Zyra e Kryeministrit

Fjala e kryeministrit Kurti në parakalimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës me rastin e 15-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës

17 Shkurt, 2023

Prishtinë, 17 shkurt 2023

E nderuar Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu,
I nderuari President i Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj,
E nderuara zëvendës presidente e Bullgarisë znj. Lotova
I nderuari Kryetar i Kuvendit, z. Glauk Konjufca,
Të nderuar zëvendëskryeministra e ministra, deputetë të Kuvendit,
Shkëlqesi ambasadorë e drejtues të misioneve diplomatike në Kosovë,
I nderuari komandant i Forcës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari,
Të nderuara familje të dëshmorëve e veteranë të luftës së UÇK-së,
Të nderuar prijës fetarë,
Të nderuar udhëheqës e përfaqësues të institucioneve shtetërore,
Të nderuar partner të organizatave ndërkombëtare dhe vendore,
Të nderuar motra dhe vëllezër nga Tirana, Shkupi, Ulqini, Presheva, Medvegja, Bujanoci, Sanxhaku, dhe mërgata jonë,
Të nderuar ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës,
Të dashur qytetarë të Republikës,
Zonja dhe zotërinj,

Në rrugëtimin e përditshëm të shoqërisë dhe të popullit tonë, janë disa ditë të shënuara kur qëllimshëm e ndërrojmë ritmin e ecjes, për të parë deri ku na kanë sjellur hapat e së kaluarës dhe si duhet të vazhdojmë me hapa të tjerë drejt së ardhmes. E këtillë është dita e sotme, kjo e premte e datës 17 shkurt e vitit 2023, kur po e shënojmë ditëlindjen e 15-të të pavarësisë sonë.

Në këtë 15- vjetor sot këtu, ritmi i ecjes sonë është i përcaktuar nga ritmi i hapave të këmbëve të ushtarëve dhe policëve të Kosovës. Këta djem dhe vajza, që do të parakalojnë para nesh në sheshin qendror të kryeqytetit të republikës, janë bijtë dhe bijat e këtij vendi, të betuar për ta mbrojtur edhe me jetën e tyre, sovranitetin e territorin si dhe rendin e ligjin e Republikës së Kosovës. Këto rrugë ku do të parakalojnë forcat tona, janë rrugë kur dikur në kohëra të dhimbshme parakalonin protestuesit, demonstruesit e paarmatosur dhe është dashur shumë dhembje, shumë punë, shumë sakrificë që të vijmë në këtë ditë kur parakalojnë forcat tona të armatosura. Në këto rrugë, në këto sheshe teksa ne në 15-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë kujtojmë Demaçin, Rugovën dhe Jasharajt. Këta tre shënjues të historisë sonë më të re, secilës përherë i rikthehemi për ta mbajtur sigurt dhe qartë rrugën përpara.

Betimi i ushtarakëve tanë, i policëve tanë i manifestuar në gatishmëri dhe i përkthyer në funksion, u dëshmua disa herë në sfidat e sigurisë që vendi ynë ka kaluar gjatë muajve të fundit. Duke i realizuar me efektivitet të lartë detyrat e tyre në të gjithë vendin, policët e Kosovës treguan jo vetëm profesionalizmin e lartë të tyre tashmë të njohur, por edhe vetë nivelin e aftësive të shtetit të Kosovës për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë në vend, karshi gjithë kompleksitetit të tyre.

Gjersa në sfond po ndryshon gjendja globale e sigurisë, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kanë intensifikuar punën për të shtuar radhët e tyre me ushtarë të rinj, për të rritur përgatitjet me trajnime të vazhdueshme, për të ngritur kapacitetet me armatime moderne, si dhe për të përforcuar aftësitë bashkëvepruese me aleatët tanë strategjikë nëpërmjet pjesëmarrjes në misione ndërkombëtare.

Vjet i kemi bërë edhe 820 ushtarë dhe 31 oficerë më shumë, kurse sivjet edhe 612 ushtarë të rregullt më shumë dhe 388 rezervista më shumë. Buxheti për mbrojtjen në vitin që lamë pas e kemi rritur për 52 për qind e sivjet edhe për 20 për qind të tjera.

