Zyra e Kryeministrit

Fjala e plotë e kryeministrit Albin Kurti në seancën e Kuvendit, lidhur me takimin e nivelit të lartë politik në Ohër në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi

23 Mars, 2023

Prishtinë, 23 mars 2023

I nderuari kryetar i Kuvendit, z. Glauk Konjufca,
Të nderuar deputetë të Kuvendit, zëvendëskryeministra e ministra të Qeverisë,
Të dashur qytetarë,

Që nga fillimi i mandatit tim jam zotuar ta riformatoj dialogun në një mënyrë të tillë që ta shndërroj atë në një proces të rregullimit të marrëdhënieve ndërkombëtare me Serbinë, pra një dialog ku jemi të barabartë dhe të cilin e karakterizon simetria. Që nga 9 shtatori kur na u prezantua drafti fillestar i Propozimit Franko-Gjerman, kemi hyrë në formatin e ri të dialogut. Kjo gjë u pat paralajmëruar në takimin e 18 gushtit, atëherë kur pika parë e agjendës ishte korniza e përgjithshme e marrëveshjes. E, për herë të parë, që nga fillimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë normalizimi i plotë nuk është pjesë e premtimeve verbale, por i atyre me shkrim. Tuneli është ende i gjatë, por unë besoj që atij po i vije fundi.

Kontinenti ynë është në luftë dhe askush nuk e di se çfarë sjell e ardhmja dhe deri ku do të mund të shkojë kriza botërore. Aleatët tanë kanë vendosur një kornizë me kushte strikte ndaj nesh dhe Serbisë në mënyrë që t’i lejmë prapa dallimet, si prioritet të parë në kontekstin e caktuar, për t’i ndihmuar strategjikisht interesit të tyre për një siguri kolektive dhe paqe të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor, e cila është në linjë me vlerat e NATO-s. Sinqerisht, aleatët tanë duan ta sjellin Serbinë drejt Evropës. Se a do ta arrijnë një gjë të tillë, unë nuk kam shumë shpresë.

Procesi i ri ka sjellë një marrëveshje të re dhe jam plotësisht i bindur se sjell një hapje të re drejt rezultatit përfundimtar. Marrëveshja Bazë për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmban vetëm 11 nene dhe një preambulë dhe aneksi shton 12 pika të tjera. Ia vlente mundimi pasi arritëm diçka të rëndësishme dhe të pakthyeshme.

Marrëveshja Bazë konfirmon se marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës zhvillohen në bazë të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të gjitha të drejtave themelore që karakterizojnë një shtet të konsoliduar ndërkombëtarisht dhe sovran e me integritet territorial. Serbia ka pranuar ta trajtojë Kosovën si anëtare të barabartë të bashkësisë ndërkombëtare. Me marrëveshjen, Serbia është zotuar gjithashtu që të mos kërcënojë me përdorimin e forcës dhe t’u japë fund mosmarrëveshjeve me mjete paqësore.

Ajo e ka pranuar këtë, megjithëse unë ende nuk do t’i besoja plotësisht Serbisë për këtë.
Ajo nuk mund të pretendojë se përfaqëson ndërkombëtarisht shtetin tonë, apo atë që ndodh brenda territorit tonë. Ajo e ka pranuar këtë rregull sjelljeje. Ne të dy do të duhej të jemi të përkushtuar të zhvillojmë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëri-tjetrin, siç thuhet qartë, saktë, tekstualisht në marrëveshje.

Për më tepër, Serbia duhet që të mos kundërshtojë më anëtarësimin tonë në asnjë organizatë ndërkombëtare, apo të bllokojë rrugën tonë drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Duhet të ketë njohje reciproke të dokumenteve dhe simboleve shtetërore përkatëse, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore. Do të shkëmbejmë edhe Misione të Përhershme, në thelb ambasadat me një emër tjetër. Serbia i ka pranuar të gjitha këto më sipër. Kjo natyrisht që është njohje de facto, e vendosur në formë të shkruar dhe me një status të pakthyer tashmë sepse Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë garantorë për përhershmërinë e saj kohore.

