Zyra e Kryeministrit

Fjalimi i Zëvendëskryeministres Edita Tahiri, në konferencën ndërkombëtare “ Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë 2011 – Rezultatet përfundimtare”

21 Shtator, 2012

Prishtinë, 21 shtator 2012

 

I nderuar Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Z. Krasniqi;
Të nderuar pjesëmarrës të kësaj konference, ministra dhe përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës;
Të nderuar përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, e ambasadave,
 z. PieterEveraers,
z. Samuel Zhbogar,
 miq ndërkombëtarë e mysafirë të nderuar,

Zonja dhe Zotërinj

Është një kënaqësi e veçantë për mua, që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës t’iu dëshirojë mirëseardhje në këtë konferencë të rëndësishme ndërkombëtare për shpalljen zyrtare të rezultateve përfundimtare të Regjistrimit të Popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, që u mbajt në vitin 2011.

Për shtetin tonë ri kjo është një ngjarje historike sepse pas tridhjetë vitesh, Republika e Kosovës tashmë ka prodhuar të dhënat zyrtare për popullsinë e sajë, ekonomitë familjare dhe banesat, duke krijuar kështu një pasqyrë gjithëpërfshirëse për numrin dhe kushtet shoqërore e jetësore të popullsisë sonë.

Qeveria e Kosovës e konsideron këtë regjistrim si projekt me rëndësi kapitale, si një faktor esencial në planifikimin e politikave zhvillimore dhe marrjen e vendimeve të drejta për një të ardhme më të mirë për shtetin tonë dhe qytetarët e sajë.

Rëndësia e këtyre të dhënave është shumëdimensionale; ato do të kenë ndikime pozitive në shumë fusha të zhvillimit, në ekonomi, arsim, demografi, studime shkencore, zhvillimin e komunave e fusha tjera, sepse mundësojnë analiza dhe planifikime të bazuara në shifra të sakta socio-ekonomike, që i kanë munguar shtetit tonë për një kohë të gjatë.

Rezultatet finale të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë, që do të publikohen sot, janë fryt i një pune dhe procesi shumëvjeçarë, në të cilën kanë punuar me përkushtim e kompetencë shumë institucione vendore dhe ndërkombëtare.

Qëllimi jonë si Qeveri e Kosovës ka qenë që projekti i regjistrimit të realizohet me profesionalizëm të lartë dhe sipas standardeve ndërkombëtare, të jetë i kredibil në aspektin nacional dhe ndërkombëtar, dhe këtë qëllim e kemi arritur me sukses.

Andaj, dua të falënderoj të gjitha institucionet kompetente vendore dhe ndërkombëtare, që kanë kontribuar në realizimin e suksesshëm të këtij projekti. Në veçanti vlerësojmë punën e ASK-së dhe të Zyres për Regjistrim si bartëse të këtij projekti e cila me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë realizoi punën e vet. Po ashtu, dua ta falënderoj Organizatën Ndërkombëtare për Monitorim (IMO) dhe veçanërisht zotin Pieter Everaers të cilët i dhanë një mbështetje të fuqishme këtij procesi. Falënderojmë zyrën Bashkimit Evropiane në Kosovë, EUROSTAT-in, donatorët me të cilët së bashku krijuan fondin e mirëbesimit, Komisionin Europian, Suedinë/SIDA, Mbretërinë e Bashkuar/DFID, Zvicrën/Swiss Development,  Danimarkën/Danida  and Luksemburgun, si edhe UNOPS-in, EUCEP-in dhe  gjithë stafin vendor dhe ndërkombëtar, që ishin së bashku me ne në këtë rrugëtim shumëvjeçar për arritjen e këtij qëllimi madhor. 

Regjistrimi i Popullsisë ka matur realitetin dhe ofron një pasqyrë reale të gjendjes së përgjithshme në Kosovë. Ekzistimi i këtyre të dhënave do të ofrojë mundësi për neve si Qeveri, por edhe për organizatat e tjera për një planifikim shumë më të drejt për zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës.

Rezultatet e Regjistrimit të Popullsisë ofrojnë një pasqyrë më të saktë për nivelin dhe profilin e arsimimit të popullatës, shkallën e integrimit digjital të shoqërisë, që do të na ndihmon në një planifikim të koordinuar me nevojat e ekonomisë së Kosovës, duke rezultuar në rritjen ekonomike dhe rritjen e mundësive për punësim.
Po ashtu, të dhënat që kanë të bëjnë me energjinë, ambientin, ujin, apo telekomunikacionin do të ndihmojnë që të krijojmë prioritetet qeveritare për investim në këto fusha.

Të dhënat për banimin dhe numrin e popullsisë do t’u ndihmojnë komunave në planifikimin, përpilimin dhe zbatimin e politikave adekuate publike dhe të planeve të tyre urbanistike.

Këto të dhëna do të jenë një ndihmë e vërtetë edhe për joshjen e investimeve të huaja dhe për donatorët e ndryshëm ndërkombëtarë, të cilët në vendimet e tyre marrin për bazë shifrat socio-ekonomik, të cilat sigurohen vetëm me një regjistrim të besueshëm, çfarë është edhe Regjistrimi ynë.

Me fjalë të tjera, të dhënat e dala nga Regjistrimi i Popullsisë janë një thesar shumë i çmueshëm për Kosovën dhe duhet të trajtohen si të tilla.

Duhet të them, se fakti që këto të dhëna janë pranuar si të sakta nga të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare, mua dhe Qeverinë e Kosovës na bën që të ndihemi edhe më krenar për finalizimin e suksesshëm të këtij procesi.

Ne krenohemi edhe më shumë, duke marrë parasysh se ky proces, i finalizuar me sukses, e afron Kosovën edhe një hap më afër integrimeve evropiane dhe është një faktor i rëndësishëm në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian.

Për fund, duke ju falënderuar edhe një herë për vëmendjen, ju dëshiroj sukses dhe shfrytëzim sa më efektiv të kësaj pasurie kombëtare.

Ju faleminderit!

 

Last modified: 21 Shtator, 2012

Comments are closed.

×