Zyra e Kryeministrit

Fjala e Kryeministrit Kurti në Interpelancën e ftuar nga opozita parlamentare për masat urgjente të Qeverisë në raport me situatën e krijuar në vend

30 Nëntor, 2022


Prishtinë, 30 nëntor 2022

I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Glauk Konjufca,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,
Të dashur qytetarë të Kosovës,

Me 23 nëntor të këtij viti në mbledhjen e 109 të qeverisë dhe me 24 nëntor këtu në Kuvendin e Republikës, unë kam treguar para jush rrjedhen e takimit të nivelit të lartë mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë me 21 nëntor.

Teksti i propozuar nga zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe për Siguri, z. Borrell si draft deklaratë që mëtohej të lëshohej në fund të takimit e që në fakt përbënte ftesën për takim, i kishte katër paragrafë. Dy nga ta bënin thirrje për përqëndrim, me urgjencë, në “Propozimin e BE-së”, të përkrahur nga Gjermania dhe nga Franca për normalizim të marrëdhënieve duke vendosur edhe një afat për arritjen e marrëveshjes para marsit 2023. Pra, marsi 2023 për herë të parë përmendet në ftesën e Borrellit dhe Lajçakut për takimin që u zhvillua pastaj.

Në parim ne u pajtuam me këtë ftesë dhe i blemë biletat për Bruksel. Tash në kuadër të atyres diskutimeve që kishim atje ne gjithmonë e kemi vënë theksin tek “Propozimi i BE-së”për marrëveshje. Dialog si dialog për marrëveshje, jo dialog për proces, apo dialog për të zgjidhur një problem të vogël. Konvertimi i targave ilegale në disa komuna në veri të Kosovës është e drejtë e qytetarëve të Republikës por njëkohësisht është edhe obligim i qytetarëve. Dhe ne, këtë obligim e kemi zbatuar duke paraqitur edhe incentiva financiare për të gjithë ata që bëjnë konvertimin e targave. Le të mos harrojmë që janë disa mijëra atarga të tilla dhjetëra mijëra serb tashmë i kanë konvertuar targat ilegale me ato RKS. Ka edhe të atillë që i kanë konvertuar në targa të Serbisë BG, NI, KG e kështu me radhë. Por ëshët një pakicë për brenda pakicës serbe që nuk i ka konvertuar, le të mos e krijojmë përshtypjen që bëhet fjalë për shumicën e pakicës, por për pakicën e pakicës, sepse të dhënat në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës e vërtetojnë e një gjë të tillë.

Ne ishim dakord që të pezullonim veprimet e mëtejshme, përkatësisht bëhej fjala për gjobat që pasonin qortimet, lidhur me konvertimin e targave nëse Serbia do të pezullonte lëshimin e targave me denominime të qyteteve të Kosovës.

Pra, fokusim me urgjencë dhe me një afat të caktuar në propozimin Franko-Gjerman dhe në mes pezullim të veprimeve të mëtejshme të targave sa i përket gjobave në Kosovë, e të lëshimit të tyre në Rashkë të Serbisë. Ky ishte propozimi ynë shumë racional dhe ndodheshim fare pranë tij për ta arritur një deklaratë të përbashkët, të cilën mëpastaj do ta paraqiste z. Borrell.

E përsëris që takimi i së hënës nuk ishte i suksesshëm pasi nga fokusi tek “Propozimi i BE-së” i mbështetur nga Franca e Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u kalua vetëm tek veprimet në lidhje me konvertimin e targave ilegale në ato RKS. Unë ua përsërita çfarë u kam thënë me 18 gusht, se nuk jam as polic, as komandant stacioni, as zyrtar dogane, as shef kadastri, jam Kryeministër i Republikës së Kosovës dhe kam ardhur për marrëveshjen finale. E ata e dinin se unë kam të drejtë, sepse takimi i 18 gushtit më ka dhënë të drejtë. Pika e parë është korniza e përgjithshme e marrëveshjes, pika e dytë është çështjet aktuale.

