Zyra e Kryeministrit

E gjithë Kosova dhe kombi shqiptar edhe sot, edhe nesër i ka sytë dhe mendjen tek ju, – iu thotë kryeministri Thaçi futbollistëve të Reprezentacionit Shtetëror të Kosovës, një ditë para ndeshjes miqësore ndërkombëtare Kosovë-Haiti

4 Mars, 2014

Prishtinë, 4 mars 2014

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi dhe Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ka vizituar Reprezentacionin e Kosovës në futboll, gjatë stërvitjeve një ditë para ndeshjes futbollistike miqësore mes Republikës së Kosovës dhe Haitit.

Pasi është përshëndetur dhe ka bashkëbiseduar me lojtarët, trajnerin dhe gjithë ekipin mbështetës të Kombëtares së Kosovës në futboll, kryeministri Thaçi ka uruar ata për një ndeshje të suksesshme dhe për një paraqitje dinjitoze në fushë.

Gjatë vizitës në fushën e futbollit në Kastriot, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, në prezencë të futbollistëve dhe trajnerit të Kombëtares së Kosovës, i dhuroi kryeministrit Thaçi fanellën e Kombëtares kosovare, me emrin e kryeministrit.

Në vazhdim, po e japim të plotë deklarimin e Kryeministrit Thaçi, pas vizitës:

Kam ardhur t’ju vizitoj dhe t’ju inkurajoj për lojën e nesërme. Ju uroj sukseset më të mira.

E gjithë Kosova dhe kombi shqiptar edhe sot, edhe nesër i ka sytë dhe mendjen tek ju.

Kemi besim të plotë që keni me pas sukses dhe do të dërgoni mesazhin e gëzimit për familjet tona.

Ju jeni nderi jonë, krenaria jonë. Faleminderit që keni ardhur, ju keni bashkangjitur reprezentacionit shtetëror të Kosovës.

Të jeni të sigurt që ky është vetëm fillimi i mbarë dhe i suksesit – njëherë me ndeshje miqësore dhe pastaj do të marrim pjesë edhe në gara tjera ndërkombëtare, edhe në kampionatet botërore edhe evropiane, si dhe nëpër kupa të tjera.

Ne ju kemi përcjell kudo që luani. Ndihemi shumë krenar. Ju lumtë!

Edhe nesër, natyrisht shpresojmë dhe besojmë në fitore. 

Last modified: 4 Mars, 2014

Comments are closed.

×