Zyra e Kryeministrit

Fjalimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara

4 Dhjetor, 2014

Prishtinë, 4 dhjetor 2014
 
Fjalimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara

 
I nderuar Kryesues i Këshillit të Sigurimit
I ndëruar Përfaqësues i Sekretarit Gjeneral të OKB-së
Të nderuar Ambasadorë të Shteteve anëtarë të Këshillit të Sigurimit
Zonja dhe zotërinjë;

 
Më lejoni që fillimisht të shprehi kënaqësin time për këtë mundësi që t’iu drejtohem në këtë fundvit për të iu informuar rreth progresit të arritur në Kosovë në muajt e fundit dhe sfidat qe kemi përpara.
 
Viti 2014 është vit që shënon 15 vjetorin e përfundimit të luftës në Kosovë që menjëhërë u pasua nga protektorati i  OKB-së.
 
15 vite duken shumë, por në krahasim me shumë konflikte të ngrira që rëndojnë marrëdhëniet ndërkombëtare në të gjitha kontinentet, besoj se lirisht mund të konkludojmë së bashku se OKB në Kosovë ka pasur një nga misionet më të suksesshme të historisë së saj pikërisht në Kosovë.
 
Kosova është sot një vend i lirë, me demokraci të qëndrueshme, me një ekonomi në rritje, me kushtetutë dhe ligje moderne, që garantojnë të drejtat e gjithë qytetarëve, e në veçanti të minoriteteve dhe që ka një decentralizimin të mirëfilltë të pushtetit.
 
Kosova tashmë ka hyrë edhe formalisht në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, duke iniciuar nënshkrimin e Marrëveshjës së Stabilizim Asociimit dhe një gjë e tillë është konsideruar shumë e vështirë vetëm disa vite më parë.
 
Mirëpo, falë dialogut me Serbinë dhe Marrëveshjes historike të Brukselit, Kosova është transformuar nga një importuese e resurseve të sigurisë në një eksportuese të iniciativave globale për paqe dhe tolerancë.
 
Më këtë rast, dua të falënderoj BE-në, SHBA-të, por edhe fqinjtë tanë në Serbi për një guxim dhe përkushtimndaj së ardhmes së fëmijëve tanë kur vendosëm të normalizojmë marrëdhëniet në mes dy vendeve tona dhe kur vendosëm të shikojmë kah e ardhmja e dy shteteve si fqinjë që synojnë idealet e familjes së kombeve Euro-Atlantike.
 
Ju jeni të vetëdijshëm që në shumë e shumë takime këtu në Këshill të Sigurimit të OKB-së, veriu i Kosovës ka qenë një pikë permanente e krizës dhe brengës për një mundësi të eskalimit dhe për një paqartësi të asaj se cili është lgji dhe cila është Kushtetuta që zbatohet atje.
 
Jemi të vetëdijshëm që qytetarët serbë të Kosovës kanë pasur frikë dhe mosbesim ndaj Qeverisë së Kosovës për shkak të gjithë asaj që ka ndodhur me dekada të tëra.

Por, më lejoni poashtu të ju them se ky vit ishte viti i cementimit të integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
 
Pjesëmarrja e serbëve të veriut për herë të parë në zgjedhje nacionale të organizuara sipas ligjeve të Kosovës dhe pjesëmarrja e lidershipit serb në negociata për krijim të institucioneve pas zgjedhjeve të qershorit është një ogur i mirë dhe një shprsë e madhe që edhe ky kapitull i dhimbshëm ka filluar të zgjidhet sipas dëshirës së popullit të Kosovës, sepse shqiptarë, serbë dhe të tjerë – që të gjithë ndajnë ëndërrat e njejta, shpresat e njejta dhe të drejtat e njejta për një të ardhme të sigurtë, me fokus kah ekonomia dhe krijimi i vendeve të reja të punës.
 
Qytetarët e Kosovës, qofshin ata shqiptarë, serbë, malazezë, boshnjakë, turqë apo romë, tani më nuk u interesojnë fjalimet nacionaliste apo ëndërrat e vjetra etnike.
 
Ata duan punë, duan progres dhe duan të shohin paqe pas dekadave të diskriminimit, luftës dhe pasigurisë.
 
