Zyra e Kryeministrit

Intervista e kryeministrit Albin Kurti në emisionin HARDTalk të BBC World Service

5 Nëntor, 2021

Intervista e kryeministrit Albin Kurti në emisionin HARDTalk të BBC World Service

Stephen Sackur: Mirë se vini në HARDTalk në BBC World Service me mua Stephen Sackur.
I ftuari im sot ka kaluar dy dekada të jetës së tij si aktivist, provokator dhe tani politikan duke luftuar për kauzën e lirisë së Kosovës. Përkrahësit e tij më të pasionant e përshkruajnë Albin Kurtin si Che Guevara i Ballkanit. Pas fitorës së thellë të partisë së tij, Vetëvendosje!, në zgjedhjet që u mbajtën në fillim të vitit, zotri Kurti u bë kryeministër i Kosovës. Mirëpo ai e udhëheq qeverinë nga jashtë Kuvendit pasi Gjykatat e Kosovës vendosën ta s’kualifikonin nga pozita e deputetit për shkak të dënimit penal për hedhjen e gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit. Kurti prej kohësh ka qenë një nacionialist i përkushtuar dhe radikal. Ai ishte në burg për tre vjet nga serbët gjatë luftës për pavarësinë e Kosovës, dhe sot qeveria e tij mban një qëndrim të fortë kundër asaj që e cilëson si agresion nga Serbia. Shpresa për një marrëveshje politike për t’i dhënë fund armiqësisë disavjeçare midis Beogradit dhe Prishtinës është zbehur. Zotri Kurti thotë se ai është i fokusuar në çrrënjosjen e korrupsionit, trajtimin e varfërisë endemike dhe forcimin e marrëdhënieve me ShBA-në, NATO-n dhe BE-në, por e vërteta është se Kosova nuk njihet nga pothuajse gjysma e kombeve të botës. Anëtarësimi në BE mbetet një ëndërr e largët dhe kryeministri publikisht favorizon bashkimin e Kosovës në një Shqipëri të madhe. A është e mundur që ai vetë është burim i jostabilitetit në një rajon problematik? Ai më bashkangjitet në linjë nga Prishtina. Kryeministri Albin Kurti, mirë se vini në HARDtalk!

Kryeministri Kurti: Faleminderit për ftesën!

Stephen Sackur: Kryeministër, të gjithë paraardhësit tuaj si liderë të Kosovës i kanë dhënë prioritet të madh përpjekjes për t’i normalizuar marrëdhëniet me Serbinë, përpjekjes për të arritur paqe me Serbinë. Ju thoni se nuk është as prioritet për ju. Pse?

Albin Kurti: Ne i fituam zgjedhjet e 14 shkurtit me një fitore të jashtëzakonshme, me premtimin për vende pune dhe drejtësi. Nuk dua ta neglizhoj normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por zhvillimi ekonomik nga njëra anë dhe sundimi i ligjit kundër korrupsionit nga ana tjetër janë dy prioritetet tona kryesore. Duke marrë parasysh që tani jemi në mes të pandemisë COVID-19, sigurisht kjo do të thotë se dialogu me Serbinë ka rënë, në rastin më të mirë, në numrin katër në agjendën tonë të shtetndërtimit demokratik për republikën tonë të pavarur.

Stephen Sackur: Nëse flisni për shtetndërtim demokratik, a është e vërtetë se asgjë nuk mund të ndodhë realisht dhe nuk mund të ketë përparim të vërtetë drejt një Kosove më prosperuese dhe më stabile nëse nuk keni një marrëdhënie normale me fqinjin tuaj Serbinë. Pra, në fund, sigurisht që kjo është ajo që duhet të jetë e para.

