Zyra e Kryeministrit

Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në konferencën e përbashkët për media me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

31 Korrik, 2022

 

Prishtinë, 31 korrik 2022

Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në konferencën e përbashkët për media me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli:

Të nderuar të pranishëm,

Ju faleminderit që keni ardhur sot në këtë konferencë për medie, dhe që po e mirëprisni këtë lajm të mrekullueshëm për vendin tonë.

Deri më tani, qytetarët e Republikës së Kosovës kanë përjetuar kriza energjetike të vazhdueshme. Me nënshkruarjen e Marrëveshjes së Programit Kompakt për sektorin e energjisë, Qeveria jo vetëm që i ka thelluar marrëdhëniet me aleatin tonë kryesor perëndimor, por konkretisht ka filluar punën për transformimin e sektorit energjetik duke pasur për bazë pavarësinë energjetike, qëndrueshmërinë e sektorit dhe ruajtjen e ambientin.

Në Washington DC nënshkruam marrëveshjen me të cilën Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit janë pajtuar t’i japin Kosovës grant në vlerë prej 202 milionë dollarë. Ky është granti më i madh i njëhershëm në histori të Kosovës së çliruar. Qeveria e Kosovës është zotuar se do ta mbështesë programin me 34,7 milionë dollarë si bashkëfinancim, duke çuar kësisoj vlerën totale të programit në 236,7 milionë dollarë.

Investimet e programit Kompakt do të jenë pronë e Kosovës dhe do t’i përfshijnë tri projekte:

E para është rezerva dhe arbitrazh të energjisë, apo bateritë me kapacitet 340 MW;
E dyta është zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë, dhe
e treta është Projekti i Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim.

Këto tri projekte do të ulin nevojën për blerje të shërbimeve rregulluese, do të ulin koston e importit të energjisë, dhe do të përshpejtojnë kyçjen e burimeve të ripërtritshme në rrjet.
Paralelisht zhvillohen kuadro profesionale në fushën e energjisë si dhe nxiten investime në sektorin privat.

Andaj është bërë një hap i madh në sektorin e energjisë por gjithashtu edhe në atë të ekonomisë, andaj tash po ia kaloj fjalën nikoqires, Ministres së Ekonomisë, zonjës Artane Rizvanolli, njëherazi edhe nënshkruese e këtij programi Kompakt me Kryeshefen e Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, zonjës Alice Albright.

 

Last modified: 31 Korrik, 2022

Comments are closed.

×