Të dashur qytetarë,

Me ushtarë dhe policë kaq të përkushtuar si këta që do të marshojnë sot para nesh dhe mes nesh, hapat e mëtutjeshëm të shtetit tonë, do të jenë përherë e më të sigurtë sikur dhe ecja jonë bashkë me të do të jetë më e palëkundur. Kam kënaqësinë të bëj këto konstatime për forcat tona të sigurisë, në këtë përvjetor të 15-të të krijimit të shtetit tonë të cilit i shërbejnë ato, bashkë me urimet më të mira për ngritje të vazhdueshme të nivelit në të gjitha aspektet e punës së tyre.

Ashtu si ditën kur u shpall, më 17 Shkurt 2008, deri më sot, sikurse edhe sot, si dhe më tutje çdo ditë, Republika e Kosovës ishte, është dhe do të vazhdojë të jetë shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj pa dallime etnike, religjioze, kulturore apo të tjera.

Sepse Kosova është vendi i një republike parlamentare të krijuar pas shumë përpjekjesh dhe sakrificash individuale dhe kolektive, procesesh shoqërore për emancipim dhe betejash politike për afirmim, të shtrira gjatë pothuajse gjithë shekullit XX-të, derisa kulmuan më 2008, me aktin themeltar të shpalljes së pavarësisë dhe krijimit të shtetit tonë të përbashkët.

Të dashur qytetarë,

Liria është paradigma jonë e parë dhe e pakontestueshme; barazia është parimi ynë në çdo qasje; drejtësia është norma e trajtimit të secilit mes nesh; humanizmi është mënyra jonë se si ne jemi; demokracia është çfarë bëjmë me atë që kemi; Perëndimi me të dy krahët e tij, Evropën dhe Amerikën, janë areali i madh ideor dhe kulturor ku përkasim historikisht; Bashkimi Evropian si union shtetesh dhe NATO-ja si aleancë partnerësh strategjikë, janë organizatat ku aspirojmë të integrohemi; forcimi i institucioneve të shtetit dhe mbrojtja e territorit janë prioritete politike; ngritja e mirëqenies së qytetarëve është detyrë e përbashkët si shoqëri; talentet duhet të gjejnë kushte për realizim dhe gjithashtu të përjetohet personalisht nga secili qytetar i shtetit tonë mundësia e barabartë që jep institucioni i republikës.

Prandaj le të vazhdojmë bashkë përpara, sepse e kaluara e lavdishme e popullit tonë, është krenaria jonë e përbashkët sot. Por ajo ka një peshë të pamatshme të rënduar ndër shekuj nga vlerat e paçmuara të dëshmorëve dhe heronjve, që sakrifikuan gjithçka nga jeta e tyre deri në vdekje për lirinë tonë, për mbijetesën si trashëgimi, për vazhdimësinë si kolektiv, si dhe për mirëmbajtjen dhe kultivimin e popullit tonë si subjekt i historisë.

Andaj sa herë që festojmë ditëlindjen e shtetit tonë, gjithmonë nisemi nga kujtimet tona të përbashkëta për dëshmorët dhe për martirët, për paraardhësit tanë prej të cilëve e kemi trashëguar Kosovën dhe vetë jetën tonë, si dhe për secilën jetë njerëzore që ka derdhur djersë dhe gjak, e që ka shkrirë mendje dhe trup për të mirën e përbashkët të këtij vendi dhe për ruajtjen e jetës e për jetesën e mirë në të.

Duke marrë shembuj nga paraardhësit tanë që punuan aq shumë për ditë më të mira sikur kjo, duke ruajtur kujtesën mes brezave dhe kultivuar vazhdimësinë historike dhe institucionale, ne do të jemi edhe më të motivuar, por edhe më të vetëdijshëm si për të kaluarën tonë ashtu edhe për të ardhmen që e synojmë.

Historia vibron nga jehona e vetëdijes së popujve për liri. Andaj le t’i dëgjojmë me vëmendje e le t’i ndjejmë me zemër ata zëra si dhe çdo zë që na flet me vërtetësi dhe origjinalitet, për qenien tonë historike, për ekzistencën tonë njerëzore, për shpresën tonë për të ardhmen!

Gëzuar 17 Shkurti, ditëlindja e pavarësisë dhe urime 15-vjetori i shtetit të Kosovës.

Ju faleminderit.

 

Last modified: 17 Shkurt, 2023

Comments are closed.

×