Zyra e Kryeministrit

Adresimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e 84-të të Qeverisë

22 Qershor, 2022

Prishtinë, 22 qershor 2022

Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,
Zëvendëskryeministre Rexhepi, ministra e zëvendësministra,

Mirë se e gjejmë njëri-tjetrin në mbledhjen e 84-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Pas më shumë se 20 vitesh, buxhetit të Republikës së Kosovës do t’i kursehen dhjetëra milionë euro në vit, të paguara më herët për mbulimin e kostove energjetike të veriut të vendit.

Katër komunat në veriun e Kosovës, do të kalojnë në një rend të rregullt të furnizimit, faturimit dhe inkasimit të pagesave për konsumin e energjisë elektrike, në bazë të sistemit rregullativ dhe ligjor të Republikës së Kosovës.

Udhërrëfyesi i dakorduar në takimin e djeshëm në Bruksel do ta mundësojë këtë. Bashkimi Evropian do ta mbikëqyrë zbatimin e këtij dakordimi. E me zbatimin e këtij udhërrëfyesi, do të mundësohet përfundimi definitiv i një problematike të trashëguar, tё pagesёs sё energjisё nё katër komunat nё veri tё vendit.

Kemi trashëguar shumë gjëra që nuk kemi dashur. Po bëjmë më të mirën me atë çfarë kemi trashëguar. Siç jemi zotuar, pas 20 vitesh po e ndalim një padrejtësi dhe gjakderdhje financiare në atë pjesë të vendit dhe po përfundojmë një problematikë në sektorin e energjisë.

Ky sektor është prioritar për Qeverinë e Republikës së Kosovës, pasi prekë çdo aspekt të jetës së qytetarëve tanë.

Për këtë arsye ne kemi marrë përsipër detyrën e rëndësishme të zhvillimit të një Strategjie Kombëtare të Energjisë, në mënyrë që sektori ynë i energjisë të niset për një tranzicion të drejtë energjetik – tranzicion i cili do të diversifikojë miksin e energjisë, do të ruajë sigurinë e furnizimit, do të promovojë energjinë e pastër dhe bashkëpunimin rajonal, në radhë të parë me Shqipërinë, por edhe me vendet e tjera.

Strategjia e Energjisë 2022-2031, po finalizohet përmes proceseve demokratike, transparente e gjithëpërfshirëse.

Ministrja jonë e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli, po vazhdon konsultimet publike anëmbanë Kosovës për draftin e Strategjisë së Energjisë, si dhe shqyrtimet e vazhdueshme me profesionistë dhe ekspertë të shumtë. Andaj shpresoj që sa më shumë qytetarë do të bashkohen në këto diskutime, që të kemi një strategji e cila u shërben më së miri të gjithëve, e një sektor të energjisë që furnizon e trajton në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët.

E trajtimin e barabartë të të gjithë qytetarëve të Republikës sonë, në raport me konsumin dhe pagesën e energjisë elektrike do ta mundësojë zbatimi i udhërrëfyesit të dakorduar dje.

Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që transformimin e sektorit të energjisë ta bëjë duke siguruar drejtësi sociale.

Ne do të vazhdojmë punën për një të ardhme energjetike të Kosovës më të ndritshme, më të qëndrueshme, e në shërbim të zhvillimit të shtetit tonë.

Ju falemnderit e tash po kalojmë në pikat e shumta të rendit të ditës të parapara për sot.

Last modified: 15 Korrik, 2022

Comments are closed.

×