Të mërkurën, me 23 nëntor, u arrit pikërisht kjo që mund të arrihej të hënën. Pra, pezullim i veprimeve të mëtutjeshme sa i përket targave, në njërën anë gjobitjen e atyre ilegale në Kosovë dhe në anën tjetër ndalim i lëshimit të tyre në Serbi.

Në gjykimin tim, dakordimi i së mërkurës nuk ishte i mundshëm pa zhvillimet e së hënës, se të hënën u panë shumë gjëra, mbi të gjitha u pa braktisja e propozimit të Bashkimit Evropian, pikërisht nga ndërmjetësi.

Gjithsesi, tani jemi në një situatë tjetër. Ne kemi bërë pezullim të veprimeve për t’i dhënë hapësirë marrëveshjes sipas propozimit evropian apo franko-gjerman, të cilën qysh në fillim e kemi quajtur bazë e mirë për diskutim. Sepse është e bazuar mbi vlera, jo përbrenda asaj ideologjisë së zgjidhjes unike të problemve të veçanta, me pafund hollësi që e bën sëcilin ta humb interesimin për të mandej.

Tani i takon sponzoruesve të këtij plani që në një afat sa më të shpejtë të arrijmë një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve.

Ashtu edhe siç kam deklaruar në ditën e inaugurimit në këtë Kuvend, dialogu me Serbinë është një ndër temat kapitale në të cilat ne synojmë konsensus politik e shoqëror.

Në këtë drejtim unë kam ftuar vazhdimisht krerët e subjekteve politike për konsultim e bashkërendim, duke përfshirë edhe thirrësin e kësaj interpelance.

Ne jemi vend demokratik dhe debatet e kritikat konstruktive forcojnë dhe mprehin argumentet tona. Ne mund të mos pajtohemi çdoherë për qasje në dialog, se cilat janë strategjitë e taktikat më të mira, dhe këtu besoj që dallojmë, por ajo që besoj se na bashkon është qëllimi ynë i përbashkët për forcimin e sovranitetit të Kosovës dhe ruajtjen e integritetit territorial.

Qytetarët e Kosovës kanë votuar masivisht për ndryshim dhe për një qasje të re ndaj dialogut me Serbinë.

Prandaj unë kritikat i mirëpres, ato janë të mirëseardhura, por unë besoj që në të njëjtën kohë duhet ta kuptoni saktësisht edhe qartësinë, vendosmërinë, drejtësinë dhe dobinë e kësaj qasje të re.

Sikur të ishim në qeveritë e kaluara ku shumica bëhej e varej nga Lista Serbe, me siguri që do të kishte edhe mocion mosbesimi për ta rrëzuar Qeverinë. Por ja që kjo nuk është e mundur tash reciprociteti me targa, reciprociteti me letërnjoftime do të ishte motiv i mjaftueshëm për ata që provojnë ta rrëzojnë Qeverinë. Mirëpo ka ndodhur ndryshimi i madh dhe besoj që të gjithë duhet të gëzohemi se Republika e Kosovës ka një Qeveri nuk varet për mazhorancë nga votat e Listës Serbe.

Pavarësia nga Serbia është edhe pavarësi nga strukturat ilegale dhe ndikimin e tyre destruktiv në politikë që e kanë prej se ekzistojnë.

Shtrirja dhe mbrojtja e sovranitetit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës nuk është diçka e jashtëzakonshme. Është obligim i yni kushtetues e ligjor i institucioneve të sigurisë dhe është betim i yni i përbashkët që e kemi bërë në këtë Kuvend. Në këtë kuptim, Policia e Kosovës nuk është duke bërë asgjë të jashtëligjshme e as të jashtëzakonshme por është duke zbatuar misionin e saj kushtetues dhe ligjor.

