Zyra e Kryeministrit

Adresimi i plotë i kryeministrit Kurti në njëvjetorin e fillimit të agresionit dhe invazionit rus në Ukrainë

24 Shkurt, 2023

 

Prishtinë, 24 shkurt 2023

Më poshtë gjeni adresimin e plotë të kryeministrit Kurti në njëvjetorin e fillimit të agresionit dhe invazionit rus në Ukrainë, në ceremoninë pritëse dhe të ndarjes së falënderimeve për gazetarët ukrainas në Kosovë:

E nderuara Presidente e vendit, znj. Osmani-Sadriu,
I nderuari Kryetar i Kuvendit, z. Konjufca,
Të dashur gazetarë nga Ukraina,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues diplomatikë, dhe ju të pranishëm,

Në mëngjesin e hershëm të 24 shkurtit të vitit të kaluar, pasi kishte grumbulluar mbi 200 mijë trupa afër kufirit, Federata Ruse filloi agresionin ushtarak ndaj Ukrainës.

Sulmi ishte i paprovokuar dhe i pajustifikuar. Ishte sulm mbi botën e civilizuar, mbi lirinë dhe demokracinë, vlerat tona themelore dhe mënyrën tonë të jetës.

Republika e Kosovës e kishte dënuar dhe vazhdon ta dënojë fuqishëm agresionin Rus në Ukrainë. Vendosëm menjëherë sanksione dhe shprehëm gatishmërinë tonë për të strehuar deri në 5 mijë refugjatë nga Ukraina.

Sot bëhen një vit të agresionit brutal të Rusisë mbi Ukrainën. Një vit i granatimeve dhe shkatërrimit të qyteteve dhe i vrasjeve dhe masakrave ndaj civilëve.

Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës ishte shokuese, por jo edhe befasuese. Ajo erdhi si rezultat i tolerimit për një kohë të gjatë të aventurave ushtarake të një presidenti despotik. Pasojë e shtypjeve të së drejtave e lirive të njeriut, rritjes së autokracisë dhe glorifikimit të miteve e të kaluarës perandorake. Sidomos përgjatë vitit 2021 kur kremtonte pëvjetorët shekullorë –800 vjet nga Aleksandar Nevski dhe 300 vjet nga Pjetri i Madh – u bë e qartë që presidenti Putin kishte zëvendësuar plotësisht vajtimin për rënien e Bashkimit Sovjetik me nostalgjinë për Rusinë Cariste.

Më 24 shkurt 2022, Kremlini deshi që në Kiev ta përsërisë atë që e kishin bërë mongolët në vitin 1242. Rusët në shekullin XXI po i imitonin mongolët e shekullit XIII. Një invazion barbar, i rëndë për nga mendimi i cekët dhe i cekët për nga armatimi i rëndë. Kështu duket invazioni rus nga Kievi, nga Prishtina dhe nga e gjithë Evropa.

Zonja e zotërinj,

Sot po ashtu bëhen një vit të rezistencës së pashembullt të një populli liridashës.

Të panumërta janë tregimet për guximin dhe sakrificën e ushtarëve ukrainas, përkushtimin e tyre ndaj vendit dhe kauzës që mposhti shanset kundër tyre për sukses. Historitë e qëndrueshmërisë dhe këmbënguljes së njerëzve të zakonshëm për të luftuar e çliruar vendin e tyre kanë mobilizuar botën e lirë për të ndihmuar e për t’u solidarizuar.

Nga 24 shkurt 2022 deri më 12 shkurt 2023, Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara në Ukrainë ka regjistruar 18,955 viktima civile. Prej tyre, 7,199 të vrarë dhe 11,756 të plagosur[1].

Sipas Misionit të OKB-së për Monitorimin e të Drejtave të Njeriut në Ukrainë (HRMMU), burrat përbëjnë 61.1 për qind të viktimave të konfirmuara të civilëve dhe gratë 39.9 për qind. Të paktën 487 fëmijë janë vrarë dhe 954 janë plagosur.

Gati 18 milionë njerëz kanë nevojë urgjente për ndihmë humanitare kurse 14 milionë njerëz janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre[2]. Kostoja e dëmeve të luftës ka arritur në 138 miliardë dollarë kurse kostoja e rindërtimit llogaritet të jetë në 350 miliardë[3].

Populli i Kosovës i kupton shumë mirë këto shifra. Vuajtjet dhe dhimbjet që shkaktojnë për vitet e dekadat që vijnë.

E në një ditë të zymtë si kjo, megjithatë jemi të lumtur që Kosova jonë është bërë shtëpi e 12 gazetarëve ukrainas. Me urimin që është bërë shtëpi edhe si ndjenjë, përveçse strehë, do të jemi pranë jush si popull, si shoqëri, si institucione, si dje, si sot, si nesër.

Rezistencë, solidaritet, mbështetje deri në fitore.

Ukraina duhet të fitojë sepse vetëm kështu do të ruhet paqja e demokracia në kontinentin e Evropës.

Ju faleminderit.

[1] https://www.ohchr.org/en/news/2023/02/ukraine-civilian-casualty-update-13-february-2023#:~:text=From%201%20to%2012%20February%202023%2C%20OHCHR%20recorded%20262%20civilian,not%20yet%20known)%3B%20and

[2] https://news.un.org/en/story/2023/02/1133737

[3] https://www.reuters.com/world/europe/external-backers-pour-billions-into-ukraine-counter-war-damage-2023-02-17/

Last modified: 24 Shkurt, 2023

Comments are closed.

×