Zyra e Kryeministrit

Adresimi i Kryeministrit Kurti në mbledhjen e 92-të të Qeverisë

10 Gusht, 2022

Prishtinë, 10 gusht 2022

Të dashur qytetarë,

Përgjatë muajit korrik, bashkë me Ministrinë e Punëve të Brendshme kemi dhënë njoftime mbi vendimet tona për regjistrimin e automjeteve me targat zyrtare RKS dhe sqarimet për procedurat dhe lehtësimet. Edhe unë vet jam përfshirë në fushatën e informimit. Ndërkaq, që Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar të gjitha njoftimet në gjuhën shqipe dhe serbe, teksa ka pasur aktivitete informuese edhe në terren.

Por, përballë fushatës sonë të informimit për vendimet e qeverisë të datës 29 qershor dhe thirrjes për ligjshmëri u ngrit një fushatë e dezinformimit, e cila nxiste frikë dhe synonte destabilitet. Ajo ishte vetëm në shërbim të barrikadave. Në përbërje me individë të armatosur e me të kaluar kriminale, barrikadat u bënin rezistencë vendimeve tona vetëm që të mbronin krimin e organizuar në veri të vendit.

Të dashur bashkëqytetarë,

Konvertimi i targave të automjeteve nga ato ilegale në ato RKS i shërben rendit dhe ligjit, sigurisë publike dhe lëvizjes së lirë në të gjithë Republikën tonë. Duke i kontribuar këtyre qëllimeve në të njëjtën kohë mund të përfitohet nga lirimi nga taksa doganore, taksa administrative, tarifa për targën dhe tarifa për pajisje me certifikatë të regjistrimit të mjetit – që në vlerë totale kapin shifrën prej rreth 5000 euro.

Në anën tjetër, vendimi për pajisje me dokumentin për hyrje-dalje në pikat kufitare për ata që prezantojnë dokumente të lëshuara nga autoritet serbe nuk do ta pengojë lirinë e lëvizjes. Koha e pritjes për t’u pajisur me këtë dokument shtesë është mesatarisht 20 sekonda. Ndërkohë që për një masë të njëjtë për tash e 11 vjet sa herë që ne udhëtojmë në Serbi duhet të presim ndërmjet 10 dhe mbi 60 minuta.

Kam dëgjuar për lajmin e rremë se ID-të ose dokumentet serbe do të konfiskohen në kufi në këmbim të dokumentit për hyrje-dalje. Kjo nuk është e vërtetë. Dokumenti për hyrje-dalje është dokument shtesë, i cili jepet pa pagesë dhe me të cilin mund të mirren edhe shërbime të tjera në institucionet tona shtetërore gjatë kohës së qëndrimit në Kosovë. Më 1 gusht, për aq sa ishte vendimi në fuqi, në pikat kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishin lëshuar gjithsej 2,679 dokumente për hyrje-dalje. Asnjë incident nuk ishte shënuar dhe as edhe një ankesë nuk ishte deponuar.

Askush nuk është imun ndaj lajmeve të rreme dhe dezinformatave ndërkaq që rreziku prej tyre është shumë i madh. Po jetojmë në një epokë sfiduese andaj na duhet kujdes i shtuar. Sot, dezinformimi paraqet rrezik për sigurinë kombëtare. Ju bëj thirrje edhe një herë që të përciellni me vëmendje njoftimet nga qeveria jonë dhe institucionet tjera vartëse, të verifikoni burimet e lajmeve dhe të mos lejoni që të dezinformoheni nga ata që synim mund ta kenë destabilizimin.

Fushata jonë e informimit për regjistrimin e tabelave të veturave do të vazhdojë dhe nuk do të ndalet as pas 1 shtatorit, kur edhe do të rifillojnë së zbatuari dy vendimet tona.

Në fund, dua të ju falënderoj për durimin, për vetëpërmbajtjen dhe për pjekurinë që keni treguar të dielën e 31 korrikut dhe të hënën e 1 gushtit.

Ne e dimë që barrikadat që rëndom vendosen në veri nuk vijnë nga poshtë por vendosen nga lartë. Ato as nuk përfaqësojnë juve qytetarët tanë, e as nuk i mbrojnë juve. Kurse në anën tjetër, Policia e Kosovës dhe institucionet tjera të sigurisë, edhe përbëhen nga qytetarët tanë pa dallim edhe janë në shërbimin të qytetarëve tanë pa dallim.

Ju faleminderit.

Last modified: 10 Gusht, 2022

Comments are closed.

×