Albin Kurti: Kjo është një pjesë e rëndësishme e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, por duhet të them se Kosova këtë vit ka pasur një rritje ekonomike të paprecedentë dhe Banka jonë Qendrore parasheh një rritje prej 9.9 për qind të bruto produktit vendor, ndërsa kur e morëm detyrën vitin e kaluar pamë një tkurrje prej 3.1 për qind të bruto produktit vendor. Eksportet u rritën për dy të tretat, të hyrat nga tatimet për një të tretën, pa ndryshuar politikën fiskale, dhe arritëm të kryejmë 437 operacione policore, 746 bastisje-kontrolle si dhe kemi shkatërruar 31 banda kriminale, kështu që Kosova është një histori suksesi dhe tani jemi shumë mirë, më mirë se asnjëherë më parë në periudhën e pasluftës. Ne duam marrëdhënie të mira me Serbinë, duam një dialog ku do të diskutojmë për statusin e marrëdhënieve të ardhshme sepse statusi i Kosovës është diçka që është vulosur me opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, më 22 korrik 2010, i cili thotë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Pra, marrëdhëniet e mira me Serbinë do të ndihmojnë, por nuk janë prioriteti kryesor.

Stephen Sackur: Më lër të të ndal për një sekondë Kryeministër. Ju thoni se dëshironi marrëdhënie më të mira me Serbinë, por a nuk është e vërtetë që presidenti serb, z. Vuçiq, kur foli për herë të fundit me ju, tha: “E dini çfarë? Kam menduar se marrëdhëniet me Kosovën nuk mund të përkeqësohen më, por tani e shoh se ato gjithmonë mund të përkeqësohen”. Serbët ju shohin si problematik. Ata përmendin faktin se ju sapo keni kërkuar, rreth një muaj më parë, që të gjithë serbët që kalojnë kufirin në Kosovë t’i ndërrojnë targat. Kjo u konsiderua thjesht si diçka e ulët dhe agresive. Pse po luani këso lojërash?

Kryeministri Kurti: Unë thjesht po zbatoj masat e reciprocitetit sepse jemi vend i pavarur. Qytetarët e Kosovës për 10 vjet kanë paguar nga pesë euro çdo herë kur kanë kaluar kufirin drejt Serbisë për t’i marrë targat e përkohshme të automjeteve. Tani, me skadimin e kësaj marrëveshjeje në mesin e shtatorit të këtij viti, kemi filluar të zbatojmë të njëjtën masë. Pra, ata i marrin targat e përkohshme të automjeteve në Kosovë sapo të hyjnë në territorin tonë. Por ne nuk duam t’i kemi këto barriera. Ne duam t’i heqim të gjitha, por ata duhet të mësohen me masat e reciprocitetit dhe jo më me situatën asimetrike ku ne duhet të paguajmë për agresivitetin e tyre. 22 vjet më parë, 19 shtete u bashkuan dhe NATO-ja bombardoi Jugosllavinë-Serbinë në atë kohë. Duhet të ketë qenë shumë keq atëherë. Dhe sigurisht që ishte shumë keq sepse në Kosovë kishte gjenocid. Në atë kohë, presidenti i Serbisë që ju e përmendët ishte ministër i Informacionit i qeverisë së Millosheviqit. Pra, mendoj se kur ai thotë akuza të tilla, duhet t’i marrësh me një rezervë të caktuar.

Stephen Sackur: A nuk ka një të vërtetë të thjeshtë këtu, nëse e shikojmë historinë tuaj politike, ju praktikisht duket se besoni se Kosova është më mirë në një gjendje armiqësie të përhershme me Serbinë. Në fund të fundit, ishit pikërisht ju në vitin 2015, kur Kuvendi i Kosovës po shqyrtonte marrëveshjen për trajtimin e minoritetit serb në vendin tuaj, një marrëveshje të cilën ju nuk e keni pëlqyer, një marrëveshje që qeveria serbe e ka mbështetur, ju keni hedhur gaz lotsjellës brenda Kuvendit në shenjë proteste. Historiku juaj sugjeron që ju do të bëni gati se gjithçka për të parandaluar një marrëdhënie normale paqësore me Serbinë.