E rëndësishme për ne, Palët tani më në fund do të konfirmojnë kushtet e Deklaratës për Personat e Zhdukur ‘me urgjencë’, siç thuhet në tekst. Edhe gjithashtu këtë e ka pranuar Serbia.

Të gjitha këto detyrime tashmë janë në fuqi. Këto detyrime tani sigurohen dhe mbikëqyren nga një Komitet i Përbashkët i kryesuar nga Bashkimi Evropian. Ekziston edhe një mekanizëm detyrues në formën e pasojave negative për shtetin i cili nuk zbaton. Shtetet që bashkëpunojnë do të marrin një nxitje në procesin e tyre përkatës të pranimit në Bashkimin Evropian dhe mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian. Mosrespektimi i detyrimeve do të sjellë të kundërtën.

Duke qenë se nuk ka shkallë të duhur të besimit, do të thosha që ka shkallë të lartë të mos besimit në këto bisedime, zbatimet parashikohen të jetë me hapa të përbashkët, ku të dyja palët do të duhet të shkojnë hap pas hapi. Nuk mund të kemi zbatime të njëanshme të marrëveshjes siç nuk mund të kemi as nënshkrim të njëanshëm të marrëveshjes.

Kosova i ka obligimet e veta ligjore. Unë personalisht kam kundërshtuar disa nga marrëveshjet në të kaluarën dhe vazhdoj të punoj për një rezultat më të mirë, shumë më të mirë. Sepse Kosova meriton dhe i takon shumë më tepër. Në të njëjtën kohë, aleatët tanë na kujtojnë se marrëveshjet janë arritur ndërmjet qeverive në emër të shteteve tona me detyrime të qëndrueshme edhe kur qeveritë ndryshojnë. Nëse duam të trajtohemi si shtet dhe të njihemi si një i tillë, unë nuk mund t’i shmang detyrimet nga traktatet ndërkombëtare që ne lidhim. Por në të njëjtën kohë jam i bindur që tekst më të mirë të marrëveshjes në situatën që jemi nuk ka qenë e mundur të mbërrijmë.
Megjithatë, ato detyrime nga e kaluara janë edhe të përfshira implicit në procesin e dialogut sepse janë ngritur gjatë bisedimeve dhe çdo gjë ne do ta konsiderojmë nga prizma e kushtetutës sonë, e Republikës sonë, e ligjshmërisë sonë dhe e vlerave, e kartave normative, ndërkombëtare në veçanti evropiane.

Çdo gjë që ne bëjmë në këtë drejtim, është standard që tashmë është i pranuar nga çdo demokraci evropiane.

Ne bëmë maksimumin për të përmirësuar situatën dhe ia dolëm që të sigurojmë më shumë hapësirë për ecjen përpara. U bë plotësisht e qartë nga Lehtësuesi apo ndërmjetësuesi i BE-së dhe nga partnerët tanë amerikanë se Kosova nuk do të rëndohet me kurrfarë shtrese tjetër të autoritetit ndërmjet komunave dhe qeverisë së Kosovës, dhe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të largohet nga kufizimet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese dhe kjo është bërë edhe gjatë procesit të dialogut edhe në deklarimet publike. Pra ka dalur qëndrimi i drejtë i kritikës sonë ndaj çfarëdo qëllimi, synimi, kërkese të Serbisë që fatkeqësisht në të kaluarën edhe janë pranuar në Kosovë.

Unë nuk kam ndërmend të kritikoj gjerë e gjatë tash për marrëveshjet e para dhjetë apo tetë vjetëve për këto vendime të kaluara të cilat janë aty, janë në arkivat e Brukselit, janë në arkivat edhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, pasi duhet të shkojmë përtej kësaj duke qenë se është interes i yni shtetëror e kombëtar që duhet të na shohë duke punuar së bashku duke bashkëpunuar. Tani kemi një dokument të ri në dorë dhe duhet ta shfrytëzojmë sa më mirë. E kemi një dokument të ri çfarë ka qenë i paparë e i paarritshëm më herët dhe kjo është edhe armë e fuqishme për neve për të ecur përpara.

Me dokumentet e mëhershme kemi ngecur, me këtë dokument mund të ecim.

