Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti bëri homazhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi

12 Qershor, 2022

Prishtinë, 12 qershor 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me Presidenten e vendit, Vjosa Osmani, zëvendëskryeministren për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi dhe ministrin e Mbrojtjes, Armend Meha, në shënim të 23-vjetorit të Ditës së Paqes, bëri homazhe edhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi.

Rezistenca dhe qëndresa e shqiptarëve në gjysmën e dytë të shekullit njëzetë pas përfundimit të luftës së dytë botërore nuk mund të paramendohet pa Adem Demaçin, bacën Adem, u shpreh kryeministri Kurti pas homazheve.

“Përafërsisht 666 shekuj burg i kanë mbajtur shqiptarët në Jugosllavinë e dytë, në Jugosllavinë e quajtur të Avnoit, dhe aty baca Adem me 28 vitet e tij në burg padyshim se ka shërbyer për popullin si ndërgjegjja e këtij vendi edhe jashtë këtij vendi” tha më tej kryeministri.

Në fund, duke uruar edhe një herë 12 Qershorin, kryeministri Kurti tha se Adem Demaçi, fitues i çmimit Saharov, Mandela i Evropës, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe ka inspiruar pa numër breza të veprimtarëve.

​Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti:

Rezistenca dhe qëndresa e shqiptarëve në gjysmën e dytë të shekullit njëzetë, pas përfundimit të luftës së dytë botërore, nuk mund të paramendohet pa Adem Demaçin, bacën Adem.

Shqiptarët ishin të burgosurit politikë kryesorë në ish-Jugosllavi dhe në numër më së shumti dhe në kohëzgjatje të vuajtjes së dënimit, po ashtu më së shumti. Përafërsisht 666 shekuj burg i kanë mbajtur shqiptarët në Jugosllavinë e dytë, në Jugosllavinë e quajtur të Avnoit, dhe aty baca Adem me 28 vitet e tij në burg padyshim se ka shërbyer për popullin si ndërgjegjja e këtij vendi edhe jashtë këtij vendi.

Fitues i çmimit Saharov, Mandela i Evropës, padyshim se ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës duke frymëzuar e inspiruar pa numër breza të veprimtarëve. Andaj duke bërë nderime te baca Adem, te Adem Demaçi edhe një herë gëzuar e urime 12 Qershori.

Last modified: 14 Korrik, 2022

Comments are closed.

×