Kryeministri Kurti: Unë kam qenë aktivist politik gjatë gjithë jetës time. Ndonjëherë kam qenë më radikal, por kjo ka qenë për shkak të çështjes – e jo për shkak të karakterit tim. Në vitin 2015 dhe 2016, ishte një përpjekje për bosnjëzimin e Kosovës, përkatësisht për të rigrupuar komunat me shumicë serbe në një shtresë të tretë të pushtetit, nën kontroll të drejtpërdrejtë të Beogradit. Natyrisht që nuk e kemi lejuar një gjë të tillë të ndodhë. Ne duam të kemi marrëdhënie të mira me Serbinë dhe për këtë duhet të kemi njohje reciproke. Njohja reciproke mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë duhet të jetë pjesa kryesore e parimit të organizimit të marrëveshjeve të ardhshme gjithëpërfshirëse. Vetëm duke u bazuar në vlerat dhe parimet e BE-së, si dhe njohjen e ndërsjellë dhe reciprocitetin brenda marrëdhënieve tona mund të kemi paqe dhe stabilitet afatgjatë.

Stephen Sackur: Kryeministër, BE-ja ju ka bërë thirrje që të trajtoni minoritetin serb në Kosovë me respekt dhe t’ju ofroni barazi më të madhe. Nëse e shikojmë gamën e gjerë të raporteve të pavarura për të drejtat e njeriut, mund të shohim vazhdimisht temën që serbët të cilët jetojnë në Kosovë janë të përjashtuar nga ekonomia, nuk trajtohen drejtë nga sistemi gjyqësor dhe detyrohen të qëndrojnë brenda enklavave të vogla të tyre. A jeni i gatshëm të thoni se ju do të ofroni një marrëveshje më të mirë, më të drejtë për serbët që jetojnë në territorin tuaj?

Kryeministri Kurti: Këto deklarime nuk qëndrojnë. Serbët në Kosovë përbëjnë rreth 5 deri në 6 për qind të popullsisë. Ata nuk diskriminohen. Gjërat që Serbia mundohet të imponojë mbi shtetësinë e Kosovës dhe rendin tonë kushtetues nuk janë dëshira apo vullneti i serbëve të Kosovës, por shprehje e aspiratave hegjemoniste të Serbisë. Kurrë asnjë serb në Kosovë nuk ka protestuar që nuk u zbatua Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë. Gjithmonë ishte Beogradi që zemërohej. Në vitin 1991, më 26 prill, 14 komuna me shumicë serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë u bashkuan dhe krijuan asociacionin e tyre. Më 9 janar 1992 ata deklaruan pavarësinë. Më 28 shkurt të vitit 1992, ata e kishin kushtetutën dhe përfundimisht më 14 dhjetor 1995, në Dayton të Ohios, morën njohjen ndërkombëtare. Ata dëshirojnë të përsërisin Bosnjën në Kosovë. Unë nuk do të lejoj një gjë të tillë, qoftë nga opozita apo nga pozita e pushtetit. Për këtë arsye edhe më ka votuar populli – që të parandaloj bosnjëzimin e Kosovës. Unë besoj që me programin tonë do t`i ndihmojmë serbëve po aq sa shqiptarëve. Nëse i pyet serbët në Kosovë se cilat janë ankesat apo kërkesat e tyre kryesore, ata do të thonë vendet e punës dhe drejtësia. Por është Beogradi që dëshiron të ketë një shtet brenda shtetit. Një shtet të Serbisë brenda Kosovës së pavarur.

Stephen Sackur: Nëse mund të thuhet se ekziston një zgjidhje e dukshme e kësaj – zgjidhje që e kishte parë edhe ish-Presidenti Thaçi – që ishte dakorduar për shkëmbime të vogla dhe të kufizuara territoriale me Serbinë. Pra, minoriteti serb do të mund të bashkohet me shtetin e tyre dhe ju mund të kompensoheni me shkëmbim të tokave. Kjo sigurisht se do të përfundonte armiqësitë. A jeni i gatshëm, sikur që ishte ish-Presidenti Thaçi, që të negocioni mbi këtë bazë?

