Zyra e Kryeministrit

Fjala e kryeministrit Thaçi në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara

22 Mars, 2013

Prishtinë, 22 mars 2013

Gjeni më poshtë të plotë fjalën e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në takimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku u diskutua raporti periodik i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për gjendjen në Kosovë

I nderuar z. President,

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit,

Ambasadorë të nderuar;

Zonja dhe zotërinj;

Është kënaqësi që t’iu drejtohem sot në lidhje me zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës.

Më lejoni të filloj duke çmuar lartë përpjekjet e vazhdueshme të  Sekretarit të Përgjithshëm, z. Ban Ki Moon, për paqen dhe progresin në Kosovë dhe në Ballkan.

Para se të fokusohem në çështjet kryesore të adresimit tim lidhur me progresin e arritur në Kosovë nga periudha e fundit raportuese dhe konsolidimi i shtetësisë së Kosovës, më lejoni t’iu rikujtoj se vetëm pak javë më parë qytetarët dhe institucionet e Kosovës festuan në mënyrë dinjitoze 5 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

Kosova gjatë kësaj periudhe pesë vjeçare ka shënuar përparim të konsiderueshëm në shumë aspekte.

Merita më e madhe për këto arritje shkon për qytetarët e Kosovës, të cilët ishin në gjendje për të kapërcyer pasojat e thella të viteve të shtypjes sistematike dhe spastrimit etnik, dhe të shohin përpara drejt së ardhmes prosperuese.

Dua të shfrytëzoj këtë mundësi për të shprehur mirënjohjen tonë më të lartë për të gjitha shtetet dhe akterët e tjerë ndërkombëtarë, të cilët kanë kontribuar në masë të madhe për demokracinë tonë, lirinë dhe progresin, duke mos harruar asnjëherë rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s, të gjitha shtetet anë kënd botës të cilat me krenari kanë njohur Republikën e Kosovës dhe kështu po ia mundësojnë Kosovës që ta merr vendin e saj të merituar në mesin e kombeve të lira të botës.

Një mirënjohje e veçantë shkon për Organizatën e Kombeve të Bashkuara, mbështetja e të cilës ka qenë vendimtare, së pari në ndërtimin e strukturave të pavarura institucionale të Kosovës gjatë viteve 1999-2007; mandej në lehtësimin e negociatave për zgjidhjen përfundimtare të statusit të Kosovës gjatë viteve 2005 -2007 dhe Pakos së Presidentit Ahtisaari – si reflektim kushtetues dhe politik i Kosovës së re moderne; dhe në fund në konfirmimin e ligjshmërisë rreth shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës nga ana e Opinionit afirmativ të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, më 22 korrik 2010.

Prej këtu nisi një kapitull i ri i historisë së shtetit më të ri në Evropë, me një të kaluar të rëndë përplot sakrifica, por me synimin për të qenë pjesë e barabartë e botës demokratike, si një vend i  zhvilluar, një vend ku respektohet rendi dhe ligji, një shtetet për të cilin brezat e ardhshëm do të jenë krenarë, pavarësisht racës, etnisë apo religjionit.

Po ashtu, në këtë pesë vjetor të pavarësisë, shteti ynë është fuqizuar edhe me shumë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë dhe marrjes së përgjegjësisë për të gjitha çështjet nga vetë institucionet e qytetarët e Kosovës.

Ky moment ishte një dëshmi tjetër shtesë për pjekurinë shtet-formuese të institucioneve të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Kosova shtet sovran dhe i pavarur është një realitet tashmë i pranuar dhe është bërë faktor paqeje dhe stabiliteti duke dhënë kontribut në proceset rajonale dhe ndërkombëtare.

Kosova edhe pse pati lindjen më të vështirë si shtet, është një ndër shembujt më të suksesshëm të shtet-ndërtimit në historinë e OKB-së, dhe rezultat i ndërgjegjes dhe drejtësisë ndërkombëtare.

Pavarësia e Kosovës në njërën anë ishte gërshetim i përpjekjeve të vazhdueshme e sakrificës së popullit të Kosovës për liri dhe dinjitet, dhe në anën tjetër, ishte kontribut dhe mbështetje e bashkësisë ndërkombëtare për të përmbyllur kapitullin e shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë.

z. President

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit,

Konsolidimi i shtetësisë së Kosovës është i prekshëm. Kosova tashmë është njohur nga më shumë se gjysma e shteteve anëtare të OKB-së, dhe se gjeografia e njohjeve të saj ka dëshmuar se është proces i pandalshëm dhe i pa kthyeshëm.

Shumë shtete tjera janë në proces të njohjes së shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës dhe unë i siguroj ato se ky është vendimi më i drejtë që ato mund të bëjnë për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Më lejoni t‘iu përkujtoj se këto njohje dhe njohjet tjera që do të pasojnë burojnë nga e drejta jonë për shtetësi e konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare, roli konstruktiv i Kosovës për forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit,  si dhe nga përkushtimi ynë i devotshëm për implementim të Planit të Ahtisaarit dhe mbrojtjen e pakicave sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.

Në këtë aspekt, pas anëtarësimit në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim,  më 27 shkurt 2013, Republika e Kosovës është anëtarësuar edhe në Këshillin për Bashkëpunim Rajonal- ombrellë e bashkëpunimit rajonal në Evropën Juglindore që numëron 46 anëtarë.