Kosova tashmë e ka një mekanizëm jo-territorial të ndarjes së pushtetit dhe ne mundemi vetëm të ndërtojmë mbi të. Gjithashtu nuk mund të lejojmë që të shkelen parimet evropiane dhe të drejtat e njeriut. Është e rëndësishme të theksojmë që çfarëdo mundësie diskriminuese duhet ta parandalojmë. Konkretisht duhet të shmangim çfarëdo problemesh që mund t’i ngjajnë atyre çfarë janë shfaqur në Bosnje e këtu referenca është tek rasti Sejdic dhe Finci mbi theksimin e mono-etnicitetit si diskriminues i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe ky është një udhërrëfyes i shkëlqyeshëm mbi atë se çfarë nuk guxon të jetë një asociacion.

Dhe është për të ardhur keq që rasti Sejdic Finci është katër vjet para marrëveshjes së prillit 2013 dhe është gjashtë vjet para marrëveshjes së gushtit 2015. Është rast i vitit 2009. Në vend se rasti Sejdic Finci të shfrytëzohet në mënyrë që të parandalohet karakteri monoetnik i asociacionit ajo është shpërfillur plotësisht dhe ne po i rikthehemi atij për të mirën e Kosovës duke u bazuar në një organ prestigjioz, të drejtë, sic është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ajo për të cilën kemi rënë dakord është një trup, mandati ligjor i të cilit do të burojë nga Konventa Kornize për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare të Këshillit të Evropës. Ne jemi të hapur për të kërkuar frymëzim nga shembujt evropianë dhe udhëzime nga standardet e praktikave evropiane, të cilët nuk janë të bazuara në territorialitet. Ne e kundërshtojmë me vendosmëri dhe forcë etno-nacionalizmin territorial. Nuk e duron Republika demokratike dhe është në kundërshtim me vlerat dhe bindjet e qeverisjes sonë progresiste.

Siç kërkohet nga obligimet tona, do të fillojmë një proces të gjerë konsultimesh edhe brenda Kosovës, edhe me partnerët tanë, edhe me komunitetin joshumicë serb, edhe me pakicat e tjera, të cilat janë këtu në Kosovë, në mënyrë që të vazhdojmë të diskutojmë në mënyrë më gjithpërfshirëse për këtë çështje.

Unë kurrë, e përsëris, kurrë, që do të thotë asnjëherë askund, nuk do të konsideroj asnjë model të autonomisë territoriale, megjithëse ato marrëveshjet e mëhershme të Brukselit janë mbështetur shumë në territorialitetin, si element qenësor. Komunat nuk janë vetëm njësi administrative, por edhe territoriale. Prandaj, territorialiteti ka qenë thelbi i gabuar, të cilin nuk guxojmë as ta lejojmë as ta përsërisim.

Tash pra duhet të kalojmë bashkërisht dhe unë ju ftoj të gjithë juve, si deputetë të Kuvendi të Republikës, që të kalojmë bashkërisht nga standardet e Daçiqit e të Vuçiqit në vitet 2013 dhe 2015, në ato të Këshillit të Evropës e sistemit demokratik të Bashkimit Evropian të bazuar në qytetarin.

Qytetari është thelbi, jo territori, jo etnonacionalizmi territorial, i cili ndanë, përçanë e segregon, por përkundrazi qytetari, i cili është i Republikës, pavarësisht përkatësisë, pavarësisht identitetit me të drejta dhe me të drejta për kërkesa, por gjithnjë brenda Kushtetutës republikane.

Ne gjithashtu kemi marrë përsipër të formalizojmë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe të ofrojmë një nivel të lartë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane. Ta themi të vërtetën, atë që ne të gjithë e dimë se modelet tona ekzistuese në këtë drejtim i tejkalojnë shumë përvojat evropiane. Megjithatë, statusi nuk është, konsiderohet i rregulluar dhe unë nuk kam arsye që ta shmang dialogun me krerët e Kishës Ortodokse Serbe për këtë qëllim. Nuk do të hyjmë në dialog me Qeverinë e Serbisë për këtë temë. Kjo nuk do përbëjë asgjë të re, thjeshtë konfirmim i atyre garancive që tashmë ekzistojnë në sistemin tonë kushtetues e ligjor.