Kryeministri Kurti: Natyrisht që jo. Unë dua që dialogu të jetë për të drejtat dhe nevojat e qytetarëve dhe jo për shkëmbimin territorial. Është në natyrën e autokratëve që të mendojnë se mund të shkëmbejnë territoret sikur të ishte prona e tyre. Ne nuk jemi në kohën e mesjetës, me monarkë të cilët e konsiderojnë territorin e shtetit si tokë të babës apo monarkut, dhe njerëzit si familja e atij që udhëheq. Ne jemi një republikë demokratike dhe nuk do të ketë zgjidhje të tilla në tavolinë. Kjo është edhe arsyeja që unë kam fituar zgjedhjet, sepse populli i Kosovës nuk e dëshiron një gjë të tillë. Mendoj që madje as Serbët nuk e duan një gjë të tillë. Këtë e dëshiron vetëm presidenti i Serbisë. Tani, meqenëse unë jam në pushtet, ai nuk e përmend më demarkacionin me shqiptarët dhe zgjidhjet territoriale, por dëshiron të ketë një bosnjëzim të Kosovës në formën e një entiteti autonom serb brenda Republikës sonë, në mënyrë që të na bëjë një shtet jo-funksional dhe të dështuar. Kjo nuk ka për të ndodhur.

Stephen Sackur: Problemi z. Kryeministër është që përderisa ekziston kjo gjendje pezull për Kosovën, e pas të gjithave ka 13 vite e më shumë që keni shtetësinë e që gjysma e botës nuk ua njeh, përfshirë edhe 5 shtete anëtare të Bashkimit Evropian, problemi është që përderisa ekziston kjo armiqësi me Serbinë, gjendja pezull do të vazhdojë. Po pyesja veten nëse jeni duke i ofruar popullit tuaj një të ardhme më të ndritshme?

Kryeministri Kurti: Ne jemi duke avancuar në sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit dhe zhvillimin socio-ekonomik pavarësisht problemit me Serbinë. Kjo është edhe arsyeja që Presidenti i Serbisë është në panik. Për shkak të progresit tonë ai është në panik dhe tani dëshiron një zgjidhje të shpejtë, sikur synonte me paraardhësit e mi. Por të mos harrojmë, nga 27 shtete anëtare të BE-së 22 na njohin. Pra, vetëm pesë nuk na njohin, por shumica dërmuese na njohin. Pastaj, nga 30 shtete anëtare të NATO-s, 26 na njohin. Ne kemi një njohje masive nga bota demokratike. Natyrisht, nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, Federata Ruse dhe Kina nuk na njohin, por Britania e Madhe, Franca dhe SHBA-ja na njohin. Pra, le të shohim anën pozitive dhe kush janë ata që nuk na njohin.

Stephen Sackur: Prisni vetëm pak, ju nuk keni pse të më bindni mua Kryeministër, ju duhet të bindni njerëzit tuaj dhe njerëzit tuaj e shohin që tani ju keni një problem të madh me BE-në. Ju nuk po mundeni të merrni liberalizimin e vizave për shkak që BE-ja është shumë skeptike lidhur me ekonominë tuaj, migracionin e mundshëm dhe Presidenti i Francës, Macron, e ka bërë të qartë se ai nuk e ka ndërmend të lejojë Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor të bëhen anëtarë të plotë të Bashkimit Evropian. Kështu që dëshira juaj për një marrëdhënie më të ngushtë me Evropën ka ngecur.

