Zyra e Kryeministrit

Kosova dhe Luksemburgu organizuan Komisionin e Partneritetit të Nivelit të Lartë për të shqyrtuar progresin e mbështetjes së Luksemburgut në Kosovë dhe bashkëpunimin e ardhshëm

4 Prill, 2022

Prishtinë, 4 prill 2022

Zyra e Kryeministrit dhe Ambasada e Luksemburgut në Kosovë organizuan takimin vjetor të Komisionit të Partneritetit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut. Takimi u mbajt në Prishtinë dhe u bashkëkryesua nga Zëvendës Kryeministri, z. Besnik Bislimi dhe Ministri i Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor dhe Çështje Humanitare, z. Franz Fayot, i cili sot dhe nesër do të vizitojë Kosovën. Gjatë takimit, delegacionet diskutuan progresin dhe sfidat në zbatimin e mbështetjes zhvillimore të Luksemburgut në Kosovë në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe aftësimit profesional si dhe integrimit në BE në kuadër të marrëveshjes dypalëshe 2017-2020, e cila u zgjat deri në vitin 2022. Të dyja palët u dakorduan të fillojnë procesin për hartimin e një marrëveshjeje të re dypalëshe 2023-25 dhe një Memorandum të ri Mirëkuptimi për 3 vjet, që do të pasqyrojë intervenimet e dakorduara reciprokisht në fushat e zgjedhura për bashkëpunim në të ardhmen.

Në fillim të takimit, udhëheqësi i delegacionit të Kosovës, z. Besnik Bislimi, Zëvendëskryeministër i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog theksoi “nevojën për të forcuar më tej pronësinë e mbështetjes së donatorëve për Kosovën, përmirësimin e vlerës për para të projekteve të donatorëve si dhe krijimin e një koordinimi, sinergjie dhe marrëdhënie komplementare më të mirë ndërmjet burimeve të ndryshme të financimit”. Ai gjithashtu shtoi se “Mbështetja e Luksemburgut ka qenë e rëndësishme në shumë fusha të cilat përfaqësojnë edhe prioritetet e qeverisë sonë dhe e mirëpresim angazhimin për bashkëpunim në të ardhmen. Ne do të vazhdojmë dialogun për t’u siguruar që mbështetja dhe intervenimet në këto fusha do të pasqyrojnë prioritetet tona të përbashkëta dhe se çdo sfidë sistematike në zbatim do të adresohet me kohë nga Qeveria e Kosovës. Qeveria e Kosovës ka vendosur një vizion afatgjatë për zhvillim, i cili së shpejti do të miratohet dhe elaborohet përmes Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2030 dhe do të përdoret si mjet udhëzues për dialogun tonë me partnerët zhvillimorë.”

Udhëheqësi i delegacionit të Luksemburgut, z. Franz Fayot, Ministër për Bashkëpunim Zhvillimor dhe Çështje Humanitare, shtoi: “Luksemburgu mbetet i përkushtuar që të shoqërojë Kosovën në zhvillimin, tranzicionin dhe rrugën e saj evropiane. Takimi i sotëm jo vetëm që na lejoi të vlerësonim ndikimin e projekteve në vazhdim e sipër në sektorët e përbashkët prioritarë, por edhe të diskutonim për të ardhmen e bashkëpunimit tonë. Luksemburgu synon të shkojë përtej bashkëpunimit tradicional zhvillimor dhe të përfshijë një sërë partnerësh nga të dyja anët. Rritja e mbështetjes së Luksemburgut do të vazhdojë të ecë paralelisht me progresin e Kosovës, duke qenë në përputhje me prioritetet kombëtare dhe të koordinohet dhe harmonizohet me donatorët dhe partnerët e tjerë.”

Gjatë Komisionit të Partneritetit, fokusi i diskutimit ishte se si të përmirësohet zbatimi i projekteve aktuale dhe mësimet e nxjerra të aplikohen në programimin e ardhshëm të bashkëpunimit për zhvillim.

Komisioni i ardhshëm i Partneritetit ndërmjet Luksemburgut dhe Kosovës do të mbahet në vitin 2023.

 

Last modified: 13 Maj, 2022

Comments are closed.

×