Për këtë qëllim, unë e ftoj udhëheqjen e Kishës Ortodokse Serbe, që të angazhohet me ne në një mënyrë të hapur, me qëllim të mirë, me vullnet të mirë, me mirëbesim dhe konstruktive për të diskutuar se si duhet të zbatohet marrëveshja dhe të adresohet çdo fushë specifike, ku obligimet ligjore duhet zbatuar ama gjithnjë në përputhje me frymën e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Kosova është e gatshme të jetë proaktive, vazhdimisht kreative, e përkushtuar dhe konstruktive ndaj dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Sinqerisht, nëse duam të fokusohemi në zhvillimin dhe integrimin evropian, duhet ta lëmë pas këtë kapitullin e vështirë me Serbinë. E ky kapitull lihet pas me normalizim të plotë, ku natyrisht është Serbia ajo, e cila i nënshtrohet një sërë ndryshimeve në mënyrë që t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, por edhe të normalizohet ajo vetë si shtet.

Unë besoj që normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i ndihmon jo më pak Serbisë se sa Kosovës. Përkundrazi. Përfiton Serbia, sepse normalizohet si shtet. Është një çështje tjetër pastaj e diskutimit politik e socio-historik, pse atje ka aq shumë forca që e refuzojnë normalizimin në kontinentin evropian, ku bën pjesë gjeografikisht edhe Serbia, jo vetëm Kosova.

Me të drejtë mund të theksojë dikush faktin që Serbia nuk e ka nënshkruar marrëveshjen. Ata thonë për arsye të brendshme, por kjo nuk i ulë detyrimet e saj ndaj Bashkimit Evropian. Pra, ne kemi marrëveshje, pa çka se ajo nuk është nënshkruar, sepse pala tjetër ka refuzuar ta nënshkruajë.

Kujtoni se Kosova e ka ofruar nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë tashmë më 27 shkurt në Bruksel. Serbia nuk mundi ose nuk donte ta bënte. Ne ende e kemi të hapur ofertën për ta nënshkruar bashkërisht këtë marrëveshje dhe do të vazhdojmë ta mbajmë të hapur një ofertë të tillë. Përballë Serbisë, e cila nuk donte të nënshkruante, Bashkimi Evropian gjeti një mënyrë për të regjistruar marrëveshjen përmes një konfirmimi nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri me pëlqimin paraprak të palëve. Kjo duhet të përforcohet më tej nga konkluzionet e Këshillit Evropian.

Bashkimi Evropian do t’i shtojë angazhimet sipas Marrëveshjes dhe Aneksit në kushtet për avancimin drejt integrimit të mëtejshëm në Bashkimin Evropian. Andaj, detyrimet ndërmjet palëve bazohen në parimin e pëlqimit dhe mirëbesimit në të drejtën ndërkombëtare, dhe gjithashtu do të bazohen, si një mbrojtje shtesë, në standardet e Bashkimit Evropian.

Në një mënyrë jokonvencionale, por Bashkimi Evropian do të duhej ta gjejë mekanizmin për ta bërë marrëveshjen plotësisht, ligjërisht, ndërkombëtarisht të detyrueshme. Në këtë pikë, dëshiroj të diskutoj haptas me ju nëse kjo marrëveshje duhet të ratifikohet në Kuvend edhe kur. Siç mund ta keni vënë re, disa nga aleatët tanë janë aq të shqetësuar për rrugën e gabuar të Serbisë, saqë po i shohin nëpër gishta, nganjëherë edhe me një sy apo edhe më shumë mbyllur. Ata nuk do ta kishin toleruar një sjellje të tillë nga asnjë vend tjetër që kërkon anëtarësim dhe ndonjëherë e pyes veten se kush po mundohet ta tërheqë kë më shumë.

Nuk na pëlqen aspak kjo dinamikë, por pylli nuk duhet të injorohet për shkak të pemëve. Në planin afatgjatë, ne jemi më mirë me këtë marrëveshje. Historia është përplot me shembuj të vendeve në luftë që humbin mundësinë dhe e vazhdojnë konfliktin për dekada.