Kryeministri Kurti: Mirë, BE-ja na ka ndihmuar shumë në këto vite me fonde të ndryshme në të gjitha aspektet, dhe ne mezi presim që një ditë të bëhemi pjesë e BE-së. Nuk është e drejtë që ne nuk e kemi marrë liberalizimin e vizave ende, gjegjësisht në korrik të këtij viti janë bërë tre vjet qëkur Komisioni Evropian rekomandoi për herë të dytë që ne duhet të marrim liberalizimin e vizave, por kjo nuk ka ndodhur ende. Dhe jo për shkak të BE-së, por për shkak të disa shteteve anëtare të BE-së. Mirëpo, mungesa e besimit në njëfarë mënyrë për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, jo vetëm për Kosovën, nga ana e BE-së, ka të bëjë edhe me mungesën e vetëbesimit të BE-së. Kështu që unë jam kritik ndaj BE-së. Unë dua të anëtarësohem në BE, por nuk u përkas atyre që janë të hidhëruar me BE-në. Mendoj se Evropa është kontinenti të cilit i përkasim dhe BE-ja është fati ynë.

Stephen Sackur: A e keni lexuar raportin e fundit të BE-së të raportit të progresit ose ngecjes së Kosovës në fushat kyçe. Është për keqardhje ku qëndron shteti juaj sa i përket sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe lirive ekonomike. Nuk e di a e keni lexuar raportin, por nëse po, atëherë vendi juaj nuk do të arrijë asnjëherë të zhvillojë marrëdhënie të ngushta me BE-në, nëse nuk ndryshoni rrënjësisht.

Kryeministri Kurti: Natyrisht, ne duam të ndryshojmë. Ne duam të përparojmë dhe do ta bëjmë këtë gjë, dhe kemi nevojë për ndihmën e BE-së. Unë besoj se vlerat e BE-së duhet të rriten në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në vendin tim, por ato nuk mund të bëhen vetvetiu. Ne kemi nevojë për ndihmë nga jashtë, dhe mendoj që do të na ofrohet, por raporti i progresit për këtë vit përfshin gjashtë muaj të qeverisë së kaluar dhe gjashtë muaj të qeverisë tonë. Pra, përfshin një vlerësim të përgjithshëm shumë absurd, por prapëseprapë, në të shënohen edhe përparime të caktuara që kemi bërë. Për shembull, në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Kosova qëndron e para sa i përket shkallës së vaksinimit të popullsisë. Ne kemi arritur që t’i administrojmë 1.6 milion doza. Pra, nga e gjithë popullata mbi 16 vjeç, kemi arritur 55 për qind të tyre t’i vaksinojmë me dy doza dhe 64 për qind me një dozë. Pra, qëndrojmë shumë më mirë se përpara dhe BE-ja e di këtë.

Stephen Sackur: Po, por po e vej veten në këpucët e një të riu nga Kosova, për shembull në pozitën e dikujt që është në të njëzetat e hershme. Ata e shohin shkallën e papunësisë në vendin tuaj për të rinjtë, që është gati 50 për qind. Ata e shohin faktin se mund të kenë një jetë shumë më të mirë nëse shkojnë në Kroaci, ose edhe më të mirë nëse shkojnë në shtetet e BE-së ose në Gjermani, pra vendi juaj ballafaqohet me ikje të trurit të talenteve të rinj. Siç e thash edhe më herët, shteti juaj ka ngecur, dhe nuk jam i sigurt nëse jeni duke i ofruar popullit ndonjë rrugëdalje nga kriza ekonomike dhe ajo e korrupsionit në të cilën jeni.

Kryeministri Kurti: Po tentoj që ta shpjegoj që kemi rritur për një të tretën të ardhurat tatimore, pa e ndryshuar politikën tatimore, politikën fiskale. Pra, njerëzit që ju përmendët që janë të rinj të papunë, na votuan neve. Prandaj jam në pushtet sepse ata janë të pakënaqur. Por kjo nuk do të thotë se ata janë në depresion. Ata janë thjeshtë të pakënaqur dhe tani e kanë qeverinë që kanë dashur gjithmonë. Dhe ne jemi në detyrë qe shtatë muaj, jo shtatë vite, por shtatë muaj, dhe po punojmë mirë. Ne e gjetëm Kosovën me minus 3.1 për qind rritje negative të bruto produktit vendor, dhe tani do të kemi një rritje dyshifrore për herë të parë në Kosovën e pasluftës, gjë që është e paprecedentë në Ballkan. Duhet ta pranoni dhe ta çmoni këtë. Njerëzit janë optimistë dhe kanë shpresë, dhe e kanë me të drejtë.