Prandaj, viti 2014 do të shënohet në historinë moderne të Kosovës si viti kur i tërë territori i Kosovës, si veriu ashtu edhe jugu, morën pjesë në proces demokratik dhe bashkëpunuan të krijojnë institucione që kanë për obligim të reflektojnë dhe punojnë për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.
 
Falënderoj Misionin e OSBE-së, OKB-në, BE-në, SHBA-të dhe organizatat e shoqërisë civile që na ndihmuan të organizojmë zgjedhje të shkelqyeshme me standardet më të larta demokratike më 8 qërshor dhe me përfshirje të të gjitha komuniteteve kosovare.
 
I nderuar kryesues,
Ambasadorë;
Zonja dhe zotërinjë;

 
Janë pesë zhvillime kryesore që dua t’i potencoj në këtë paraqitje time para jush në emër të Republikës së Kosovës që dëshmojnë se ju të gjithë, së bashku me neve, mund të jeni krenarë për suksesin e përbashkët në Kosovë.
 
–        E para, siç e potencova edhe më herët, Kosova organizoi brenda 6 muajve dy palë zgjedhje të suksesshme, si ato lokale në fund të vitit 2013 ashtu edhe ato nacionale në qershor të 2014.
 
Këto zgjedhje u vlerësuan të lira, mirë të organizuara, transparente dhe demokratike nga vëzhgues ndërkombëtar.
 
Këto zgjedhje sollën edhe zgjedhjen e kryetarëve serbë në veri që tani janë të integruar në sistemin ligjor kosovar dhe mbi të gjitha gëzojnë legjitimitetin e gjithë komunitetit që jeton në veri por që janë të pranueshëm edhe nga popullata në veri.
 
Në zgjedhje nacionale rezultati ishte edhe më i mirë sepse kishte pjesëmarrje të lartë, dhe gjithashtu gjithëpërfshirje në tërë tërritorin e Kosovës.
 
Pra, Kosova tashmë mund të quhet si një demokraci e konsoliduar dhe e aftë që krejtësisht e pavarur të organizon dhe respekton rezultatet zgjedhore.
 
–        E dyta, pas zgjedhjeve nacionale të 8 qershorit kemi pasur një bllokadë politike e cila asnjëherë nuk u shndërrua në krizë të dhunshme.
 
Kështu përderisa ka ndodhur që të ketë protesta të dhunshme në shtetet fqinje, dhunë policore dhe delegjitimim të institucioneve të pavarura si gjykatat supreme dhe kushtetuese, Kosova e dëshmoi se pavarësisht a jemi në opozitë apo qeveri, pavarësisht se a jemi shumicë a pakicë, klasa politike e Kosovës e respekton Kushtetutën, e respekton ligjin, i respekton vendimet e gjykatës Kushtetuese dhe e respekton presidenten e vendit, zonjën Atifete Jahjaga, përndryshe gruaja e parë presidente në tërë Ballkanin – edhe kjo është një shenjë e emancipimit politik të Kosovës.
 
Ne patëm mosmarrveshje gjatë muajve pas zgjedhjeve. Nuk arritëm të gjenim gjuhë të përbashkët midis partisë fituese dhe një pjese të opozitës.
 
Kishim momente të pasigurisë, por këto momente asnjëherë nuk krijuan moment të dhunës apo moment të rrezikimit të qëllimit tonë të përbashkët që të jemi anëtarë të BE-së dhe NATO-s në të ardhmen.
 
Tani, me kënaqësi të veçantë mund të iu konfirmoj se duke respektuar vullnetin e qytetarëve të Kosovës, vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe falë rolit lehtësues të Presidentes së Republikës së Kosovës, dy partitë më të mëdha, partia fituese – Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje së bashku me të gjitha minoritete. dhe ju konfirmoj që javën e ardhshme do të krijohen institucionet e reja të Republikës së Kosovës
 
Posaçërisht e rëndësishme është se ky koalicion është arritur nga vetë partitë kosovare, pa ndërhyrje nga jashtë, që është një e arritur e madhe nëse e krahasojmë me periudhën e protektoratit të OKB apo në fillet e pavarësisë, ku bashkësia ndërkombëtare ka luajtur një rol aktiv në krijim të institucioneve.
 
Por tani më në fund kemi një proces dhe rezultat vendor dhe jemi krenar që Kosova ka kaluar edhe një test të pjekurisë politike.
 