Me këtë anëtarësim, Republika e Kosovës hyn në rrugën e pakthyeshme drejt integrimit në Bashkimin Evropian sepse kjo organizatë është instrumenti kryesor i para-anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si vazhdimësi e Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore

Kosova do të ketë të drejtën e përfaqësimit, të nënshkrimit dhe të votimit si të gjitha shtetet anëtare të kësaj organizate. Përveç kësaj, Kosova do të përfitoj edhe në sferën sociale dhe institucionale –duke fuqizuar potencialin njerëzor, si dhe duke pasur mbështetjen nga një numër iniciativash shoqërore dhe ekonomike, përfshirë lehtësirat në investime, zhvillimin e ndërmarrjeve – bizneseve të vogla dhe atyre të mesme; liberalizimin e tregtisë; përmirësimin e shëndetit publik; dialogun shoqëror dhe reforma të tjera.

Në kontekst të procesit të anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, më lejoni t’iu informoj se më 22 janar 2013, Këshilli i Evropës miratoi një rezolutë e cila hapi rrugën për formësimin e marrëdhënieve të drejtpërdrejta formale me Republikën së Kosovës.

Rezoluta lejon bashkëpunimin e drejtpërdrejtë veçanërisht në fusha kryesore të të drejtave të njeriut, lirinë e shprehjes dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e historike.

Ky akt është i rëndësishëm sepse do të ndikoj drejtpërdrejtë në forcimin e një shteti të së drejtës. Për më tepër, Kuvendi i  Republikës së Kosovës do të ketë qasje të drejtpërdrejtë në monitorimin e punës së Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës. Aktualisht, 34 nga 47 anëtarët e Këshillit të Evropës e kanë njohur Republikën e Kosovës.

z. President,

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit,

Zhvillimet e brendshme në Kosovë janë karakterizuar me stabilitet politik dhe ekonomik.

Më lejoni të theksoj se Kosova vazhdon të ruaj një stabilitet financiar dhe një rritje ekonomike të qëndrueshme për kundër vazhdimit të krizës globale.

Për më tepër, ekonomia e tregut të lirë dhe siguria e ofruar për investitorët e huaj është një premisë e rëndësishme për rritjen e mirëqenies për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Siç është theksuar edhe në Aneksin e Raportit të Sekretarit të Përgjithshëm, Kosova ka ndërmarrë një reformë të rëndësishme gjyqësore me hyrjen në fuqi më 1 janar 2013 të Ligjit mbi Gjykatat, Kodit të ri Penal, si dhe Kodi i ri i Procedurës Penale.

Kjo reformë është në përputhje me standardet evropiane, dhe si e tillë do të forcojë qëndrueshmërinë e sektorit gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës, në bashkëpunim të plotë me ekspertizën evropiane.

Në kuadër të luftës anti-korrupsion, është miratuar nga Kuvendi, Ligji për kompetencat e shtuara për konfiskimin e aseteve të fituara nga veprat kriminale me datë 11 shkurt 2013.

Po ashtu, është miratuar nga Kuvendi Ligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe financim të terrorizmit, datë 11 shkurt 2013.  Kuvendi e ka miratuar edhe strategjinë e re anti-korrupsion me datë 11 shkurt 2013.

Deri kah fundi i vitit 2012, janë miratuar strategjitë në vijim, lidhur me luftën kundër krimit të organizuar: Strategjia dhe Plani i Veprimit në luftën kundër krimit të organizuar; Strategjia dhe Plani i Veprimit në luftën kundër terrorizmit; Strategjia dhe Plani i Veprimit për Menaxhimin e Integruar të Kufirit; Strategjia dhe Plani i Veprimit në luftën kundër trafikimit të narkotikëve.

Progres i theksuar ka ndodhur edhe në raport me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare. Më 12 shkurt 2013, Qeveria e Republikës së Kosovës, respektivisht Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ për themelimin e Këshillit Zbatues dhe Monitorues. Themelimi i Këshillit ofron monitorim më të fokusuar të trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe nga institucionet e Kosovës, ndërkohë që themelimi i këtij mekanizmi ka qenë ndër prioritetet afatshkurtra të dala nga Studimi i Fizibilitetit për fillimin e negociatave për Marrëveshjen Stabilizim-Asociim.

Gjithashtu, kjo kontribuon në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.

Këshilli Zbatues dhe Monitorues do të ndihmojë dhe monitorojë zbatimin e dispozitave ligjore të Republikës së Kosovës lidhur me mbrojtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe në Kosovë, duke përfshirë në veçanti dispozitat e Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura, Qendrën Historike të Prizrenit dhe Fshatit Hoçë e Madhe.

Ky këshill i dalë nga legjislacioni i Republikës së Kosovës, dhe i mbështetur në Pakon e Presidentit Ahtisaari, bashkë-kryesohet nga Qeveria e Kosovës, Bashkimi Evropian, OSBE-së dhe Kisha Ortodokse Serbe. Qeveria e Kosovës ka ndarë fillimisht 100 mijë euro për vitin 2013 për veprimtarinë e këtij mekanizmi.

I tërë ky progres është përshëndetur edhe nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë për Komunitete dhe Kthim ka vazhduar të ofrojë mbështetje financiare për nismat për kthim dhe ri-integrim të pakicave në Kosovë.