Stephen Sackur: Kryeministër, simbolet janë të rëndësishme, dhe një simbol kyç që tregon se a është Kosova e përgatitur të luajë sipas rregullave të bashkësisë ndërkombëtare, është nëse jeni gati të pranoni Gjykatën Speciale që është krijuar në Hagë për të gjykuar të dyshuarit për kryerjen e krimeve të luftës në fund të viteve 1990, konkretisht personat që kanë qenë pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me të cilët sigurisht keni qenë të lidhur në fund të viteve 1990. Tani ish-presidenti juaj, Thaçi, aktualisht përballet me akuza. Ju keni thënë se nuk e pranoni legjitimitetin e kësaj gjykate, ndërsa Presidentja juaj që e kemi pasur në Hard Talk, e ka pranuar qartë legjitimitetin e asaj gjykate. Kështu që tani keni mundësinë për të thënë që keni ndryshuar mendje dhe se e pranoni Gjykatën Speciale në Hagë.

Kryeministri Kurti: Shumë gjëra që i kam gjetur si trashëgimi nga paraardhësit e mi, nuk më pëlqejnë. Por ato janë gjëra që kanë ndodhur dhe unë nuk mund të bëj asgjë. Pra, Dhomat e Specializuara, nuk janë sistem transparent i drejtësisë. Ata nuk kanë treguar se janë multietnikë. Pra, kanë marrë vetëm udhëheqës të UÇK-së që janë shqiptarë dhe duket thuajse askush tjetër nuk ka bërë krime si ato të luftës, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Por, mendoj se koha do të tregojë se e vërteta në Kosovë kërkon drejtësi dhe Serbia është ajo që duhet të dënohet. Fatkeqësisht deri më tani me Dhomat e Specializuara nuk e kemi parë ritmin e duhur për të përmbushur viktimat në Kosovë. Pesë vjet më parë u bënë gabime të mëdha, por më duhet të jetoj me to fatkeqësisht.

Stephen Sackur: Nuk jam i sigurt se jeni përgjigjur saktë në pyetjen time. Zotëri Kryeministër është shumë e thjeshtë. Presidentja Osmani më tha: “Ne nuk kemi thënë se do të pranojmë vetëm një pjesë të procesit juridik ndërkombëtar. Ne i pranuam të gjitha. Ne besojmë qartë në drejtësinë ndërkombëtare”. Po ju ftoj të bëni të njëjtin zotim. A do ta pranoni legjitimitetin e Gjykatës Speciale në Hagë, veçanërisht kur bëhet fjalë për gjykimin e ish-presidentit Thaçi?

Kryeministri Kurti: Mendoj se jam përgjigjur tashmë, por mund ta përsëris përgjigjen time: Ne respektojmë drejtësinë ndërkombëtare. Kosova ka pasur UNMIK-un, Kosova kishte misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë – EULEX, ne kishim Tribunalin e Hagës dhe një gjykatë tjetër speciale nuk mendoj se ishte e nevojshme. Por tani ajo është këtu dhe të jem i sinqertë, ata nuk po kërkojnë bashkëpunimin tim që t’u jap mbështetjen time, sepse është gjykatë sui generis, shumë jotransparente, me njërën këmbë në Kosovë dhe tjetrën në Hagë. Pra, është situatë shumë më komplekse me këtë gjykatën e fundit. Besoj se na duhen gjykata normale që do të gjykojnë të gjitha krimet e luftës dhe të paqes pavarësisht përkatësisë etnike të autorëve dhe jo siç është bërë, me një gjykatë të specializuar. Por le të shpresojmë që kjo të korrigjohet në të ardhmen e afërt

