Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti: Arsimi cilësor është një nga shtyllat kryesore për zhvillimin e Kosovës

3 Korrik, 2022

Prizren, 3 korrik 2022

Arsimi cilësor është një nga shtyllat kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e shoqëror të Kosovës, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në hapje të Olimpiadës së Tretë Matematike Kosovë-Shqipëri për Klasat VII-IX.

Ne duhet të synojmë të frymëzojmë qysh herët tek nxënësit ndërveprimin me konceptet e shkencës, duke nxitur garë ndërmjet ekipeve edhe shkollave. Olimpiada që mbahet sot e jep një kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim, tha kryeministri.

Kjo olimpiadë i kontribuon ndërtimit të urave të bashkëpunimit mbarëkombëtar në fushën e dijes dhe të shkencës, shtoi ai.

Para nxënësve e nxënëseve garues në këtë garë, kryeministri tha se njohuritë në matematikë që fitohen gjatë shkollimit do të jenë një aset i rëndësishëm jetësor që do t’u hapin rrugë për studime dhe zhvillim profesional, pavarësisht fushës dhe profesionit që do ta zgjedhin.

Kryeministri Kurti theksoi se në arsim, si edhe në fushat tjera të qeverisjes, një nga parimet kryesore në të cilat mbështetet Qeveria është ai i gjithpërfshirjes. Në programin tonë qeverisës, jemi zotuar që të avancojmë barazinë në çdo aspekt, potencoi ai.

Duke theksuar se stereotipet diskriminuese gjinore vazhdojnë t’ua mohojnë vajzave dhe grave qasjen e barabartë për të bërë karrierë në shkencë, kryeministri tha se Qeveria do të vazhdojë të punojë për të avancuar vajzat dhe gratë në shkencë, teknologji dhe inovacion, për të mbyllur hendekun ekzistues gjinor.

Për të ndihmuar avancimin e vajzave në shkencë, në vitin aktual akademik, ne kemi ndarë 1365 bursa universitare për vajzat në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës, apo siç njihet ndryshe STEM, tha kryeministri.

Ai tha se strategjia e re e arsimit adreson nevojat për zhvillimin e sektorit të arsimit në 5 vitet e ardhshme. Strategjia parasheh intervenime rrënjësore për zhvillimin e arsimit në të gjitha nivelet, duke u bazuar në orientimet kyçe programore të qeverisë, e që janë: arsimi cilësor gjithëpërfshirës dhe i digjitalizuar; harmonizimi i arsimit dhe aftësimit profesional me kërkesat e tregut të punës; menaxhimi efektiv i sistemit të arsimit në të gjitha nivelet; arsimi i lartë me cilësi dhe integritet, në harmoni me standardet ndërkombëtare; dhe përmirësimi i mjedisit për kërkime dhe inovacion.

Olimpiada e Tretë Matematike Kosovë-Shqipëri për Klasat VII-IX, është organizim i përbashkët i shoqatave të matematikanëve të Kosovës dhe të Shqipërisë.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Edhe unë e di edhe nga shkolla fillore dhe e mesme, ato ethet para garës, se çfarë detyrash do të biejnë e sa do të jemi të zot t’i zgjidhim sa më shpejt. E ato detyrat që janë më të vështira, të kemi pak më shumë kohë mandej.

I nderuari Kryetar i Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës, z. Armend Shabani,
I nderuari Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Matematikës, z. Adrian Naço
I nderuari Drejtor për Arsim Parauniversitar në Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, z. Shkëlqim Allkaj,
E nderuara drejtore e arsimit e Komunës së Prizrenit, znj.Vesele Gutaj,
I nderuari Drejtor Ekzekutiv i Asociacionit “Loyola-Gymnasium”, z.Elias Koller,
I dashuri profesor Valmir Krasniqi,
Të dashur nxënës e nxënëse,

Jam shumë i lumtur të jem sot këtu, në hapjen e Olimpiadës së Tretë Matematike Kosovë-Shqipëri për Klasat VII-IX.

“Matematika është porta dhe çelësi i shkencës” – ka thënë filozofi anglez mesjetar Roger Bacon. Pra jo vetëm porta, që e ka çelësin dikund tjetër, dhe as çelësi që e kërkon portën, por edhe porta edhe çelësi i shkencës. Nuk do të mund të paramendohej zhvillimi i shumë shkencave si fizika, kimia, biologjia, mjekësia e ekonomia pa “aparatin” matematikor si një vegël e domosdoshme e tyre. Për më tepër, algjebra, aritmetika, gjeometria, trigonometria, e llogaritja diferenciale e integrale – kanë ofruar “aparatin” e nevojshëm edhe për zhvillimin e inxhinierisë dhe të revolucioneve industriale. Por, roli i matematikës në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror shkon përtej ofrimit të veglave të nevojshme për shkencat tjera dhe për inxhinierinë. Rol i saj kyç duhet të shihet edhe në zhvillimin e të menduarit logjik dhe kritik, dhe shkathtësive për zgjidhje të problemeve.