Ndërtimi i shtëpive është një shembull i qartë i përpjekjeve të vazhdueshme të Republikës së Kosovës për strehimin e të kthyerve të komuniteteve të ndryshme duke ju siguruar kushte të dinjitetshme për jetesë, të cilat më pastaj do të kenë efekte përcjellëse pozitive në aspektet e tjera të jetës së tyre siç është punësimi, shëndeti, dhe arsimi.

Institucionet e Kosovës ju janë përgjigjur kërkesave të familjeve të kthyera duke i forcuar politikat dhe strategjinë e saj ndaj personave të zhvendosur dhe të kthyerve dhe duke krijuar kushte më të favorshme për kthim dhe ri-integrim të qëndrueshëm.

Gjatë muajve të fundit Republika e Kosovë me vullnet të mirë ka ndërtuar dhe rregulluar 76 shtëpi për të kthyerit në të gjitha rajonet e Kosovës. Gjithashtu gjatë kësaj periudhe Qeveria e Kosovës ka përfunduar 21 projektet infrastrukturore për bashkësitë ku jetojnë pakicat dhe të kthyerit.

Të gjitha këto investime kontribuojnë në stabilizimin e situatës socio-ekonomike të bashkësive të pakicave etnike në Kosovë. Së fundmi, ne kemi ndërmarr masa për t’i kthyer personat e zhvendosur nga Kosova në Mal të Zi.

Po ashtu, Kosova ka ndërmarrë masa serioze për të integruar serbët që jetojnë në veri të Kosovës.

Megjithatë, për fat të keq praktikat destruktive të strukturave paralele kanë qenë një pengesë e vazhdueshme dhe kanë minuar qëllimet tona të mira dhe angazhimin për investimet socio-ekonomike në atë pjesë të Kosovës.

Deri më tani Zyra Administrative e Mitrovicës së Veriut të cilën e ka hapur Qeveria e Republikë së Kosovës, ka ofruar shërbime të ndryshme për më tepër se 2 mijë persona pjesëtar të komunitetit serb që jetojnë në veri.

Kjo është një dëshmi tjetër e cila dëshmon se edhe në veri të vendit mund të ofrohet hapësirë e mjaftueshme për bashkëpunim dhe integrim.

Ne besojmë se zyra do të jetë e dobishme për popullatën lokale atje, sepse ajo ka për qëllim përmirësimin e kushteve të tyre të jetesës, duke siguruar shërbime më të mira lokale, gjenerimin e punësimit, dhe të koordinojë ndihmën e donatorëve të planifikuar për investime në veri të Kosovës.

Fatkeqësisht, Zyra Administrative është vënë në shënjestër disa herë nga grupe të panjohura në veri.

Kohët e fundit, sulmet e dhunshme kundër zyrtarëve të lartë të këtij institucioni të nacionalitetit serb janë rritur, duke lënë funksionimin e kësaj zyre të ndjeshëm ndaj kërcënimeve dhe akteve të dhunshme, të cilat e pengojnë nga kryerja e shërbimeve të tyre administrative ditore.

Në këtë aspekt, ka të paktën 20 incidente që kanë ndodhur në veri gjatë tre muajve të fundit.

Ne kemi dëshmi të bazuara se strukturat paralele serbe janë prapa këtyre akteve kriminale me qëllim që të frikësojnë zyrtarët që punojnë në këtë zyre dhe të pengojnë serbët e veriut për të përfituar nga shërbimet që ofrohen për ta.

Ne i bëjmë thirrje Serbisë që të shpërbëjë këto struktura ilegale të sigurisë dhe gjyqësisë, dhe të ndaloj përpjekjet për të krijuar tensione në Republikën e Kosovës.

Thirrja jonë nuk është e vetmuar, por ajo përkrahet nga një numër i madh shtetesh që kanë investuar shumë për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon duke përfshirë edhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Situata në komunat veriore përveç se ka ndarë padrejtësisht serbët e Kosovës në ata të Jugut dhe të Veriut, po ashtu përmes metodave të frikës dhe shantazhit synon të mbaj peng edhe integrimin e tyre në institucionet e Kosovës. Kjo tendencë kriminale më kujton vetëm disa vite më parë rastin e tmerrshëm ku me armë zjarri u plagos nën-kryetari aktual i Kuvendit të Kosovës, Petar Miletiç, i cili për shkak të presioneve të dhunshme ishte detyruar që të shpërngulet nga Mitrovica e veriut. Prandaj, të gjitha komunitetet që jetojnë në atë pjesë prej 13 vitesh janë të rrezikuar në mungesë të rendit dhe ligjit si pasojë e kësaj anarkie.

Rasti i fundit kundër Policisë së Kosovës ndodhi vetëm 3 ditë më parë, respektivisht në mbrëmjen e 19 marsit në komunën e Leposaviqit. Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur pranë portës së stacionit policor duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Këto sulme të orkestruara kanë për synim të mbajnë të tensionuar situatën e sigurisë, duke mos lejuar që paqja dhe sundimi i ligjit të ketë sukses.

Siç është reflektuar edhe në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm, megjithatë unë duhet të sjell përsëri në vëmendjen tuaj se situata në tri komunat veriore të Kosovës, vazhdon të paraqet një burim të rëndë të paqëndrueshmërisë, si dhe kërcënim serioz për tërë situatën e sigurisë së rajonit tonë.

Kjo situatë e rëndë është në shkelje të plotë edhe të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe normave ndërkombëtare, dhe kjo situatë ka si qëllim të destabilizoj funksionimin e shtetit të Kosovës.

