Zyra e Kryeministrit

Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në konferencën për media pas mbledhjes së rregullt të Qeverisë

24 Gusht, 2022

Prishtinë, 24 gusht 2022

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Të nderuar gazetarë,

Sapo përfunduam mbledhjen e 94 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ku i miratuam 24 vendime.

Sot, në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës, morëm vendim për vazhdimin e mbështetjes nga Qeveria, për qëndrimin e gazetarëve ukrainas në Republikën e Kosovës. Përveç strehimit e mundësimit për të vazhduar raportimin e gazetarëve, ky është një akt simbolik i solidaritetit tonë me popullin ukrainas. Derisa jemi në këtë konferencë, në oborrin e ndërtesës së Qeverisë sonë po valojnë flamujt e Ukrainës. Është dita e tyre e pavarësisë dhe njëkohësisht shënojmë edhe gjashtëmujorin e agresionit dhe invazionit të pajustifikuar e të pajustifikueshëm e të paprovokuar të Federatës Ruse ndaj shtetit dhe popullit të Ukrainës.

Politikat tona janë në përputhje me vlerat e përbashkëta euroatlantike. Ky është përcaktimi ynë, që përfaqëson identitetin tonë politik dhe orientimin tonë historik.

Në linjë me këtë, sot themeluam Komisionin Ekzekutiv për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian, si një grup ndër-institucional, që do të jetë përgjegjës për përgatitjen e aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në mbledhjen e sotme, shqyrtuam e miratuam pesë projektligje për disa marrëveshje financiare.

Miratuam dy Projekt-rregullore: për Financimin e Dërgimit të Forcës së Sigurisë Jashtë Vendit dhe atë për Procedurat Konkurruese dhe Pranimin për Nëpunësit Administrativ dhe Mbështetës.

Në vazhdimësi të masave mbrojtëse për konsumatorët dhe operatorët ekonomikë, në kuptim të rregullimit të çmimeve të produkteve të naftës, plotësuam dhe ndryshuam Udhëzimin Administrativ për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme dhe Masat e tjera Mbrojtëse.

Morëm vendim për obligimin e të gjitha institucioneve publike, që të sigurojnë qasje në ujë të pijes, brenda të gjitha institucioneve dhe hapësirave publike.

Ndamë mjete buxhetore për zbatimin e masës 3.7 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike – Mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike, si dhe miratuam vendimin në lidhje me zotimin e ndërmarrë më parë nga Qeveria për të subvencionuar tarifat e konsumatorëve, vlera 41 milionë euro, ndërkaq Avokaturës Shtetërore, ia ndamë gjysmë milioni euro.

Me qëllim të forcimit të zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, miratuam udhëzimet administrative për Autoritetet përgjegjëse për realizimin e të drejtave të fëmijës; dhe Këshillin për të drejtat e Fëmijës.

Po ashtu, miratuam Koncept-dokumentin për Art dhe Kulturë, që do të vendosë themelet për strukturë të qëndrueshme për zhvillimin e pandalshëm të fuqisë kreative të vendit tonë, duke ritheksuar që kemi pasë një vit të jashtëzakonshëm sa i përket ngjarjeve kulturore dhe skenës artistike në Kosovë.

Detajet e këtyre vendimeve u prezantuan në mbledhjen që sapo përfundoi.

Unë iu falënderoj për pritjen dhe vëmendjen tuaj dhe jam i hapur për pyetjet e tuaja tani.

Last modified: 24 Gusht, 2022

Comments are closed.

×