Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti bashkëbisedoi me fëmijët me nevoja të veçanta

2 Dhjetor, 2022

Prishtinë, 2 dhjetor 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së sotme ka vizituar Qendrën e Resurseve për Persona me Aftësi te Kufizuara- HANDIKOS, ku është pritur nga kryetari i saj, Afrim Maliqi, e ku ka bashkëbiseduar me fëmijët e kësaj qendre të cilët shoqëroheshin nga prindër dhe përfaqësues të personave me aftësi të kufizuara.

Me këtë rast, kryeministri Kurti tha se Qeveria e ka shpallur vitin 2022 vit të personave me aftësi të kufizuara, në mënyrë që nga ky vit çdo vit të jetë më i mirë sa i përket qasjes së barabartë dhe mundësive për të gjithë.  Ai ka përmendur nismat ligjore dhe mbështetjen financiare të Qeverisë për personat me aftësi të kufizuara, të cilat do të ndihmojnë dhe lehtësojnë jetën e kësaj kategorie të ndjeshme të shoqërisë sonë.

“Zyra e Kryeministrit, Qeveria e Republikës do ta ketë gjithmonë derën të hapur dhe linjën e hapur edhe për interesimin tuaj, por edhe për çdo thirrje me të cilën ju do të na drejtoheni për problemet të cilat i keni, qofshin ato të përgjithshme apo të veçanta”, tha kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti gjatë takimit ka shpërndarë dhurata për fëmijët me nevoja të veçanta që ishin të pranishëm.

Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti:

Mirëdita të gjithëve,

Unë ju falënderoj nga zemra të gjithëve për këtë pritje kaq të ngrohtë në prag të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar.

Ne e kemi shpallur vitin 2022 vit të personave me aftësi të kufizuara, por nuk e kemi shpallur këtë vit të tillë që viti tjetër të jetë më i dobët për nga mbështetja po përkundrazi e kemi shpallur këtë vit, vit të personave me aftësi të kufizuara, që nga ky vit çdo vit të jetë më i mirë sa i përket qasjes së barabartë dhe mundësive për të gjithë juve.

Me këtë rast, vlen të ceket se Projektligji për Vlerësimin, Njohjen e Statusit, Përfitimet dhe Shërbimet për Personat me Aftësi të Kufizuar, është në kabinetin e ministrit Financave, Punës dhe Transfereve, z.Hekuran Muratit dhe është në shqyrtim dhe për çdo zhvillim ne do t’ju mbajmë të informuar dhe jemi të interesuar që të ecim sa më shpejtë.

Tjetra ne e kemi iniciuar si Kryeministri procesin e Amandamentimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës për përfshirjen e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përkatësisht Neni 22. Pra, një e drejtë e cila është ndërkombëtarisht e njohur të normohet edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke bërë amandamentimin e saj.

Mandej, një ndër arritjet është edhe për personat e verbër, inicimi i  procesit për krijimin e Sintezës Vokale në Gjuhën Shqipe, duke mundësuar kështu që personat e verbër të mund të shfrytëzojnë tekstet digjitale sipas nenit 11 të Ligjit për të Verbër, e keni parasysh që librat duhet t’i bëjmë audiolibra, jo vetëm të shkruar në mënyrë që ata të cilët janë të verbër të kenë mundësi që të kenë qasje te të gjithë librat edhe pse nuk mund të shohin.

Tjetra, është që me kërkesë të Shoqatës së të Verbërve në Kosovë, me qëllim të lehtësimit të qasjes Zyra e Kryeministrit ka ndarë mjetet për sigurimin e Printerit në Shkrimin Braille, ku do të ju mundësohet qasja në secilindo dokument brenda Zyrës së Kryeministrit për personat e verbër që duhet ta kenë pra çdo tekst edhe në shkrimin Braille.

Mandej pjesëmarrja e Personave me Aftësi të Kufizuara në lojërat Paralimpike, kemi mbështetur si qeveri programet trajnuese për sportistë, me ç ‘rast i kemi ndarë 100.000 euro  mbështetje vjetore, pra për çdo vit, për Komitetin Paralimpik, i cili na ka bërë edhe pjesë të organizatës ndërkombëtare të Komitetit Ndërkombëtar Paralimpik dhe 40 mijë euro të tjera për Federatën e Sportit për të Verbër.

Në mbledhjen e 106 të Qeverisë të cilën e kemi mbajtur me 9 nëntor është aprovuar Udhëzimi Administrativ për caktimin e Listës, Llojeve dhe Pajisjeve Ndihmesë që ofrohen falas për  Personat Paraplegjik dhe Tetraplegjik, që shërbejnë për Lëvizje, Parandalim dhe Asistim.

Dhe në kuadër të Kalendarit të Aktiviteteve për vitin 2022, MASHTI, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, i ka punësuar 100 asistent në shkolla në të gjithë vendin për fëmijë me nevoja të veçanta dhe kemi ndarë buxhet tash për 500 sosh për vitin 2023. Pra e kemi pesëfishuar numrin e asistentëve numrin e asistentëve për personat me aftësi të kufizuara. Sepse është e rëndësishme që personat me aftësi të kufizuara, personat me nevoja të veçanta, të jenë qytetarë që marrin shërbime sa më cilësore e profesionale dhe nuk janë vetëm barrë e prindërve ose e familjarëve, por e gjithë shoqërisë tonë.

Kemi ndarë bursa për 13 studentë me aftësi të kufizuara dhe po e zbatojmë Masën 1.6 Mbështetja e punësimit të personave me nevoja të veçanta.

Ne e dimë që shteti duhet t’u ndihmojë më së shumti ata që i kanë nevojat më të mëdha dhe së pari aty ku kemi gjëra urgjente. Prandaj, edhe kategoria Komuniteti i Personave me aftësi të kufizuara, do të jetë gjithmonë në fokus të qeverisë sonë dhe unë ju falënderoj shumë për bashkëpunimin, për vëmendjen e për durimin tuja.

Zyra e Kryeministrit, Qeveria e Republikës do ta ketë gjithmonë derën të hapur dhe linjën e hapur edhe për interesimin tuaj, por edhe për çdo thirrje me të cilën ju do të na drejtoheni për problemet të cilat i keni, qofshin ato të përgjithshme apo të veçanta.

Ju faleminderit edhe njëherë të gjithëve.

 

 

 

Last modified: 2 Dhjetor, 2022

Comments are closed.

×