Si e tillë, kjo situatë duhet të marr fund sa më shpejt.

Oferta për secilin qytetar të Kosovës pavarësisht përkatësisë etnike është e thjeshtë dhe e qartë – shteti ynë është i përbashkët dhe atë e kemi ndërtuar dhe po e ndërtojmë për të mirën tonë të përbashkët.

Për të mirën edhe të atyre qytetarëve tanë në komunat në veri të Kosovës, jeta e të cilëve vazhdon të mbetet peng e grupeve të caktuara. Vendosja e sundimit të ligjit dhe e rendit në pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, është thelbësore për zhvillimin e saj në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit dhe për qetësinë, sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve tanë të komunitetit serb.

Unë dua të besoj se edhe homologu im nga Serbia, kryeministri Daçiq është thellësisht i interesuar që në veri të Kosovës të sundoj rendi dhe ligji, dhe që komuniteti serb që jeton atje të zhvilloj jetë normale dhe pafrikë.

I nderuari President

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit,

Liria e lëvizjes mbetet një ndër sfidat kryesore në atë pjesë të territorit të Kosovës. Barikadimet e orkestruara nuk janë vetëm pengesa fizike, por mbi të gjitha ato dërgojnë mesazhe politike për ndarje mbi baza etnike.

Lëvizja e lëvizjes është e penguar edhe për prezencën ndërkombëtare të KFOR-it dhe EULEX-it, të cilët nuk janë në gjendje që të përmbushin misionin e tyre. Jemi dëshmitarë për skenarë të tillë edhe në Bosnje dhe Kroaci gjatë luftës së viteve 90-ta. Por dua t’iu ri-siguroj se Republika e Kosovës nuk do të jetë vend i ndarjes dhe barikadimit. Apo pretendimit për të ndërtuar një Republika Srpska të re. Diçka e tillë nuk do të lejohet.

Unë kam besim të plotë se momenti kur këto barrikada fizike të cilat janë vendosur nëpër rrugë të ndryshme në veri për të penguar lëvizjen e lirë, do të largohen në mënyrë vullnetare nga vet qytetarët që jetojnë atje.

Vetizolimi nuk sjell asnjë progres dhe pengimi i lirisë së lëvizjes nuk duhet të jetë një vlerë që promovohet nga Serbia.

Fatkeqësisht, roli i Serbisë ende vazhdon të mos jetë konstruktiv dhe duke përdorur strukturat e saj ilegale që veprojnë në Kosovë në mënyrë të paligjshme, vetëm sa e ka rënduar edhe më shumë situatën politike dhe të sigurisë.

Në këtë kontekst, me rastin e festave Ortodokse në janar 2013, ndodhi një incident mes Policisë së Kosovës – si e vetmja forcë legjitime dhe legale, dhe 10 pjesëtarëve të strukturave ilegale – të ashtuquajtur Trupat e Mbrojtjes Civile të cilët ishin angazhuar kinse për të mbrojtur zyrtarin e Qeverisë së Serbisë, Aleksandër Vulin, gjatë vizitës së tij në komunën e Graçanicës.

Me këtë rast, Policia e Kosovës ishte penguar në kryerjen e detyrës zyrtare në mbrojtje të rendit publik duke u provokuar rëndë, prandaj kishte shoqëruar në stacionin policor të Graçanicës nën dyshimin që nuk kanë përfillur urdhrat e ligjshëm të Policisë së Kosovës.

Personat janë shoqëruar në stacion me qëllim që t’i mundësohet policisë kryerja e detyrave dhe përgjegjësive në fushën e sigurisë së zyrtarit të cilin e kanë pasur nën përcjellje, e sidomos ky veprim është ndërmarrë për sigurinë e këtij zyrtari.

Përkundër tendencave për të politizuar skajshmërisht këtë rast dhe për ti dhënë jehonë mediale mbi baza etnike kinse për shkak të keqtrajtimit të tyre, dua të ritheksoj se vendimi i Policisë së Kosovës ishte i drejtë dhe legjitim.

Në lidhje me këtë ngjarje dua të përfitoj nga rasti t’i referohem raportimin të saktë dhe konstruktiv të EULEX-it në aneksin e raportit të Sekretarit të Përgjithshëm, po citoj “Nuk kishte ankesa në lidhje me trajtimin e tyre nga ana e Policisë së Kosovës në asnjërin rast” fund i citatit.

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit,

Si reaksion emocional pas largimit të dhunshëm të Lapidarit të Dëshmorëve Shqiptarë në  Luginën  e Preshevës më 20 janar 2013 nga forca të shumta të xhandarmërisë serbe,  individë të panjohur në Kosovë kanë demoluar në tetë lokalitete varrezat ortodokse Serbe dhe përmendoret e Luftës së Dytë Botërore.

Qeveria e Kosovës, shoqëria civile dhe bashkësia ndërkombëtare kanë dënuar ashpër këto incidente, kurse Policia e Kosovës ka arrestuar një numër të të dyshuarve dhe është e angazhuar për të ndjekur një hetim të efektshëm të këtyre rasteve.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 97 mijë Euro për riparimin menjëhershëm të varrezave dhe monumenteve të dëmtuara. Ju siguroj se këtu nuk kemi të bëjmë me veprime të koordinuara. Po ashtu, unë jam i kënaqur me reagimin e menjëhershëm të organeve të rendit dhe ligjit, si dhe me dënimin publik të këtyre rasteve nga lidershipi i Kosovës.

