Zyra e Kryeministrit

Adresimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e 69-të të Qeverisë

13 Prill, 2022


Prishtinë, 13 prill 2022

Të dashur qytetarë,
Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra

Dje bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, z.Hekuran Murati prezantuam masat e reja të Pakos së Ringjalljes Ekonomike në vlerë prej 100 milionë euro. Sot në këtë mbledhje do të votojmë vendimet për këto masa, nga të cilat përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë apo praktikisht secila familje e Republikës sonë.

Në këtë mbledhje kemi edhe disa vendime të tjera tejet të rëndësishme. Atë për projektligjin, që i hapë rrugë rritjes së pagës minimale në 264 euro bruto, nga e cila do të përfitojnë 100 mijë punëtorë. Po ashtu, hiqet tatimi për pagën minimale, nga e cila do të përfitojnë të gjithë punëtorët. Në rend të ditës kemi edhe propozim-vendimin për ndalimin e përkohshëm të eksporteve të produkteve themelore agroushqimore. Në rrethanat aktuale ky vendim synon të sigurojë furnizimin e qytetarëve me produkte bazë si, gruri, misri, mielli, vaji ushqimor, kripa e kuzhinës dhe sheqeri.

Sot do të miratojmë edhe rishikimin e buxhetit për këtë vit, i cili me këtë rishikim do të rritet nga 2.75 në 2.9 miliardë euro. Unë gëzohem që ky kabinet qeveritar tashmë i ka bërë të përjavshme vendimet, që e vendosin në qendër qytetarin.

Masat mbështetëse që i prezantuam dje nuk janë politika fiskale apo politika zhvillimore, e as nuk synojnë t’i zëvendësojnë këto të dyja. Ato janë politika sociale, mbështetëse për qytetarët në një kohë sfiduese. Nëpërmjet tyre po rishpërndajmë rritjen ekonomike prej 10.53%, e cila është arritur, përpos tjerash, falë politikave zhvillimore të qeverisë sonë. Siç edhe konstaton Fondi Monetar Ndërkombëtar, rritja ekonomike në vendin tonë është stimuluar nga tre faktorë kyç: menaxhimi i suksesshëm i pandemisë nëpërmjet një fushate efektive të vaksinimit; mbështetja e diasporës; dhe zbatimi i Pakos së Ringjalljes Ekonomike. Më lejoni t’ua rikujtoj se në kuadër të pakos:

– është edhe skema e punësimit të garantur për të rinj, që shumë shpejt do të lansohet,
– janë masat për punësim, që kanë ndikuar në punësimin e mbi 10 mijë personave, prej të cilëve kemi edhe formalizim të vendeve të punës – që sot po ashtu përfitojnë nga shtesat prej 100 euro,
– dhe, kemi mbështetur prodhuesit vendor në zgjerimin e kapaciteteve të tyre.

Ne mund të jemi Qeveria e parë e Republikës së Kosovës, që po bën një rishpërndarje të tillë të parave te qytetarët kur ata kanë nevojë. Ndoshta edhe mund të jemi prej vendeve të rralla që po veprojnë kështu. Por, gjithsesi nuk jemi të vetmit, që po zbatojmë masa si këto. Në tetorin e vitit të kaluar, Franca kishte ndarë nga 100 euro për punëtorët e sektorit privat dhe publik dhe për pensionistët si përgjigje ndaj rritjes së inflacionit. Kurse muajin e kaluar Gjermania ka vendosur që ndër të tjera të ndajë 300 euro shtesë të njëhershme për të gjithë punëtorët, si përgjigje ndaj rritjes së çmimit të energjisë.

Nëse në rastin e Francës dhe Gjermanisë është pasuria e kombeve dhe fuqia ekonomike e tyre, që mundëson këso masa mbështetëse, në rastin tonë janë besimi në institucione dhe etika tatimore e qytetarëve, që po e bën të mundur këtë mbështetje. Vitin e kaluar të hyrat buxhetore u rritën për 1/3. Këtë tremujor, të hyrat përveçse janë më të larta se sa vitin e kaluar – afër 17%, edhe një herë janë më të larta se sa parashikimet e vet institucioneve. Këto janë para të qytetarëve, të cilat ne po ua kthejmë qytetarëve kur ata kanë nevojë, sepse ata kanë nevojë. Prandaj është tejet e rëndësishme, që të përsërisim thirrjen që të blejmë sa më shumë produkte vendore dhe të kërkojmë kuponët fiskalë për produktet dhe shërbimet e paguara.

Në fund, asnjëri nga ne, anëtarë të kabinetit qeveritar, nuk do të përfitojë nga shtesa prej 100 euro, por e ftoj secilin prej nesh që të votojnë për ata që do të përfitojnë nga këto shtesa.

Ju falemnderit.

 

Last modified: 13 Maj, 2022

Comments are closed.

×