Zyra e Kryeministrit

Inaugurohet Rrjeti Kombëtar për Hulumtim dhe Edukim – KREN

6 Nëntor, 2022

Prizren, 6 nëntor 2022

Kosova sot, është kampione në rajon dhe e krahasueshme me shtetet e zhvilluara të Bashkimit Evropian për shtrirje dhe përdorim të Internetit brezgjerë, kurse synimi ynë është shfrytëzimi sa më i lartë i kësaj infrastrukture digjitale në të gjitha sferat e jetës, me qëllim të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror, kështu u shpreh Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në inaugurimin e Rrjetit Kombëtar për Hulumtim dhe Edukim – KREN.

Në fjalën e tij, kryeministri tha se në programin tonë qeverisës, përmirësimi i mjedisit për kërkime dhe inovacion është identifikuar si një prej fushave për intervenim dhe zhvillim. Duke rikujtuar se në fund të muajit tetor është lansuar zyrtarisht Strategjia e Arsimit 2022-2026, që ka buxhet 82% më të lartë sesa Plani Strategjik i Arsimit 2017-2021, kryeministri theksoi se për herë të parë, digjitalizimi trajtohet si një nga pesë shtyllat dhe objektivat strategjike të arsimit, me një buxhet të dedikuar prej 52 milionë euro.

Ai falënderoi ministrinë e Ekonomisë dhe Bankën Botërore, për mbështetjen e parezervë në realizimin e këtij projekti, që kyçë Kosovën në rrjetin më të madh akademik pan-Evropian GÉANT. Gjithashtu, shprehu mbështetjen tij për Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, dhe të gjithë akterët tjerë relevantë, që në bashkëpunim edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë të punohet në përmirësimin e vazhdueshëm të mjedisit për kërkime dhe inovacion në vendin tonë.

Rrjeti KREN i cili u përurua sot është kontribuues kyç në krijimin e infrastrukturës digjitale për sistemin arsimor dhe do të ndihmojë në zbatimin e politikave për arsim, kërkim dhe inovacion. KREN iu ofron të gjitha Institucioneve të Arsimit të Lartë në Kosovë qasje në infrastrukturë moderne, platforma, softuerë e literaturë moderne, dhe mundësi bashkëpunimi e shkëmbimi njohurish brenda dhe jashtë kufijve të Kosovës.

“Ky rrjet po ashtu do të luajë një rol të rëndësishëm në mbështetjen e institucioneve arsimore e kërkimore, hulumtuesve dhe palëve të tjera të interesuara nga Kosova; për aplikim e qasje më të lehtë në fondet e programeve të Bashkimit Evropian, aty ku Kosova është anëtare si për shembull në Horizon Europe, Erasmus+, e së shpejti edhe Digital Europe”, deklaroi kryeministri Kurti në fjalën e tij.

Në këtë ngjarje, kryeministri Kurti u shoqërua nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

Pas inaugurimit, kryeministri Kurti pa nga afër demonstrimin praktik të dhomave të punës në të cilat janë të lidhura gjithsej 28 njësi universitare dhe mundësitë që në të ardhmen të lidhen edhe njësi tjera siç janë institutet dhe shkollat në vend.

Para një muaji e gjysmë u inaugurua Sistemin Nacional për Monitorimin e Spektrit Frekuencor (SNMS), dhe së shpejti do të realizohet edhe lidhja e fshatit të fundit në vendin me infrastrukturë fikse brezgjerë. Së bashku me krijimin e rrjetit KREN, këto aktivitete janë në kuadër të projektit të Ekonomisë Digjitale të Kosovës – KODE, të realizuar nga Ministria e Ekonomisë.

Fjala e plotë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti

E nderuara Ministre Rizvanolli,
E nderuara Ministre Nagavci,
I nderuari Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën, z. Massimiliano Paolucci,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, Haxhi Avdyli, Artan Abrashi, Arbër Rexhaj,
Të nderuar përfaqësues të ITP-së dhe të GIZ-it,Të nderuar përfaqësues të GÉANT-it,
Të nderuar përfaqësues të Universiteteve,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar pjesëmarrës,

Ne sot po kurorëzojmë një sukses të radhës – krijimin e Rrjetit Kombëtar për Hulumtim dhe Edukim – KREN.

Para një muaji e gjysmë e kemi inauguruar Sistemin Nacional për Monitorimin e Spektrit Frekuencor (SNMS), dhe së shpejti do të festojmë edhe lidhjen e fshatit të fundit në vendin tonë me infrastrukturë fikse brezgjerë. Së bashku me krijimin e rrjetit KREN, janë aktivitete në kuadër të projektit të Ekonomisë Digjitale të Kosovës – KODE, të realizuar nga Ministria e Ekonomisë.

