Zyra e Kryeministrit

Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në konferencën për media

18 Qershor, 2022

Prishtinë, 18 qershor 2022

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës.
Të nderuar gazetarë,

Drejtësia dhe sundimi i ligjit janë shtylla të shtetit demokratik. Në mungesë të drejtësisë nuk mund të flasim për të drejtat e njeriut, për konkurrencë të lirë, për investime në ekonomi e as për punësim e demokraci.

Për këtë, programi ynë politik, i përkthyer edhe në plan qeverisës, synon mbi të gjitha drejtësinë.

Jo rrallë herë drejtësia është sfiduar në mënyra që nuk mund dhe nuk duhen toleruar.

Kërcënimet e atilla janë kërcënim ndaj mirëqenies dhe vetë jetesës sonë. Është detyrë e jona dhe obligim ndaj qytetarëve tanë, që të veprojmë përmes reformave të mira e përmbajtësore në dobi të drejtësisë dhe sundimit të ligjit.

Kur flasim për drejtësinë, mendojmë në radhë të parë për pushtet të fuqishëm gjyqësor, që vepron me efikasitet e në bazë të parimeve të profesionalizmit dhe integritetit, përmes prokurorëve energjikë e gjyqtarëve të mençur, që merr fuqinë përmes urtësisë e autoritetin nga besimi qytetar.

Të gjithë jemi dëshmitarë të njollosjes së shpeshtë të gjyqësorit nga vetë gjyqtarë e prokurorë me veprime e sjellje të pamatura e të pandërgjegjshme, të korruptuara apo të ngjyrosura politikisht.

Gjyqësorja e tillë kërcënon lirinë e sfidon shtetësinë. Gjyqësorë të atillë nuk duhen.

Reformimi i gjyqësorit përbrenda nën ndikimin e mekanizmave aktualë e akterëve momentalë, nuk është i mundur.

Këtë e kemi të konfirmuar edhe me opinionet e pranuara nga Komisioni i Venecias.

Përderisa nuk ka dyshim që mekanizmat e ndërtuar kanë potencial të sigurojnë pavarësi, të njëjtën nuk mund ta bëjnë nën drejtimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të mveshur me dyshimin për mungesë etike, profesionalizmi e efikasiteti.

Prandaj, rivlerësimin e verifikimin e aftësive të krerëve të pushtetit gjyqësor e prokurorial, e nisim me mekanizmat e jashtëm, të pavarur nga çdo ndërhyrje.

Të nderuar të pranishëm,

Sot jam para jush së bashku me Ministren e Drejtësisë, zonjën Albulena Haxhiu, për të prezantuar fillimin e reformës substanciale në sistemin gjyqësor, vetingun dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Të dy këto, të vlerësuara lart edhe nga Komisioni i Venecias, që Qeverisë së Republikës së Kosovës ia ka falur besimin e plotë, profesional për të jetësuar reformën e premtuar.

Besimi që kemi marrë nga ju në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit të kaluar, na ka dhënë kurajo në luftimin e krimit, korrupsionit dhe politizimit në gjyqësor, kurse Komisioni i Venecias na bindë që reformat e propozuara janë adekuate dhe në pajtim me politikat e shteteve demokratike.

Të dashur qytetarë,

Që nga fillimi i mandatit tonë qeverisës dhe afrimi i pushtetit me qytetarin, ju keni ardhur shpesh për ta shprehur pakënaqësinë me procedurat e tejzgjatura gjyqësore, mosveprim të prokurorisë, humbje të mirëqenies, për shkak të joprofesionalizmit e ndarje selektive të drejtësisë.

Ato që na i keni treguar ju, kanë korresponduar me ato që i kemi ditur ne. Vetingu është i domosdoshëm, porsi edhe konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.

Sot fillojmë me jetësimin e punës njëvjeçare të Ministrisë së Drejtësisë, në realizimin e këtyre proceseve jetike për Kosovën me përkrahjen e Komisionit të Venecias.

Gjithçka që kërkohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, që e drejtoj unë, do t’i dërgohen Kuvendit në një afat rekord, pasi që reforma më nuk mund të presë e qytetari më nuk mund të durojë.

Besimi i qytetarit do të përkthehet në punë, kurse puna në rezultat të pritur për më shumë se një dekadë.

Pas miratimit të Strategjisë për Sundimin e Ligjit, reformimin e sistemit prokurorial dhe planifikimit të krijimit sa më të shpejtë të Gjykatës Komerciale, hapim rrugën për vetingun e shumëpritur, të kompletuar me Ligjin për Byronë për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.

Siç e dini, këtë të fundit, Kryeparlamentari Glauk Konjufca e ka dërguar në Komision të Venecias, duke dëshmuar përkushtim ndaj profesionalizmit në ndërmarrjen e veprimeve konkrete për të luftuar të padrejtën.

Për këtë, Komisioni i Venecias jo vetëm që na ka treguar afinitet të plotë, por ka kërkuar edhe zgjerim të kompetencave të mekanizimit për verifikimin e pasurisë së pajustifikuar.

Të gjitha këto do t’i jetësojmë së bashku me ju e me mbështetjen tuaj.

I gëzohem sot po aq sa ju, fillimit të ri për sundimin e ligjit dhe kthimit të besimit të të gjithë neve në pushtetin gjyqësor.

Ju faleminderit, e tash po ia kaloj fjalën Ministres së Drejtësisë, zonjës Albulena Haxhiu, e cila ka ateruar në Aeroportin e Prishtinës para më pak se një ore e gjysmë dhe na është bashkëngjitur në këtë konferencë të jashtëzakonshme për media.

Last modified: 14 Korrik, 2022

Comments are closed.

×