–        Pika e tretë është se stabiliteti politik është projektuar edhe në suksese të Kosovës në planin ndërkombëtar.
 
Përkundër faktit që ky vit ishte tranzitor dhe pat zgjedhje si tek partnerët tanë në dialog Serbia, ashtu edhe në Parlament Evropian dhe u ndërruan edhe komisionerët e BE-së ndërsa patëm zgjedhje edhe në Kosovë, njohja ndërkombëtare e Kosovës si një element i pamohueshëm i arkitekturës ballkanike politike, nuk u ndërpre.
 
Me këtë rast, dua të falënderoj Tongën, Togon, Lesothon dhe Ishujt Solomon që njohën pavarësinë e Kosovës, duke sjellur numrin e njohjeve të Kosovës në 108.
 
Kosova u bë edhe anëtare e Komisionit të Venedikut të Këshillit Europian dhe organizatave të shumta rajonale.
 
Edhe dialogu me Serbinë nuk u ndërpre. Në nivelin teknik arritëm shumë suksese në normalizim të marrëdhënieve, edhepse duhet të jem i sinqertë, ende kemi shumë për të bërë.
 
Serbia ka nënshkruar një marrëveshje me Kosovën, që garanton normalizim të marrëdhënieve, por ka ende shumë rezistencë që kjo marrëveshje të realizohet në tërësi.
 
Unë edhe sot dua të rikonfirmoj se Republika e Kosovës do të implementon çdo obligim që kemi marrë për të integruar minoritetin serb.
 
Unë shpesh takohem me liderët serbë të veriut dhe ne presim që ata të marrin përgjegjësi reale në qeverinë e re.
 
Por, gjithashtu pres nga Serbia që të kthen faqen e re përfundimisht dhe të ketë një sjellje moderne dhe evropiane ndaj Kosovës.
 
Them kështu, sepse ende ka tendencë të bllokadës së Kosovës dhe pengimit të Kosovës në arenën ndërkombëtarë, gjë që nuk ndihmon as Serbinë dhe as Kosovën.
 
Më lejoni që me një krenari të posaçme të ju njoftoj që Kosova poashtu u bë anëtare e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.
 
Të rinjtë Kosovarë, duke filluar nga kampionja e botës në xhudo Majlinda Kelmendi, e deri tek mijëra të rinjë që ëndërruan për ta përfaqësuar Republikën e Kosovës, duke valuar me krenari flamurin e sajë  tandi do të kenë mundësi të garojnë kudo në botë si të barabartë me sportistët tjerë.
 
Paramendoni që vetëm 6 vite pasi që Kosova u bë shtet i pavarur, ne tashmë jemi pjesë e familjes olimpike dhe do ta kemi flamurin e Kosovës në Olimpiadën e Rios.
 
Me theks të veçantë, në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saja, dua t’i falenderoj këtu të gjithë shtetet anëtare të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë për mbështetjen e madhe të cilët në nëntorin që lam pas, gjatë Samitit të zhvilluar në Senegal, në mënyrë unanime bënë të mundur pranimin e Kosovës në familjen e madhe frankofone, në cilësinë e shtetit vëzhgues. Përmes anëtarësimit në Frankofoni, Kosova do të reflektojë vlerat e saja kulturore, standardet dhe praktikat më të mira të bashkëpunimit ndërkombëtar.
 
–        Pika e katërt është e ndërlidhur me zhvillimet globale dhe rolin përkatës së Kosovës.
 
Lufta globale kundër terrorizmit, por edhe shpërndarja e radikalizmit fetar ka prekur edhe Kosovën njësoj sikur shumicën e shteteve të botës.
 
Ka grupe margjinale edhe tek ne, sikurse në të gjitha shtetet europiane, që po rekrutojnë dhe avokojnë për pjesëmarrje të Kosovarëve në Siri dhe Irak në anën e ISIS.
Ky fenomen është shqetësues, por Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm që tendencat e tilla kurrë mos të realizohen.
 
Kemi arrestuar disa dhjetëra luftëtarë të dyshimtë por edhe inspirues – përfshirë imamë që nxisin urrejtje.
 
