Zyra e Kryeministrit

Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi, takon në Nju Jork Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Baroneshën Katherine Ashton

24 Shtator, 2012

E hënë, 24 shtator, 2012, Nju Jork – Sot në selinë e Kombeve të Bashkuara, Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi, është takuar me Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Baroneshën Katherine Ashton.
 
“Kosova ka përmbyllur një etapë të rëndësishme, atë të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë, por ky proces merr kuptim vetëm me hapjen e kapitullit të ri, atij të integrimit evropian. Relacioni mes Kosovës dhe BE-së duhet të kalojë përtej kurtuazisë dhe fjalëve të mira, në një relacion konkret kontraktual përmes procesit të Stabilizim asociimit” – tha kryeministri Thaçi në takim.

“Kosova po përmbushë reformat e nevojshme, dhe me të drejtë në këtë dhjetorë presim dritën e gjelbër nga Komisioni Evropian për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. I kuptojmë vështirësitë politike në kuadër të BE-së, por përkundër jo unitetit për pavarësinë e Kosovës, është për tu përshëndetur unanimiteti që ekziston në kuadër të BE-së për të ardhmen Evropiane të Kosovës dhe tërë Ballkanit Perëndimor“ – deklaroi kryeministri Thaçi. 

Kryeministri e njoftoi Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së për angazhimin gjithëpërfshirës të institucioneve të Kosovës dhe tërë spektrit politik në përmbushjen e detyrimeve nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave.

“Qytetarët e Kosovës janë qytetarët më të izoluar të Evropës. Ne nuk po kërkojmë status të privilegjuar e as proces të përshpejtuar. Ne po punojmë në përmbushjen e reformave që derivojnë nga udhërrëfyesi dhe presim që edhe BE mos të vonohet në këtë proces“ deklaroi kryeministri Thaçi.  

Last modified: 24 Shtator, 2012

Comments are closed.

×