Të nderuar anëtarë të Këshillit,

Ka disa akuza për krime lufte në Kosovë që qarkullojnë në këtë raport të Sekretarit të Përgjithshëm, për të cilat ne jemi të sigurt se ato janë kryesisht procese që do të verifikojnë pastërtinë e luftës së drejtë dhe pafajësinë e popullit tonë në përpjekjet për liri dhe pavarësi.

Ndërsa Serbia deri më tani ka injoruar domosdoshmërinë e një kërkim-falje zyrtare për abuzimet e sponsorizuara nga regjimi i tyre kundër të drejtave të njeriut dhe spastrimi etnik në Kosovë, ne mirëpresim rrëfimin e Gjeneralit të Ushtrisë Jugosllave, Dragoljub Ojdaniç në Tribunalin e Hagës në janar të këtij viti, i cili kishte pranuar se Serbia ka kryer krime të luftës kundër shqiptarëve të Kosovës në fund të viteve 1990.

Kjo shënon një njohje të rëndësishme të pranimin të dhunës së njohur e cila është dokumentuar dhe nga OKB-ja, si pasojë e veprimeve të orkestruara nga autoritetet shtetërore të Serbisë në atë kohë.

Ne inkurajojmë edhe instancat tjera në Serbi që të pranojnë krimet e kryera në Kosovë dhe të lejojnë hapësirë ??për dokumentimin e së vërtetës. Kjo do të ishte padyshim bazament i fortë dhe moment kthese për ripajtimin dhe bashkë-jetesën ndërmjet popullit të Kosovës dhe atij të Serbisë si fqinj.

Në këtë kontekst, më 18 mars Qeveria e Kosovës, qeveria që e udhëheq unë, ka inauguruar Grupin Punues për Ballafaqim me të Kaluarën dhe Pajtim.

Formimi i këtij grupi punues është shtyrë deri në këtë kohë, kur kemi konsideruar se shoqëria jonë është e aftë për t’u ballafaquar me të kaluarën në një mënyrë ose tjetër, që të merr përsipër rehabilitimin e marrëdhënieve, të jetë e gatshme të ballafaqohet me atë, të kërkojë të vërtetën, të kërkojë riparimin e dëmeve të luftës dhe, ashtu siç e kërkon në përgjithësi edhe drejtësia penale.

Natyrisht që edhe për shkak të mungesës të një marrëdhënie normale aktualisht me Serbinë, ky proces i ballafaqimit më të kaluarën bëhet edhe më i vështirë.

Përkundër kësaj, Qeveria e Republikës së Kosovës mendon që ne duhet të ballafaqohemi me të kaluarën, duke marrë parasysh të drejtat dhe pozitën e secilës viktimë të luftës, por në anën tjetër dua të them që nënshkrimi i një traktati të paqes ku do të rregulloheshin raportet Kosovë-Serbi; ku do të rregullohen raportet tona ndërshtetërore; që do të përfshinin  edhe kërkimin e faljes nga Serbia; edhe kërkimin e kompensimit të dëmeve të luftës; edhe kërkimin për çështjen e personave të pagjetur dhe shumë çështje të tjera që ndërlidhen me luftën, – do ta ndihmonin shumë edhe krijimin e një ambienti të mirë për t’u ballafaquar me të kaluarën dhe për të punuar për të ardhmen.

Të nderuar anëtarë të Këshillit,

Republika e Kosovës ka hyrë në një dialog politik me Serbinë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, të cilin e udhëheq shkëlqyeshëm Përfaqësuesja e Lart për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Baronesha Catherine Ashton.

Natyrisht që ky proces mbështetet fuqishëm nga SHBA-të dhe të gjitha shtetet demokratike në botë që janë të interesuara për të dhënë kontributin e tyre për paqen dhe stabilitetin.

Ky dialog ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe natyrisht konsiderohet të jetë mjeti kryesor për të integruar edhe popullatën serbe në veri në jetën shoqërore dhe institucionale të Kosovës, duke iu ofruar një mundësi shtesë për të përmirësuar jetën, ofruar siguri, shërbime publike, sundim të ligjit, ndihmë ekonomike, dhe qeverisje demokratike.

Bazuar në rrjedhën e deritanishme të këtij procesi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, unë mbetem optimist i rezervuar se ne duke i zgjidhur çështjet praktike, teknike dhe ndër-shtetërore po përmbushim parakushtet kryesore që në një fazë tjetër mund të na shpijnë drejt njohjes reciproke.

Natyrisht se ky proces nuk është fare i lehtë. Në fakt, ky proces është jashtëzakonisht i vështirë si për Kosovën e poashtu edhe për Serbinë për shkak të kaluarës së hidhur e cila ende është e freskët.

Por më lejoni t’iu siguroj juve anëtarë të Këshillit të Sigurimit se ky proces mund të jetë i suksesshëm nëse vërtet do të ketë minimum të vullnetit politik nga Serbia.

Prandaj, unë përfitoj nga kjo mundësi që t’i bëj ftesë përsëri Serbisë që të jetë e arsyeshme dhe racionale dhe të shfrytëzoj  këtë momentum historik, i krijuar për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore.

