Zyra e Kryeministrit

Adresimi i kryeministrit Kurti në mbledhjen e 62-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës

23 Shkurt, 2022

Prishtinë, 23 shkurt 2022

Adresimi i plotë i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në fillim të mbledhjes së 62-të të Qeverisë

I nderuari kabinet qeveritar,
Zëvendëskryeministre, ministra e zëvendësministra
Të dashur qytetarë,

Sot po mbajmë mbledhjen e 62-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës e cila që përkon me 11 mujorin e marrjes së mandatit qeverisës. Me 23 mars të vitit 2021, përafërsisht në këtë orë e morëm detyrën si Qeveri e re. Pra, nevojitet edhe një muaj që të bëhet viti i parë i mandatit tonë katërvjeçar.

Reformimi i prokurimit publik është ndër pikat më të rëndësishme në luftimin e korrupsionit dhe parandalimin e keqpërdorimit të parasë publike, të kthimit të besimit në institucione, si dhe rritjes së perspektivës socio-ekonomike e të mirëqenies së qytetarëve.

Andaj sot, do të parashtrojmë për shqyrtim dhe miratim, propozim-vendimin për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës, dy kandidatë për anëtarë të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

E që punëtorëve, pa dallim nga sektori ku punojnë, t’u mundësohet jetë e dinjitetshme, kemi filluar ndërmarrjen e hapave të nevojshëm drejt përmbushjes së një zotimi tjetër tonin e që është rritja e pagës minimale. Me projektligjin e përgatitur do të evitojmë të gjitha pasiguritë ligjore ekzistuese. Ndërsa në koordinim me Këshillin Ekonomiko-Social, së shpejti do të propozojmë nivelin e pagës minimale.
Lidhur me punësimin, sot kam marrë një vendim, që obligon organet e administratës shtetërore, që gjatë vitit 2022 të plotësojnë kuotën për punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara. Po ashtu, organet e administratës obligohen të ndërmarrin veprime për të siguruar qasje në institucione për të punësuarit me aftësi të kufizuara, në pajtim me Ligjin për Aftësimin, Riaftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara.

Vendimi ka hyrë në fuqi sot, ndërsa angazhimi ynë i përbashkët në përmbushje të këtij obligimi, vazhdon çdo ditë.
Siç vazhdon edhe puna për të përmbushur programin qeverisës, duke u qëndruar besnik synimeve tona, për të jetësuar të drejtat dhe interesin e qytetarëve dhe të vendit.

 

Last modified: 23 Shkurt, 2022

Comments are closed.

×