Zyra e Kryeministrit

Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në lansimin e Platformës së Punësimit të Garantuar për të Rinjtë

6 Shkurt, 2023


Prishtinë, 6 shkurt 2023

I nderuari ministër i Financave Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati,
Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar, ministrat znj. Rozeta Hajdari dhe z. Hajrulla Çeku,
Të nderuar zëvendësministra, znj. Edona Maloku – Bërdyna,
Të nderuar përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,
I nderuari përfaqësues i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Jean Christophe Favre
Të nderuar përfaqësues të odave ekonomike të Kosovës,
Të nderuar të pranishëm,
Të dashur qytetarë,

Punësim dhe drejtësi është titulli i zotimit dhe i programit tonë.

Qeveria jonë në vazhdimësi ka hartuar e përkrahur politika të cilët synojnë nxitjen e punësimit dhe qasje më të lehtë në tregun e punës dhe këtë ta bëjmë për të gjithë, pa dallim. Kjo ka të bëjë edhe me drejtësi – sepse nevojitet drejtësi në qasje e trajtim në shoqëri, përveç se në salla gjyqi e në reformën e sistemit të drejtësisë.

Vitin e kaluar, kemi zbatuar skema të cilët kanë pasur synim punësimin e grupeve të ndryshme shoqërore: gratë, personat me aftësi të kufizuara, e me familjet të cilat nuk kanë asnjë anëtar të punësuar.

Përmes masës 1.3 u punësuan afër 5000 gra e vajza. Përmes masës 1.6 u punësuan 239 persona me aftësi të kufizuara. Ndërkaq përmes skemës “Qeveria për Familjet”, 770 familje u bënë me një anëtar të punësuar.

Nga sot, po fillojmë pilotimin e Skemës së Punësimit të Garantuar për të Rinjtë. Nëpërmjet saj, Qeveria do të subvencionojë 264 Euro pra në lartësinë e pagës minimale që ka kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe atë për për 6 muajt e parë të punësimit.

Lansimi i platformës “superpuna” angazhim i kamotshëm i ministrisë së Financave, Punës dhe Trasnfereve është njëkohësisht edhe dhe konkretizim i përkushtimit të Qeverisë në rritjen e punësimit të të rinjve dhe mbështetjen e punëdhënësve tanë si dhe e shënon përmbushjen edhe të një tjetër premtimi për qytetarët e Republikës.

Duke u ofruar të rinjve mundësinë për të fituar përvojë të vlefshme pune dhe për të zhvilluar aftësitë e tyre, ne po ndërtojmë një fuqi punëtore të aftë, e cila do ta rrisë ekonominë e vendit.

Ndërkohë, po vazhdojmë mbështetjen ndaj sektorit privat në angazhimin e fuqisë së re punëtore, e cila ka të gjithë potencialin që të bëhet motor i zhvillimit të këtij sektori.

Rininë e kemi aset të së tashmes. E kemi edhe potencial të së ardhmes. Kujdesi, vëmendja dhe investimi ynë në ta sot, është angazhimi, kontributi dhe investimi i tyre në vendin tonë nesër.

Më lejoni që të falënderoj të gjitha ata të cilët kanë kontribuar dhe ndihmuar në finalizimin e kësaj ndërmarrjeje, veçanërisht ambasadën e zvicerane në Kosovë.

Për detajet e skemës do të flasë ministri Murati, por fillimisht më lejoni që t’ia kaloj fjalën, z. Favre nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.

Ju faleminderit.

 

Last modified: 6 Shkurt, 2023

Comments are closed.

×