Zyra e Kryeministrit

Fjala e Kryeministrit Kurti në mbledhjen e 99-të të Qeverisë

30 Shtator, 2022

Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e 99-të të Qeverisë

Prishtinë, 30 shtator 2022

E nderuara, zëvendëskryeministre Rexhepi,
Të nderuar ministra dhe zëvendësministra,
Të dashur qytetarë,

Për shumë kohë kemi planifikuar e kemi bashkëbiseduar me profesionistë e bashkatdhetarë nga mërgata jonë lidhur me mundësitë e angazhimit të tyre të drejtpërdrejtë në institucionet e Kosovës, për të sjellë kontributin e tyre profesional e akademik përveçse atë të investimeve.

Padyshim që të gjithë jemi të pajtimit në shoqërinë tonë se do të ishte një avantazh i jashtëzakonshëm që të kemi profesionistët nga mërgata jonë në sistemin tonë shëndetësor dhe në atë arsimor.

Për këtë diskutuam dhe vendosëm së fundmi në Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi. Pra, për lehtësimin e procedurave për angazhimin e profesionistëve shëndetësorë nga mërgata.

Për gjithë këto vite ardhja e tyre në Kosovë dhe veçanërisht angazhimi i tyre ka implikuar një seri procedurash e jo rrallë ato edhe e kanë pamundësuar angazhimin e tyre konkret në institucionet shëndetësore.

Pasi janë shqyrtuar hollësitë dhe mënyrat e lehtësimit të angazhimit të tyre në institucionet tona në Kosovë, ne në mbledhjen e sotme kemi për të shqyrtuar dhe miratuar dy nisma të lidhura me profesionistët shëndetësorë nga mërgata jonë dhe nga shqiptarët në rajon, si dhe profesionistët shëndetësorë të huaj.

Më këto dy nisma për herë të parë në Republikën e Kosovës hiqet detyrimi për t’u pajisur me leje të punës të përkohshme për bashkatdhetarët tanë që angazhohen nga institucionet shëndetësore në Kosovë dhe kohëzgjatja e licencës së tyre do të jetë 5 vjeçare. Po ashtu, hiqet çdo taksë administrative për aplikimin lidhur me barasvlerësim të specializimeve e subspecializimeve për licencimin e tyre në ushtrimin e profesionit këtu tek ne.

Për çdo institucion shëndetësor që i drejtohet Ministrisë së Shëndetësisë pas hyrjes në fuqi të vendimit të sotshëm të qeverisë dhe udhëzimit administrativ për profesionistët shëndetësorë të huaj, do të jetë një listë shumë më e shkurtër e procedurave që do të ndiqet dhe gjysmë e kohës së shpenzuar më herët.

Andaj gjej rastin t’u bëj thirrje institucioneve tona shëndetësore në të gjithë sektorin që ta shfrytëzojnë sa më shumë e sa më parë këtë mundësi të jashtëzakonshme që do të na japë si rezultat shërbime më të mira mjekësore dhe padyshim edhe cilësi të re të tyre.

Përgatitja e një profesionisti shëndetësor të gjithë e dimë se merr shumë vite, shumë mund dhe shumë mjete financiare. Ne kemi fatin që përveç të shkolluarve në vendin tonë të kemi edhe shumë burime njerëzore të fushës së mjekësisë në shtetet më të zhvilluara të Evropës por dhe më gjerë.

Shumë prej tyre për shkaqe objektive të shtetit ku punojnë e qëndrojnë e kanë humbur shtetësinë e Kosovës, disa kanë emigruar edhe para viteve të ’90-ta, ndërsa një gjeneratë e tërë ka lindur në shtete të tjera dhe tanimë janë të gatshëm të vijnë për t’u angazhuar në Kosovë. Andaj, ka qenë nevojë e madhe që për të gjithë këta bashkatdhetarë të bëjmë zgjidhje praktike dhe të nxisim angazhimin e tyre masiv në institucionet e vendit tonë.

Kjo na jep një avantazh të rrallë për të kompensuar dhe plotësuar vështirësitë me të cilat po përballet sistemi ynë që prej shumë vitesh.

Për profesionistët shëndetësorë nga Shqipëria me të cilët kemi marrëveshje ndërshtetërore për çështjen e lejeve të qëndrimit në afat 5 vjeçar dhe të çështjes së diplomave universitare, licenca e ushtrimit të profesionit në shëndetësi do ta ketë kohëzgjatjen e lejes së qëndrimit. Pra, sa të qëndrojnë, do të punojnë, apo më saktë sa të qëndrojnë, do të mund të punojnë. Shkëmbimi i profesionistëve shëndetësorë Shqipëri – Kosovë është një nga avantazhet e tjera që ne i kemi dhe që institucionet tona shëndetësore duhet të planifikojnë të angazhojnë.

Për profesionistët e huaj shëndetësorë nga vende të tjera, me udhëzimin e ri administrativ institucionet tona shëndetësore do të kenë rastin t’i angazhojnë me shumë lehtësi për trajnime të stafit të tyre shëndetësorë, dhe licenca e tyre do të zgjasë sa leja e qëndrimit.

Ndërsa është lehtësuar plotësisht angazhimi i profesionistëve shëndetësorë në rastet e jashtëzakonshme dhe emergjente nga vetë Ministri i Shëndetësisë. Kjo paketë lehtësimesh pasohet edhe me angazhimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për të lehtësuar maksimalisht nxjerrjen e dokumenteve personale në ambasadat e konsullatat tona, si dhe bashkëpunimin me Ministrinë e Punëve të Brendshme për avancimin e e-Kosova, dhe shërbimeve e lehtësimeve të tjera për dokumentacionin që u duhet profesionistëve shëndetësorë nga mërgata jonë.

Njëjtë Ministria e Punëve të Brendshme është angazhuar që të marrë masat për lehtësimin dhe koordinimin e të gjitha rasteve që do të vijnë si aplikime nga institucionet shëndetësore për profesionistë të huaj shëndetësorë, për ata të mërgatës dhe për profesionistët shqiptarë nga rajoni.

Në muajt në vijim ne do të shkojmë edhe më tej në rregullimet ligjore që do të krijojnë një mundësi të re për të gjithë profesionistët nga mërgata, që do të duan bashkëpunim me institucionet tona shëndetësore, të angazhohen afatgjatë në Kosovë për dhënien e shërbimeve mjekësore për qytetarët tanë.

Ndërkaq, sot si pikë e parë dhe e dytë e rendit të ditës kemi pra vendimin për heqjen e lejeve të përkohshme të punës për pjesëtarët e diasporës që janë profesionistë shëndetësorë dhe udhëzimin administrativ për licencimin e profesionistëve shëndetësorë.

E ftoj Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçlën ta paraqesë vendimin për heqjen e lejeve të punës për profesionistët shëndetësorë nga mërgata. Ministër e keni fjalën.

 

Last modified: 30 Shtator, 2022

Comments are closed.

×