Suksesi eventual në këtë dialog, do të jetë në dobi të dy shteteve dhe mbi të gjitha të qytetarëve tanë. Nëse dialogu rezulton me sukses, nuk do të ketë humbës, por vetëm fitues.

Nëpërmjet këtij procesi, Kosova synon të avancoj edhe më tepër marrëdhëniet e saja me Bashkimin Evropian duke përshpejtuar procesin e integrimit evropian dhe bashkërenditur përpjekjet e përbashkëta për përmbushje të parakushteve për anëtarësim në BE.

Dialogu aktual është po ashtu në shërbim të forcimit të subjektivitetit tonë ndërkombëtar, rritjes së njohjeve, dhe zgjerimit të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, duke përfshirë edhe kërkesën tonë legjitime që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së.

Angazhimi ynë në dialog me Serbinë është në përputhje me Rezolutën e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, me Rezolutën e Kuvendit të Kosovës dhe në përputhje të plotë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Në dialog me Serbinë nuk po negociohet për sovranitetin, statusin politik, apo integritetin territorial të Kosovës. Mbështetja ndërkombëtare që kemi për këto vija të kuqe është shumë e rëndësishme.

Padyshim se Plani i Ahtisaarit i sponsorizuar nga OKB-ja ju mbetet oferta me gjeneroze e mundshme e cila iu ofron Serbëve në Kosovë hapësirë shumë të gjerë vetëqeverisëse dhe mundësi për ti realizuar të drejtat e tyre politike, socio-ekonomike dhe kulturore.

Plani i Ahtisaarit iu ofron Serbëve në veri vetëqeverisje të gjerë lokale, hapësirë për përdorim të gjuhës amtare në të gjitha instanca publike, liri të medias, liri për arsimimin në nivelin primar, sekondar, dhe universitar, hapësirë për rregullim të shërbimeve shëndetësore, menaxhim me financa dhe taksat lokale, të drejtë për përzgjedhje të komandantëve të policisë në nivele lokale, të drejtën për të krijuar asociacione të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të drejtën për të ruajtur lidhje speciale me komunat tjera edhe në Serbi, e shumë e shumë gjëra të tjera.

Pra, është një nga planet më liberale dhe gjeneroze që ju ofron pakicave hapësirë të gjerë vetëqeverisëse.

Kjo është dëshmuar deri më tani me decentralizimin efektiv që nga pavarësia e Kosovës pesë vite më parë, që ka rezultuar me rritje te pjesëmarrjes politike të serbëve ne Kosovë, rritje të stabiliteti ndër-etnik, dhe përmirësim të mirëqenies shoqërore.

Në kuadër të procesit të dialogut me Serbinë ne kemi zhvilluar 7 raunde të takimeve që nga tetori i vitit të kaluar kur ka filluar ky proces.

Deri më tani janë arritur rezultate të konsiderueshme të cilat ende japin shpresë për një përfundim të suksesshëm të këtij procesi.

Tani ndodhemi pothuajse në fazën përfundimtare të këtij procesi. Fatkeqësisht, në tre muajt e fundit, pala serbe ka ofruar një platformë e cila kërkon autonomi territoriale për serbët e Kosovës dhe krijimin e një entiteti të veçantë në Kosovë.

Ngjashëm më vonë Serbia ka propozuar Asociacionin apo bashkësinë e komunave serbe në Kosovë duke kërkuar që ky asociacion apo bashkësi të ketë kompetenca ekzekutive dhe legjislative dhe të zgjidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Edhe ky propozim është një përpjekje e dështuar për të krijuar një nivel të tretë qeverisës në Kosovë e që bie në kundërshtim me rendij tonë Kushtetues të ndërtuar së bashku me partnerët tanë ndërkombëtar.

Ne jemi shumë të brengosur se propozime të tilla kanë tendenca për të krijuar një Republika Srpska të re në Kosovë, e cila do të bënte Kosovën jo-funksionale dhe jo-stabile, do të komplikonte konsensusin e brendshëm politik, do të stagnonte integrimin tonë Evropian, do të stagnonte integrimin e pakicave në Kosovë, do të dëmtonte decentralizmin e suksesshëm në Kosovë, si dhe do të përçante popullatën shumicë, dhe tëre investimin politik dhe ekonomik ndërkombëtare në 14 vitet e fundit në Kosovë. Një ide e tillë në Kosovë është e parealizueshme.

Jemi dëshmitar se aranzhime të atilla në rajon janë bërë pengesa strukturale për paqe dhe pajtim etnik, për demokraci dhe qytetari multi-etnike, si dhe qeverisje efektive.

Është me rëndësi që ritheksohet përkushtimi dhe vendosmëria ndërkombëtare se ndryshimi i kufijve në Ballkanin Perëndimor, si dhe çdo tendencë për ri-aranzhim territorial mund të destabilizoj rajonin dhe nxit përçarje etnike dhe probleme tjera.

Marrëveshjet e arritura deri më tani në kuadër të dialogut teknik dhe politik janë shumë të rëndësishme për shkak se zgjidhin çështje që na preokupojnë neve që një kohë të gjatë dhe që kanë vështirësuar jetën e qytetarëve tanë.

Marrëveshja për bashkëpunim rajonal i mundëson Kosovës përfaqësim të pavarur në organizata dhe ngjarje rajonale, si dhe largon paqartësitë dhe përfaqësimin indirekt të Kosovës.

