Zyra e Kryeministrit

Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në konferencën e përbashkët për media me Presidenten Osmani pas vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

30 Korrik, 2022

Prishtinë, 30 korrik 2022

Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në konferencën e përbashkët për media me Presidenten Osmani pas vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës:

Faleminderit presidente,

Faleminderit të nderuar gazetarë, punonjës të mediave që i jeni përgjigjur pozitivisht ftesës sonë për këtë konferencë për media këtu në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” dhe njëkohësisht mirë se ju gjetëm, meqenëse pas kthimit tonë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më së pari po ju takojmë pikërisht juve.

Ishte një vizitë e shkëlqyeshme dhe shumë e frytshme. Në njërën anë kishim nënshkrimin e marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkatësisht programin “Kompakt” me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit, në vlerë prej mbi 200 milionë dollarë dhe në anën tjetër takimin tejet të përzemërt dhe të dobishëm për vendin tonë dhe marrëdhëniet bilaterale me Sekretarin Amerikan të Shtetit, z.Antony Blinken.

Në programin “Kompakt” siç e kemi shpjeguar edhe më herët bashkë edhe me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, parashihet një grant prej mbi 200 milionë dollarë, pra nuk bëhet fjalë për kredi që duhet të kthehet, bëhet fjalë për një grant i cili i ipet vendit tonë për sektorin e energjisë, me theks të veçantë tek bateritë akumuluese, dhe gjithashtu tek trajnimet dhe ngritja e shkathtësive profesionale në sektorin e energjisë, me potencim tek pjesëmarrja e grave.

Ju e dini që ne do të përqendrohemi tek burimet e ripërtëritshme dhe pikërisht përqendrimi tek burimet e ripërtëritshme që sipas “Strategjisë së Energjisë 2022 – 2031”, shkon deri në 1400 megavat në vitet në vijim, madje edhe shpresojmë ta tejkalojmë këtë numër, ka nevojë për bateri akumuluese.

Pra, burimet e ripërtëritshme në të cilat ne do të përqendrohemi do të kenë nevojë për bateri akumuluese dhe jemi me shumë fat që MCC-ja, Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit na ka dalur në ndihmë pikërisht në këtë aspekt tejet të rëndësishëm për pavarësinë e gjenerimit të energjisë karshi konsumit që sa vije e rritet, edhe për shkak të ekonomisë që po rritet në Republikën e Kosovës.

Siç e tha edhe Presidentja Osmani, takimi me Sekretarin Blinken ishte fort i veçantë, sepse në njërën anë është konfirmim i aleancës sonë të fortë, i partneritetit tonë të gjerë, i miqësisë sonë të thellë, por në anën tjetër gjithashtu është edhe hapje e një kapitulli të ri ku reformat demokratike në Kosovë dhe sfidat para së cilave ndodhet jo vetëm Kosova po i gjithë kontinenti, për shkak të invazionit rus në Ukrainë, kërkojnë një shtim të bashkëpunimit të Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dhe ne këtë e synojmë si në aspektin e mbrojtjes e të sigurisë, poashtu edhe në atë të integrimit ndërkombëtar dhe pa harruar investimet në ekonomi, investimet amerikane, të cilat do të punojmë që të shtohen, dhe kemi shumë besim që edhe marrëveshja për grantin mbi 200 milionësh nga MCC-ja do të kontribuoj në këtë drejtim.

Në kohën kur Kosova është vendi më pro demokratik, pro evropian, pro amerikan në Ballkanin Perëndimor, kjo vizitë e merr një vlerë të shtuar, sepse është edhe mirënjohje e falënderim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Kosova po e dëshmon vetën si një rrëfim suksesi i ndërhyrjes së NATO-s, ku ajo ndërhyrje udhëheqej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i zhvillimit ekonomik që shkon bashkë me një demokraci cilësore.

Pra, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vlerësojnë lartë progresin në Kosovë. Ndërkaq, ne edhe në takim, edhe sot, edhe përditë u jemi shumë mirënjohës dhe falënderues Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndihmën, mbështetjen dhe përkrahjen e tyre të pakursyer e të parezervë në secilën fazë të shtetndërtimit tonë demokratik e të zhvillimit tonë socio- ekonomik.

Në fund dua të potencoj që në javët, muajt e vitet në vijim duhet të shohim se si të bashkojmë përgjegjësitë institucionale me shoqërinë, me komunitetet në Kosovë dhe me të gjitha projektet e proceset, ashtu që koha e humbur në të kaluarën të kompensohet me shpejtësi, për shkak se duhet t’i shtojmë përpjekjet që Kosova të përballet sa më suksesshëm me këtë krizë të shumëfishtë.

Ju e dini që në njërën anë nuk mund të thuhet që pandemia COVID-19 ka shkuar, ndërkaq në anën tjetër nuk duket askund se lufta në Ukrainë ka përfunduar. Prandaj, ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm, shumë vigjilentë që t’i bashkojmë forcat, dhe pasojat e kësaj krize të shumëfishtë të ndjehen sa më pak. Dhe këtu ne shohim angazhimin tonë të brendshëm, rolin e Shteteve të Bashkuar të Amerikës dhe urën tonë të bashkëpunimit shumëdimensional si vendimtare për suksesin përpara.

Edhe njëherë i falënderojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që e kanë bërë Kosovën një vend që të lavdërohet gjithandej për sukseset e saj dhe për cilësinë e vlerave demokratike properëndimore që mbizotërojnë në vendin tonë.

Last modified: 30 Korrik, 2022

Comments are closed.

×