Të gjitha aktivitetet e Policisë së Kosovës, duke përfshirë nga patrullimet rutinore e deri te operacionet e veçanta, në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, nuk janë bërë asnjëherë me qëllim ndaj një etnie të caktuar, në zona të caktuara apo për arsye të caktuara, asnjëherë. Polica nuk e ndjek askënd sipas përkatësisë etnike por sipas veprimeve e sjelljeve individuale e grupore.

Natyrisht, në asnjë vend tjetër si në veri nuk është luftuar më shumë angazhimi i drejtë dhe ligjor i Policisë së Kosovës. Kjo ka ndodhur sepse me vite të tëra veriu i vendit ka qenë i kontrolluar nga Beogradi përmes grupeve të ndryshme kriminale të cilat në disa raste kanë pasur edhe mbështetje nga qeveritë, e së fundmi u konfirmua haptasi që kanë pasur mbështetje edhe nga strukturat e larta të menaxhmentit të policisë në Drejtorinë Rajonale të Veriut.

Policia jonë e ka zbatuar çdo ditë ligjin dhe kudo misionin e tyre për sundim të ligjit e cila duhet ta ketë shënjestër krimin e organizuar dhe korrupsionin, përndryshe nuk ka kuptim. Është e vërtetë që Policia si askund tjetër është sfiduar pikërisht në veri të vendit. 11 herë janë bllokuar e sulmuar për t’u eliminuar por nuk janë ndalur asnjëherë. Janë realizuar 38 operacione policore nga të cilat 33 operacione janë të antidrogës, janë shkatërruar 6 laboratore të drogës me investime qindra milionëshe, janë sekuestruar mbi 40 kilogramë substanca narkotike, rreth 110 mijë euro dhe mbi 370 mijë dinar serb. Prandaj janë sulmuar zyrtarët policor sepse kanë shkundur themelet e grupeve kriminale atje. Dhe unë ju falënderohem e ju jam përjetë mirënjohës për këtë punë sakrifikuese që e kanë bërë. Ata që janë kundër ligjit ata e duan paligjshmërinë. Ata nuk e kanë hall veprimin e Policisë tonë, por e kanë hall praninë e Policisë tonë. Ata e duan paligjshmërinë.

Policia e Kosovës nuk është penguar asnjëherë nga serbët lokal, për shkak të angazhimit në atë zonë, zyrtarët tonë policor falënderohen çdo ditë nga qytetarët në veri për punën dhe angazhimin në ofrimin e sigurisë për ta. Dëshmia se serbët lokal nuk kanë asnjë problem me ne dhe me institucionet tona është edhe procesi i pranimit të qortimeve nga ana e tyre për përdorimin e targave ilegale. 1800 qortime janë shpërndarë deri në mëngjesin e datës 24 nëntor dhe nuk është shënuar asnjë ankesë, asnjë vërejtje apo asnjë incident gjatë shpërndarjes së tyre në pika kufitare dhe në komunikacion ndërsa procesi i regjistrimit të gjithë e kemi parë që ka vijuar me kërcënime e sulme ndaj qytetarëve që janë pajisur me targa RKS. Atyre i’u janë djegur veturat dhe pronat e tyre në mbrëmjet e ditëve që i kanë pranuar e vendosur targat RKS. Pra, asnjë vërejtje për 1800 vërejtje tona.

Policia e Kosovës është ballafaquar me dorëheqje të orkestruara nga Beogradi të eprorëve policor në veri e me dorëheqje pas kërcënimeve ndaj zyrtarëve të tjerë policor. Policia në atë zonë është ballafaquar me çdo lloj sfide andaj edhe këtë po e menaxhojnë suksesshëm që të jenë në nivel detyres për çdo qytetar pa dallim, e të mos lënë askund vakum.

Policia Kufitare në Leposaviq deri kur kemi ardhur në Qeveri ka pasur vetëm 1 zyre të vogël pune, e ndërkohë që ajo është vija kufitare me më së shumti qarkullim, rrjedhimisht, më herët ka pasur më shumë kontrabandë dhe kalim ilegal të kufirit, por ka munguar vullneti për luftim të këtyre, e rrjedhimisht edhe për forcim të kapaciteteve policore.