Tanimë kemi përgatitur Ligjin kundër pjesëmarrjes së kosovarëve në luftëra të huaja dhe jemi duke punuar aktivisht në promovimin e Kosovës si platformë të dialogut global për tolerancë ndërfetare. Falënderoj Sekretarin Gjeneral Ban Ki Moon, por edhe Departamentin e Shtetit Ameriakn që në raportet e tyre këtë vit kanë vlerësuar rolin e Kosovës në promovimin e tolerancës ndërfetare.
 
Kosova është shembull i paqebërjes dhe ndërtimit të demokracisë së mirëfilltë pas gjenocidit dhe luftës.
 
Por, jam i vetëdijshëm dhe i dënoj ashpër sulmet e herë pas hershme ndaj Kishes Ortodokse Serbe.
 
Peshkopi Teodosije dhe priftërinjtë serbë janë pjesë esenciale e Kosovës dhe kishat serbe janë bazë e rëndësishme e trashëgimisë sonë të prbashkët, por më lejoni të ju them që jo çdo incident që raportohet këtu para jush ka konotacione fetare apo etnike.
 
Shpesh janë akte vandale nga provokatorët apo akte sulmi me arsye ekonomike. Në Kosovë ka më pak incidente ndërfetare se sa në shmë shtete fqinje.
 
Unë e di se Kosova nuk do të jetë e lirë 100% nëse të gjithë qytetarët nuk janë të lirë të flasin lirshëm, të lëvizin pa frikë dhe të praktikojnë fenë lirisht.
 
Ju premtoj sot këtu se Kosova është e lirë dhe do të jetë e lirë.
 
–        Pika e fundit që do ta diskutoja me juve sot – dhe ju falënderoj për durimin dhe interesim që keni shprehur të merrni pjesë në këtë diskutim sot – është përkushtimi ynë në projektet e së ardhmes.
 
Kosova ka shënuar sukses fenomenal në indeksin e Bankës Botërore në lehtësirat e të bërit biznes.
 
Kosova është shteti me rritjen më të madhe ekonomike në tërë Europën Juglindore në 6 vitet e fundit – me rritje mesatare prej 4.5%.
 
Kosova është shteti me borxhin më të vogël publik në tërë Ballkanin që nuk kalon 10% të Bruto Prodhimit Vendor. Kosova është një vend me më së shumti lidhje interneti në tërë Ballkanin.
 
Afër 90% e popullatës ka qasje në internet të shpejtë, rezultat kjo i demograsië sonë të re, por edhe diasporës dhe nevojës që të jemi në kontakt me familjen tonë.
 
Tani më jemi në fazën përfundimtare të sjelljes së investitorëve të huaj në turizëm, energjetikë, ndërsa për 8 vite kemi ndërtuar 1500 kilometra rrugë dhe autostradë, si dhe 120 shkolla.
 
Pra, imazhi i vjetër që keni për Kosovën ka ndryshuar dhe po ndryshon çdo ditë. Në diplomaci digjitale, në kulturë dhe sport, në paqëberje kemi treguar inovacion dhe vizion.
 
Megjithatë, ende kemi shumë sfida para nesh. Ne do te themelojme Gjykaten Speciale tëe Kosoves për zbardhjen e së vërtetës mbi dyshimet e ngritura për krime lufte. Kosova beson ne drejtësi.
 
Po punojmë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
 
Këto sfida kanë edhe elementin rajonal të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informatave.
 
Prandaj, ju lus që nga ju sot të njihet progresi i Kosovës dhe gatishmëria e jonë për tu ballafaqur me sfidat e reja.
 
Që Kosova të ketë sukses të plotë dhe të pakthyeshëm, ju sot duhet të konfirmoni progresin e madh që kemi bërë për këto vite që nga koha kur o ndjeri dhe shumë i respektuari Serxho Di Mejllo filloi Misionin e UNMIK-ut në Kosovë.
 
Realiteti i ri kërkon guxim edhe nga ju që të hapim një marrëdhënie te re, krejt normale politike ndërmjet OKB-së dhe Kosovës.
 
Jam i bindur se falë mirëkuptimit tuaj, një gjë e tillë shumë shpejt do të ndodhë dhe se Kosova do të jetë anëtare e barabartë e familjes së Kombeve të Bashkuara.
 
Ju faleminderit për vëmendjen tuaj.

Last modified: 4 Dhjetor, 2014

Comments are closed.

×