Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti bëri homazhe te varri i Presidentit Ibrahim Rugova

12 Qershor, 2022

Prishtinë, 12 qershor 2022

Në shënim të 23-vjetorit të Ditës së Paqes, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me Presidenten e vendit, Vjosa Osmani, si dhe me zëvendëskryeministren për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi dhe ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj ka bërë homazhe te varri i Presidentit Ibrahim Rugova, në Velani.

Kryeministri Kurti, ua ka uruar 12 qershorin, të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, të gjithë shqiptarëve në përgjithësi dhe njerëzve liridashës e paqedashës, këtë ditë të rëndësishme historike jo vetëm për Kosovën.

“Ne sot shënojmë çlirimin e vendit, shënojmë paqen në Kosovë, shënojmë lirinë e popullit dhe në të njëjtën kohë kujtojmë ata të cilët kontribuuan, punuan, u sakrifikuan, u flijuan, që ne të jemi edhe të gjallë, edhe të lirë edhe me mundësi për përparim”, tha kryeministri Kurti.

Ai tha se nuk mund ta paramendojmë humanitetin, durimin, qetësinë në politikë, pa Presidentin Ibrahim Rugova, që siç tha kryeministri, me insistimin e tij dha kontribut të jashtëzakonshëm për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare dhe të Kosovës në veçanti, në kohën e okupimit të egër të Serbisë, të apartheidit të regjimit të Millosheviqit që kulmoi me gjenocidin kundër popullit tonë.

Kryeministri Kurti, po ashtu tha se institucionet e Kosovës nuk e harrojnë kurrë të kaluarën dhe se do të insistojnë dhe do të angazhohen për drejtësi për të gjitha viktimat, për të gjitha dëmet, vuajtjet e humbjet që na u janë shkaktuar.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Urime dhe gëzuar të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, të gjithë shqiptarëve në përgjithësi dhe njerëzve liridashës e paqedashës, 12 Qershorin, këtë ditë të rëndësishme historike, jo vetëm për Kosovën.

Ne sot shënojmë çlirimin e vendit, shënojmë paqen në Kosovë, shënojmë lirinë e popullit dhe në të njëjtën kohë kujtojmë ata të cilët kontribuuan, punuan, u sakrifikuan, u flijuan, që ne të jemi edhe të gjallë, edhe të lirë edhe me mundësi për përparim.

Nuk mund ta paramendojmë humanitetin, durimin, qetësinë në politikë, pa Presidentin Ibrahim Rugova, i cili para se të bëhej president për herë të parë këtu e 30 vjet më parë, ishte intelektual i angazhuar, racionalist, i cili me insistimin e tij dha kontribut të jashtëzakonshëm për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare dhe të Kosovës, në veçanti në kohën e okupimit të egër të Serbisë, të apartheidit të regjimit të Millosheviqit që kulmoi me gjenocidin kundër popullit tonë.

Ne me siguri që si institucione të Republikës së Kosovës nuk e harrojmë kurrë të kaluarën. Do të insistojmë e do të angazhohemi për drejtësi për të gjitha viktimat, për të gjitha dëmet, vuajtjet e humbjet që na u kanë shkaktuar dhe në këtë mënyrë bashkë me popullin e Kosovës, i cili është i jashtëzakonshëm, e kemi të sigurt dhe shumë më të mirë të ardhmen përpara.

Last modified: 14 Korrik, 2022

Comments are closed.

×