Në shekullin 21, kur bota ballafaqohet me sfida madhore, si shtimi e mplakja e popullsisë, ndryshimet klimatike, pabarazia në rritje e rezistenca ndaj antibiotikëve – nevoja për të menduarit logjik e kritik dhe për shkathtësi të zgjidhjes së problemeve është më e madhe se kurdoherë më parë. Teknologjitë e reja të këtij shekulli si inteligjenca artificiale dhe blockchain, kanë në prapavijë modele të sofistikuara matematikore. E pikërisht këto teknologji pritet të jenë shtytës kyç të zhvillimeve të së ardhmes në fushat si prodhimi, transporti, shërbimet financiare, bujqësia, shëndetësia, ambienti, siguria, e në të gjitha fushat tjera të ekonomisë e të shoqërisë.

Prandaj, nxënës dhe nxënëse të dashura, njohuritë në matematikë që i fitoni gjatë shkollimit do të jenë një aset i rëndësishëm jetësor që do t’ju hapë rrugë për studime dhe zhvillim profesional, pavarësisht fushës dhe profesionit që do ta zgjedhni.

Pra matematika gjithmonë dhe gjithsesi ia vlenë.

Të nderuar pjesëmarrës,

Arsimi cilësor është një nga shtyllat kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e shoqëror të Kosovës.

Ne tashmë kemi finalizuar draftin e strategjisë së re të arsimit që adreson nevojat për zhvillimin e sektorit të arsimit në 5 vitet e ardhshme. Strategjia e re parasheh intervenime rrënjësore për zhvillimin e arsimit në të gjitha nivelet, duke u bazuar në orientimet kyçe programore të qeverisë tonë, e që janë: e para, arsimi cilësor gjithëpërfshirës dhe i digjitalizuar; e dyta, harmonizimi i arsimit dhe aftësimit profesional me kërkesat e tregut të punës; e treta, menaxhimi efektiv i sistemit të arsimit në të gjitha nivelet; e katërta, arsimi i lartë me cilësi dhe integritet, në harmoni me standardet ndërkombëtare, dhe e pesta, përmirësimi i mjedisit për kërkime dhe inovacion.

Digjitalizimi i arsimit në të gjitha nivelet është një nga objektivët kyç të strategjisë së re, të Qeverisë sonë. Përmes përdorimit të teknologjisë së informacionit dhe në përputhje me trendet globale të transformimit digjital, ne synojmë përmirësimin e shërbimeve dhe të cilësisë në arsim.

Në arsim, si edhe në fushat tjera të qeverisjes sonë, një nga parimet kryesore në të cilat mbështetemi është ai i gjithpërfshirjes. Në programin tonë qeverisës, jemi zotuar që të avancojmë barazinë në çdo aspekt.

Stereotipet diskriminuese gjinore vazhdojnë t’ua mohojnë vajzave dhe grave qasjen e barabartë për të bërë karrierë në shkencë. Kështu vajzat dhe gratë privohen nga realizimi i potencialit te tyre, ndërsa shoqëria privohet nga zhvillimi që do të mund të sillte potenciali i gjysmës së popullsisë.

Për të ndihmuar avancimin e vajzave në shkencë, në vitin aktual akademik, ne kemi ndarë 1365 bursa universitare për vajzat në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës, apo siç njihet ndryshe STEM. Dhe mua më vjen shumë mirë që sot këtu kemi shumë vajza nxënëse të cilat do të jenë në këtë garë dhe u uroj shumë suksese të gjithëve, e posaçërisht atyre.
Ne do të vazhdojmë të punojmë për të avancuar vajzat dhe gratë në shkencë, teknologji dhe inovacion, për të mbyllur hendekun ekzistues gjinor, dhe për t’u siguruar që pjesëmarrja e grave në fushën e shkencës, teknologjisë e inovacionit, të mos jetë përjashtim, por normë.

Ne duhet të synojmë të frymëzojmë qysh herët tek nxënësit ndërveprimin me konceptet e shkencës, duke nxitur garë ndërmjet ekipeve edhe shkollave. Olimpiada që mbahet sot e jep një kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim. Kjo garë mundëson zhvillimin e talentëve dhe promovimin e matematikës e të shkencës në përgjithësi. Olimpiada është organizim i përbashkët i shoqatave të matematikanëve të Kosovës dhe të Shqipërisë, dhe kjo i kontribon ndërtimit të urave të bashkëpunimit mbarëkombëtar në fushën e dijes dhe të shkencës.

I përgëzoj organizatorët për punën, ndërsa nxënësve dhe nxënëseve iu uroj shumë suksese!

Ju falemnderit! ​

Last modified: 13 Korrik, 2022

Comments are closed.

×