Stephen Sackur: Zotëri Kryeministër. Më duhet t’ju bëj një pyetje shumë bazike dhe ajo ka të bëjë me flamuj. Pas jush në ekran shoh një flamur, gjegjësisht flamurin zyrtar shtetëror të Kosovës. Personalisht, mendoj se më shumë preferoni të fotografoheni me flamurin shqiptar pas jush. Pasi ju jeni mjaft të hapur kur thoni se Shqipëria është komb i ndarë në dy shtete dhe besoni se fati i Kosovës është bashkimi me Shqipërinë, si mund të jesh lider i shtetit tënd dhe megjithatë t’i thuash popullit tënd se nuk beson në të ardhmen e shtetit tënd. Për të huajt kjo duket e pabesueshme.

Kryeministri Kurti: Unë besoj në Republikën e Kosovës dhe falë Republikës së Kosovës tani jam kryeministër i Kosovës. Jam këtu për t’i shërbyer Republikës së Kosovës. Por, kur shpallëm pavarësinë mbi 13 vjet më parë, nuk e bëmë këtë kundër Shqipërisë, por si shprehje e çlirimit nga Serbia dhe çlirimi nga Serbia na mundësoi ne si shqiptarë të kthejmë dinjitetin tonë dhe të drejtat tona qytetare dhe njerëzore. Tani, ndaj serbëve të Kosovës, nuk jam para së gjithash shqiptar, jam shtetas i Republikës, por historikisht sa herë që Serbia sulmonte Kosovën, atëherë shqiptarët bashkoheshin gjithmonë, sepse Serbia ishte fuqi e vogël imperialiste, e lidhur ngushtë me Moskën dhe në rajonin tonë ishte më e fuqishmja në shekullin e kaluar. Prandaj edhe identiteti shqiptar është shumë i fortë, jo vetëm për shkak të gjuhës.

Stephen Sackur: Kryeministër, jemi pothuajse në fund të kohës së dedikuar dhe nuk mund të zhytemi shumë në histori. Më duhet vetëm një përgjigje e thjeshtë nga ju. A jeni ende duke argumentuar se duhet ndryshuar Kushtetuta dhe se kosovarët duhet të bëjnë referendum për bashkimin me Shqipërinë. A është ky vizioni juaj për të ardhmen e Kosovës?

Kryeministri Kurti: E konsideroj padrejtësi që nuk ka mundësi të ketë referendum. Referendumi i tillë do të ishte shprehje e lirisë së popullit. Por tani në pozitën që jam, jam zgjedhur për punë dhe drejtësi dhe këtë do ta bëj për shumë vite në vijim. Pavarësia e Kosovës nuk është kundër serbëve dhe pavarësia e Kosovës, para së gjithash është pavarësi nga Serbia dhe jo nga Shqipëria.

Stephen Sackur: Gjatë gjithë karrierës suaj politike ju jeni parë si element turbullues, djaloshi që është i gatshëm të ndërmarrë veprime të drejtpërdrejta, madje edhe të hedhë gaz lotsjellës në parlament. Disa shqetësohen se ju jeni forcë për jostabilitet në Ballkan. Cili është mesazhi juaj për njerëzit që kanë frikë se mund t’i sillni dëme të mëdha vendit tuaj dhe rajonit?

Kryeministri Kurti: Në zgjedhjet e fundit ne kemi marrë 50.8 për qind të votave dhe tre kandidatët kryesorë në listën tonë fituese tani kryesojnë tri institucionet kryesore të Republikës sonë. Stabiliteti politik nuk ka qenë kurrë më i lartë se tani kur një aktivist politik si unë është Kryeministër i Republikës sonë të pavarur.

Stephen Sackur: Kryeministri, Albin Kurti nga Prishtina. Ju falënderoj shumë që ishit pjesë e Hard Talk.

Kryeministri Kurti: Ju faleminderit.

 

Last modified: 5 Nëntor, 2021

Comments are closed.

×