Marrëveshja për hapjen e Zyrave Ndërlidhëse dhe shkëmbimin e zyrtarëve  të ndërlidhës hap një kapitull fillestar të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura dhe fqinj të mirë.

Marrëveshja për vula doganore zbeh informalitetin, vendos qeverisjen e duhur të doganave, dhe rrit përfitimet ekonomike të Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja për kthim të regjistrit civil dhe kadastrës mundëson zgjidhjen e kontesteve pronësore.

Dhe së fundmi, marrëveshja për njohje të diplomave universitare mundëson punësimin e të rinjve. Është fakt se në këtë proces historik, Serbia ka pranuar në mënyrë graduale legjitimitetin dhe kushtetutshmërinë e Republikës së Kosovës.

Gjykata Supreme e Kosovës në marrëveshjen për kadastrën është pranuar si autoritet i fundit.

Në tabelat e regjistrimit të automjeteve si autoriteti i fundit është pranuar Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, si dhe në marrëveshjen për doganat është pranuar Dogana e Kosovës si autoritet final.

Në dialogun aktual Kosova është dëshmuar të jetë më konsistente, më e përgjegjshme, dhe më e vendosur në zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Ne kemi ndërmarr të gjitha masat politike dhe teknike për zbatimin e marrëveshjeve të arritura gjerë më tani. Po ashtu kemi shprehur gatishmëri për rritje të investimeve ekonomike në këtë pjesë të Kosovës.

Fatkeqësisht Serbia nuk ka shfaqur nivel të njëjtë të gatishmërisë, evidente me vonesa dhe pengesa të shumta në zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Serbia ende mundohet të pengoj dhe evitoj pjesëmarrjen e Kosovës nëpër ngjarje rajonale.

Marrëveshja për lëvizje të lirë është duke u penguar nga barrierat e vendosura në veri të Kosovës, të cilat fatkeqësisht janë të udhëzuara nga Beogradi. Kthimi i dokumenteve të kadastrës dhe regjistrimit civil është duke u vonuar pa arsye të qëndrueshme.

Marrëveshja për hapjen e Zyrave Ndërlidhëse dhe shkëmbim të zyrtarëve ndërlidhëse që ende nuk ka filluar të implementohet paraqet një hap të rëndësishëm për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, reciproke, si dy shtete të pavarura.

Çështje tjera që kanë mbetur të pazgjidhura në kuadër të këtij dialogu janë fati i personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, ku ende janë rreth 1700 persona të zhdukur, çështja e energjisë dhe telekomunikacionit, shpërbërja e strukturave paralele dhe ilegale të Serbisë në fushën e sigurisë që veprojnë në veri të Kosovës në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Ne me të drejtë presim përkushtim dhe vendosmëri nga ana e Serbisë për zbatimin e plotë të marrëveshjeve, si dhe shpërbërjen e menjëhershme të strukturave të saja në Kosovë.

Ne ju sigurojmë se Republika e Kosovës do të luaj rol konstruktiv në këtë dialog, siç ka bërë herave tjera, në përputhje me Kushteton dhe ligjet tona dhe vullnetin e mirë për të përmirësuar jetën e qytetarëve, si dhe arritjen e një marrëveshje që normalizon marrëdhëniet tona me Serbinë dhe që forcon dhe konsolidon tutje shtetësinë dhe subjektivitetin tonë ndërkombëtar.

Të nderuar anëtarë të Këshillit,

Republika e Kosovës ka dëshmuar dhe dëshmon se përqafon vlerat evropiane. Agjenda evropiane e vendit tim tashmë është shndërruar në një plan të punës për të gjithë shoqërinë duke konsideruar se integrimi në BE është nxitje për arritjen e qëllimeve më të rëndësishme të shoqërisë sonë, për stabilitet politik, respektim të të drejtave të njeriut dhe për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Agjenda Evropiane është agjendë reformuese dhe jo vetëm integruese. Por ky proces nuk ka filluar as dje, dhe as sot. Që nga Samiti i Selanikut më 2003, Kosova ka vendosur rrugën e saj të pavarur në raport me integrimin në BE.

Kosova tashmë ka hyrë në një periudhë të rëndësishme për vendin, me avancim të theksuar në fusha të shumta, duke e sjellë Kosovën në fokus të politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian në rajon falë reformave, mbështetjes gjithëpërfshirëse dhe vendosmërisë së treguar të të gjithë spektrit politik dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës. Kam nderin që përfaqësoj një shoqëri e cila përkrah integrimin në BE dhe në NATO me mbi 90% të mbështetjes publike, duke mbajtur lartë këtë mbështetje në raport me vendet tjera.

Komisioni Evropian ka  konfirmuar se Kosova ka bërë përparim të theksuar në rrugën e anëtarësimit në BE, duke theksuar faktin se Kosova është e gatshme për të hapur negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, me  përmbushjen e kritereve specifike afatshkurtra në fushën e sundimit të ligjit, administratës publike, mbrojtjes së pakicave dhe tregtisë. Ky sukses i përbashkët, është rikonfirmuar së fundi edhe nga vizita e Komisionerit të BE-së për Zgjerim, z. Stefan Fule në Prishtinë.

Mbi të gjitha, Republika e Kosovës po ec me hapa të sigurt drejt vendosjes së marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Evropian. Me nënshkrimin e  Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ne bëjmë hapin e parë dhe shumë të rëndësishëm në rrugën e anëtarësimit dhe integrimit të plotë në këtë union.

