Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Hashim Thaçi: Sot po vendosim që FSK të shëndrrohet në Forcën e Armatosur të Kosovës dhe Ministria e FSK-së të shndërrohet në Ministri të Mbrojtjes së Kosovës

4 Mars, 2014

Prishtinë, 4 shkurt 2014

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt të saj në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar analizën dhe rekomandimet e Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë në Kosovë.

Në hapje të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar lartë punën që është bërë në Rishikimin e Sektorit të Sigurisë. Në vazhdim kryeministri ka thënë:

“Me propozim të Komitetit Drejtues për Rishikimin Strategjik të Sektorit të Sigurisë, dje në takimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës është miratuar Analiza e Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë. Kjo është një analizë e një studimi të thellë të kryer nga institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës gjatë një procesi dyvjeçar. Proces i Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë ka përfshirë një proces me qasje gjithëpërfshirëse, transparente dhe që involvoi të gjitha institucionet e Qeverisë për t’i radhitur dhe forcuar institucionet e sigurisë së Kosovës në pajtim me parimet Euro-Atlantike dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

Gjatë kësaj periudhe është bërë hulumtim i thellë i të gjitha aspekteve të sigurisë për të identifikuar nevojat reale të shtetit dhe qytetareve tanë, si dhe për të definuar rolet dhe kapacitetet e secilit institucion në fushën e sigurisë, me qëllim të krijimit të një sektori i cili është efektiv, efikas dhe i koordinuar në përballimin e nevojave të sigurisë në vend, dhe i cili do të garantoj:

1.    Marrjen e përgjegjësive për sigurinë tonë dhe të vendit tonë;
2.    Vazhdimin e  integrimit Euro-Atlantik të Strukturave të Sigurisë  të Republikës së Kosovës;
3.    Dhe Sigurimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon.

Analiza e dalë nga ky proces synon definimin dhe rolet e çdo institucioni të sigurisë në Kosovë me qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë, me moton një Kosovë e sigurt dhe e integruar në strukturat euro-atlantike është faktor stabiliteti, garantues i sigurisë dhe paqes brenda dhe jashtë dhe do të ndihmojë në përmirësimin e kushteve për zhvillimin ekonomik dhe do të ngritë mundësitë për investime në vend.

Republika e Kosovës është e përkushtuar të jetë partner në ndërtimin e paqes, sigurisë, stabilitetit rajonal dhe prosperitetit ekonomik. Në këtë aspekt, megjithatë, ndryshimet me substanciale rekomandohen të bëhen në Ministrinë për Forcën e Sigurisë  se Kosovës dhe Forcën e Sigurisë.

Siç edhe jeni informuar, siç edhe kemi deklaruar me 17 shkurt të këtij viti, sot ne po vendosim që Forca e Sigurisë së Kosovës te shndërrohet në Forcat e Armatosura të Kosovës, dhe rrjedhimisht të ndryshojë misionin, detyrat, strukturën dhe madhësinë, si dhe Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës të shndërrohet në Ministri të Mbrojtjes së Kosovës.

Kjo është në të mirë të vendit, në të mirë të qytetareve tanë pa dallim etnik, fetar apo orientimi politik. Kjo është në të mirë të gjithë rajonit, pa përjashtime. Është në interesin e  proceseve të integrimeve euro-atlantike dhe dëshmon përkushtimin tonë se Kosova është e gatshme të transformohet dhe të prodhojë më tepër siguri dhe të jetë garantues i sigurisë së vet, dhe bazuar në hapat e mëtutjeshëm të jemi një faktor relevant i sigurisë rajonale por edhe globale”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.

Në vazhdim, ministri Agim Çeku ka prezantuar analizën dhe rekomandimet e Rishikimit të Sektorit të Sigurisë, të cilat janë aprovuar unanimisht nga Qeveria e Kosovës.

Last modified: 4 Mars, 2014

Comments are closed.

×