Kosova sot, është kampione në rajon dhe e krahasueshme me shtetet e zhvilluara të Bashkimit Evropian për shtrirje dhe përdorim të Internetit brezgjerë. Synimi ynë është shfrytëzimi sa më i lartë i kësaj infrastrukture digjitale në të gjitha sferat e jetës, me qëllim të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror. Në veçanti jemi të përkushtuar që kjo infrastrukturë të shfrytëzohet për konsumim të shërbimeve elektronike qeveritare nga qytetarët, nga bizneset tona, shërbime të cilat janë duke u zhvilluar e shtuar në vazhdimësi. Kështu, pas lansimit të pagesave elektronike për shërbimet qeveritare, certifikatave të digjitalizuara të gjendjes civile dhe digjitalizimit të vazhdimit të regjistrimit të veturave, para 2 javëve lansuam edhe certifikatën e digjitalizuar të pronës.

Në programin tonë qeverisës, përmirësimi i mjedisit për kërkime dhe inovacion është identifikuar si një prej fushave për intervenim dhe zhvillim. Arsimi cilësor është parakusht për këtë, edhe për zhvillim të gjithmbarshëm e të qëndrueshëm të vendit tonë. Në fund të muajit tetor ne kemi lansuar zyrtarisht Strategjinë e Arsimit 2022-2026, e cila ka buxhet 82% më të lartë sesa Plani Strategjik i Arsimit 2017-2021. Për herë të parë, digjitalizimi trajtohet si një nga pesë shtyllat dhe objektivat strategjike të arsimit, me një buxhet të dedikuar prej 52 milionë eurove. Kjo shtyllë mbulon në mënyrë gjithëpërfshirëse digjitalizimin në arsim, duke filluar nga infrastruktura digjitale nëpër shkolla, pastaj digjitalizimi i proceseve dhe sistemeve arsimore, krijimi i materialeve mësimore digjitale, e deri te zhvillimi i aftësive digjitale për mësuesit dhe palët e tjera të cilët janë të përfshira në sistemin arsimor.

Rrjeti KREN të cilin po e përurojmë sot është kontribues kyç në krijimin e infrastrukturës digjitale për sistemin arsimor dhe do të ndihmojë në zbatimin e politikave për arsim, kërkim dhe inovacion. KREN tanimë iu ofron të gjitha Institucioneve të Arsimit të Lartë në Kosovë qasje në infrastrukturë moderne, platforma, softuerë e literaturë moderne, dhe mundësi bashkëpunimi e shkëmbimi njohurish brenda dhe jashtë kufijve të Kosovës.

Me realizimin e KREN, Kosova është kyçur në rrjetin më të madh akademik pan-Evropian GÉANT. Kjo u mundëson hulumtuesve tanë të kenë qasje në resurse të ndryshme shkencore e bashkëpunim me hulumtuesit e tjerë, kolegët e tyre nga shtetet tjera që janë po ashtu pjesë e këtij rrjeti.

KREN-i do të luaj një rol të rëndësishëm në mbështetjen e institucioneve arsimore e kërkimore, hulumtuesve dhe palëve të tjera të interesuara nga Kosova; për aplikim e qasje më të lehtë në fondet e programeve të Bashkimit Evropian, aty ku Kosova është anëtare si për shembull në Horizon Europe, Erasmus+, e së shpejti edhe në Digital Europe.

Është e rëndësishme që qendra e të dhënave e rrjetit KREN të cilin po e përurojmë sot, është e vendosur pikërisht këtu, në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve, pra në ITP në Prizren. Qeveria jonë në bashkëpunim me qeverinë gjermane, jemi duke investuar në zhvillimin e ITP-së, me përkushtimin që ajo të bëhet një prej platformave kryesore të ekosistemit të inovacionit në vendin tonë. Andaj prezenca e KREN-it në ITP, i kontribuon edhe zhvillimit të misionit dhe objektivave të ITP-së.

Unë do të doja të falënderoj në mënyrë të veçantë Ministrinë e Ekonomisë dhe partnerin tonë Bankën Botërore, për mbështetjen e pa rezervë në realizmin e këtij projekti të rëndësishëm të zhvillimit të rrjetit KREN, në kuadër të projektit të gjithmbarshëm të Ekonomisë Digjitale të Kosovës – KODE.

Si Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju siguroj që do të mbështes Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, dhe të gjithë akterët tjerë relevantë, që në bashkëpunim edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë të punojmë në përmirësimin e vazhdueshëm të mjedisit për kërkime dhe inovacion në vendin tonë.

Ju falënderoj të gjithëve për punën dhe përkushtimin tuaj e ju uroj suksese të vazhdueshme.

 

 

 

Last modified: 6 Nëntor, 2022

Comments are closed.

×