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit gjithashtu do t’i mundësojë Kosovës një perspektivë afatgjate për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, duke përmirësuar pozicionin tregtar të Kosovës si dhe duke ofruar stabilitet për investitorët e jashtëm. Kjo do të ketë ndikim të rëndësishëm në përparimin e proceseve demokratike, nxitjen e reformave të brendshme dhe në thellimin e bashkëpunimit reciprok politik dhe ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Në këtë drejtim , ne mirëpresim projekt-rezolutën e Parlamentit Evropian për Kosovën të datës 11 shkurt 2013.

Në veçanti konsiderojmë si shumë të rëndësishme faktin se projekt-rezoluta inkurajon pesë vendet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që ta bëjnë një gjë të tillë; refuzon ndarjen territoriale të Kosovës në kundërshtim me frymën e Pakos së Ahtisaarit dhe përsërit se ky plan është platformë adekuate për zgjidhjen e kontesteve në Veri; përshëndet fundin e pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës në shtatorin e vitit të kaluar; dhe mirëpret pjesëmarrjen më të madhe të Kosovës në përfaqësim në organizatat dhe nismat ndërkombëtare; mirëpret dialogun Prishtinë-Beograd dhe marrëveshjet e arritura deri më sot, si dhe dënon aktet e dhunshme në veri të Kosovës dhe sjelljen devijante të grupeve lokale.

Paralelisht, Kosova është duke avancuar edhe në procesin e Liberalizimit të Vizave për qytetarët e saj.

Qeveria e Kosovës është thellësisht e përkushtuar që ky proces të përfundojë në kohën më të shkurtër, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të dalin nga izolimi të cilin e përjetojnë për më shumë se dy dekada dhe të lëvizin lirshëm njësoj sikur popujt tjerë të Ballkanit.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka dëshmuar se  është në gjendje të shënojë progres në kriteret e caktuara nga Komisioni Evropian, siç është Ri-pranimi; Ri-integrimi; Siguria e Dokumenteve; Menaxhimi i integruar i kufirit; Menaxhimi i migracionit; Azili; Parandalimi dhe luftimi i krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit; bashkëpunimi ndërkombëtar rreth zbatimit të ligjit; bashkëpunimi gjyqësor në çështjet penale; mbrojtja e të dhënave dhe të drejtat themelore në lirinë e lëvizjes.

Megjithatë unë e kam bërë të qartë se çdo asimetri e cila i vihet në barrë Kosovës për të zbatuar kritere të reja, të cilat nuk ishin të njohura për shtetet e Ballkanit Perëndimor, do të dëmtojnë vet imazhin dhe kredibilitetin e këtij procesi. Kosova nuk ka as edhe një ditë kohë për të humbur, pasi që dekada të tëra i ishin humbur si pasojë e aparteidit dhe konfliktit të ushtruar mbi të.

Mbi të gjitha, ne i bëjmë thirrje Bashkimit Evropian për unitet të brendshëm rreth Kosovës, duke mos e vështirësuar edhe më tutje integrimin tonë të meritueshëm.

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit,

Në përmbyllje të fjalës sime, dua të ritheksoj se në Ballkanin Perëndimor nuk ka më vend për politikë konfliktuoze dhe luftënxitëse, e cila synon me çdo çmim cenimin e integritetit territorial pas shpërbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë.

Përpjekjet për të krijuar konfliktet e ngrira janë vetëm investime të dështuara që për bazë kanë destabilizimin e rajonit.

Me këtë rast, Republika e Kosovës ka kodifikuar në Kushtetutën e saj se nuk ka pretendime territoriale ndaj askujt.

Krejt në fund, më lejoni t’iu përkujtoj Kosova është një nga rastet më të suksesshme të shtetëndërtimit dhe paqendërtimit në histori të OKB-së dhe qeverisjes ndërkombëtare.

Rezoluta 1244 është përmbushur qe një kohë të gjatë. Ne kemi përmbushur edhe Planin e Ahtisaarit që rezultoi vjeshtën e kaluar me përmbylljen e suksesshme të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.

Deri më sot, Kosova është njohur nga më shumë se gjysma e anëtarëve të OKB-së, dhe është anëtare e Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar, dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe shumë nismave tjera rajonale.

Kosova është në proces të integrimit në BE si shtet anëtar i barabartë me të gjithë shtetet tjera. Kosova ka instaluar qeverisje demokratike, ka ndërtuar një shoqëri multi-etnike, dhe është duke shënuar rritje dhe qëndrueshmëri ekonomike.

Pra, Republika e Kosovës ka krijuar subjektivitet ndërkombëtar i cili duhet të mirëpritet nga të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit.

Për më tepër, në të ardhmen e afërt, duke u bazuar në zhvillimet në Kosovë dhe në rajon, e në mënyrë të veçantë duke qenë të bindur se Kosova dhe Serbia do t’i normalizojnë marrëdhëniet ndërshtetërore si rrjedhojë e procesit të dialogut, atëherë ne më të drejtë presim që në të ardhmen e afërt, Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të përgatis dhe miratoj një rezolutë të re e cila do ta bëj Kosovën anëtare të barabartë të OKB-së si një shtet paqedashës dhe i gatshëm të respektoj rendin dhe përgjegjësitë ndërkombëtare.

Ju faleminderit! 

Last modified: 14 Maj, 2022

Comments are closed.