Tani i kemi 3 stacione policore të vijës së gjelbër të kufirit që angazhohen në luftim të kontrabandës, trafikimit me qenie njerëzore dhe çdo ilegaliteti atje, në Jarinje, Bërnjak dhe Jasenovik. 3 i kemi, e kemi gjetur një zyre të vogël tash janë 3 stacione. 4 stacione të reja janë ngritur për njësinë e ndërhyrjes së shpejtë të kufirit, pjesë e departamentit të kufirit. Ky njësit nuk ka ekzistuar deri më tash dhe është themeluar për asistim në rastet e kontrabandës, trafikimit e të tjera.

Në pikën dy të rezolutës thuhet “komunikim me serbët lokal për të kthyer besimin e ndërsjellë”: Komunikimi me qytetarët lokal serb është duke ndodhur, e njëkohësisht janë duke ndodhur edhe investime. Ka pasur në vazhdimësi takime me OJQ serbe dhe me qytetarë serb për t’i adresuar brengat e nevojat e tyre. Po themi që ka edhe komunikim edhe investim, pas 22 vitesh është investuar në veri në infrastrukturë që të ju shërbejë të gjithë qytetarëve atje. Për herë të parë po shtrohen rrugët që lidhin fshatrat në veri të vendit në Cerajë, Koshtovë, Bistricë, Dedin, Batahir dhe Manxherë. Pra, qytetarëve po ju afrohet qasje më e shpejtë dhe më e lehtë e qarkullimit. Ndërkaq, gjatë javëve në vazhdim do ta mbështesim edhe Telekomin që ta zgjerojë rrjetin edhe në komunat veriore të vendit, me vlerë prej 1 milionë euro. Pra, rend dhe ligj, investim e zhvillim. Kjo është krejt çka ju duhet të gjithëve, e ne jemi të angazhuar maksimalisht që më përkushtim të kryejmë këtë detyrë e përgjegjësi të cilët na e kanë besuar neve qytetarët.

Dhe krejt në fund, çështja e trajtimit të dorëheqjeve të zyrtarëve policor nuk është vendim i imi, as i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Nuk është vendim politik. Vendim politik ka qenë dorëheqja politike, për bindjen time për arsye të pa qena, thoshin morale e individuale e teksti krejt i njëjtë për secilin prej tyre. E njëjta krizë morale e individuale i kishte kapur kolektivisht bash secilin prej tyre, me tekstin identik të dorëheqjes, ky është vendim politik. Tash unë e përsëris thirrjen time që asnjë serb të mos i braktis institucionet dhe kjo është thirrje ime e vazhdueshme, do të jetë e këtillë edhe në ditët në vijim. Institucionet nuk janë të Qeverisë dhe institucionet nuk janë vetëm të një komuniteti por të gjithë qytetarëve të Republikës. Mirëpo aty ku ka vakum duhet të ketë aplikime të reja për punë. Vendimi politik i dorëheqjes nuk mund të pasohet me thirrje politike për kthim, por me aplikim profesional, të atyre që i duan ato vende të punës, natyrisht që të gjithë janë të mirëseardhur. Për këtë nuk e vendos as Kryeministri e as Ministri i Brendshëm, pra kjo rregullohet sipas procedurave të brendshme dhe rregulloreve të Policisë së Kosovës që vlejnë për të gjithë zyrtarët pa asnjë dallim. Përkundër kësaj situate, ne do të angazhohemi vazhdimisht që Policia e Kosovës të jetë në gjendjen maksimale të gatishmërisë për të gjithë qytetarët pa dallim etnie, feje, moshe, gjinie, por edhe në zbatim të misionit të saj kushtetues në mbrojtjen e sovranitetit dhe të integritetit territorial të vendit tonë.

Ju falemnderit për vëmendjen dhe bashkëpunimin.

Last modified: 1 Dhjetor, 2022

Comments are closed.

×