Kjo është edhe arsyeja pse unë si kryeministër i Republikës, kam thënë që jam për dialog, jam për dialog për marrëveshje, jam për dialog për marrëveshje që nënshkruhet, jam për dialog për marrëveshje që nënshkruhet sa më parë, qysh tash. Dhe më shumë se kaq, më i përgjegjshëm se kaq, më konstruktiv se kaq, nuk ka qenë e mundur.

Unë jam kritikuar edhe këtu në Kuvendin e Kosovës për propozimin e nënshkrimit të një marrëveshjeje e cila nuk është përfundimtare. Të gjithë do të kishim dashur që Marrëveshja të jetë përfundimtare. Mirëpo midis asaj të refuzohet gjithçka pse marrëveshja nuk është përfundimtare apo të themi po, sepse është bazë e mirë për diskutim të mëtutjeshëm dhe sidomos platformë solide për të ecur përpara, natyrisht që me gjithë dijen kapacitetin, fuqinë që kemi, kemi vendosur se duhet t’i themi po marrëveshjes bazë, drejt një marrëveshje finale sa më parë.

Për herë të parë, ka një rrugë të qartë për të arritur deri aty edhe pse tashmë është e qartë që njohja de facto është e qartë. Ajo nuk është më pjesë e premtimeve deklarative ose verbale të thëna në mënyrë të paqartë – ajo përcaktohet në nenin 6 të kësaj marrëveshjeje. Ne e kemi me shkrim se Serbia pajtohet që kushtëzimi të vazhdojë deri në normalizimin e plotë, pra njohje.

Nuk ka zyrtarë ndërkombëtarë, evropian e amerikan që nuk e thotë që normalizimi i plotë nënkupton njohjen reciproke.

Unë nuk pres një rrugë të lehtë përpara, duhet të jemi shumë të vëmendshëm, duhet të jemi shumë vigjilent, do të ketë shumë kurthe e ndërskamca dhe Serbia do të bëjë gjithçka që është e mundur, duke përfshirë edhe injorimin haptas të marrëveshjes, anulimin, dhe interpretimin e saj, e riinterpretimin e asaj për të cilën kemi tashmë kemi rënë dakord. Rruga jonë drejt anëtarësimit në ndonjë organizatë ndërkombëtare është lehtësuar, por ajo nuk do të jetë shëtitje në park. Çdo vend mund të na kërkojë të bëjmë më shumë, sepse Serbia do të vazhdojë të lobojë kundër. Ajo me deklarata publike tashmë është shprehur edhe kundër pjesëve të asaj që ka nënshkruar, edhe kundër zbatimit të pjesëve të asaj që ka nënshkruar. Por ndryshe nga Serbia, Kosova ka vendosur që nuk ka hezitim që adresa e saj e vetme është Evropa, është Bashkimi Evropian, janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është NATO-ja, është lidhja transatlantike, e cila po del botërisht që në këtë shekull është jo më pak e rëndësishme se sa në shekullin e kaluar.

Falënderojmë partnerët tanë negociues në këtë proces të vështirë, Përfaqësuesin e Lartë dhe Lehtësuesin e Bashkimit Evropian dhe ekipet e tyre, shtetet mbështetëse që kanë ndihmuar aq shumë për ta çuar përpara këtë proces, duke përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Italinë, dhe në veçanti edhe Përfaqësuesin Special dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët kanë qenë gjithmonë të pranishëm kur ka lindur nevoja në këtë proces padyshim jo të lehtë.

Natyrisht, si gjithmonë, falënderoj edhe, mbi të gjitha, qytetarët e vendit tonë që na kanë qëndruar pranë këtij procesi dhe, e pranoj, herë-herë edhe konfuz. Uroj që kjo të ishte më e drejtpërdrejtë dhe të kishim qartësi e parashikueshmëri më të madhe, por ne po bëjmë më të mirën që dimë e mundemi, e duhet, me një situatë të vështirë dhe kemi diçka për të treguar për këtë. E kjo diçka, unë jam i bindur që është e arritur e përbashkët për Republikën e Kosovës.

Ju faleminderit!

Last modified: 23 Mars, 2023

Comments are closed.

×