizuar në kuadër të dialogut me mërgatën, u bashkëbisedua për rëndësinë e posaçme që ka rrjetëzimi i profesionistëve në mërgatë, ndërtimi i mekanizmave për transferimin e njohurive, ekspertizës, burimeve dhe krijimi i instrumenteve për përfshirje aktive në politikat zhvillimore.

Kryeministri Kurti falënderoi komunitetin shqiptar të Washington D.C. për pritjen, si dhe për dialogun e thelluar mbi mënyrën se si profesionistët e komunitetit mund të kontribuojnë në përparimin e vazhdueshëm të Kosovës.

Ai theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson mërgatën si faktor për zhvillimin e vendit dhe synon të rrisë angazhimin e këtyre profesionistëve në përpilimin e politikave zhvillimore dhe strategjike, në zbatimin e politikave, si dhe për investime të përbashkëta me ndërmarrjet vendore në Kosovë.

Ai vuri theksin te motivimi i mërgatës për të ardhur dhe kontribuar në Kosovë, duke thënë se rritja e ekonomisë në vend dhe përmirësimi i nivelit të arsimit do të realizohet më mirë e më shpejtë duke e sjell ekspertizën profesionale nga mërgata në vendin tonë.

 

 

 

Last modified: 30 Maj, 2022

Comments are closed.

×