Zyra e Kryeministrit

Adresimi i Kryeministrit Kurti në mbledhjen e 116-të të Qeverisë

28 Dhjetor, 2022


Prishtinë, 28 dhjetor 2022

I nderuar kabinet qeveritar,
Të dashur qytetarë të Republikës,

Sot, në mbledhjen e 116-të të radhës, shënojmë vitin e dytë kalendarik të qeverisjes sonë. Me plot 578 vendime të miratuara, përfshirë këto të mbledhjes së sotme. Pra, në krahasim me vitin e kaluar, jemi 19 për qind më lart. Ndër to, 71 projektligje të miratuara, 70 emërime, 23 koncept-dokumente, 13 udhëzime administrative, 9 projekt-rregullore dhe 6 nisma legjislative.

Ka qenë një vit me sfida, por edhe me arritje, ngritje dhe zhvillim të gjithmbarshëm.
Kthesën e Kosovës drejt zhvillimit e progresit tashmë e kanë vërtetuar edhe matjet e pavarura të raporteve ndërkombëtare.

Buxheti, që miratuam me mbi 3.2 miliardë euro, është buxheti më i lartë ndonjëherë, me një rritje prej 16.84 për qind me buxhetin bazë e 10.8 për qind krahasuar me buxhetin e rishikuar.

Këtë vit Kosova u ngrit për 17 vende në Transparency International për luftën kundër korrupsionit. Pra, Kosova ka filluar të çlirohet nga korrupsioni, të çlirohet jo vetëm nga korrupsioni si keqpërdorim i parasë publike për përfitime private, por ka filluar të përmirësohet edhe imazhi i shtetit tonë.

Njëkohësisht, në kohën kur shumica e demokracive kanë pësuar rënie e zmbrapsje në lirinë e mediave, duke kufizuar lirinë e shprehjes, Kosova është përmirësuar. Këtë vit jemi ngritur për 17 vende në lirinë e shprehjes në World Press Freedom Index.

Gjatë këtij viti jemi renditur të parët në rajon për herë të dytë për përmirësimin në sundimin e ligjit në World Justice Project, e madje këtë vit madje jemi edhe të dytët në botë sa i përket përmirësimit në sundimin e ligjit.

Përkushtimi ynë në lehtësimin e shërbimeve për qytetarët ka bërë që në indeksin e Bankës Botërore të kalojmë nga grupi C në grupin B për fokusin në qeverisje digjitale.

Pas një pauze të gjatë, të panevojshme e të dëmshme, Kosovën e kemi kthyer fuqishëm drejt integrimeve evropiane e euro-atlantike.

Me 9 mars kemi themeluar grupin punues për anëtarësim në NATO.
Me 12 maj dorëzuam zyrtarisht Aplikimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Me 14 dhjetor nënshkruam e me 15 dhjetor dorëzuam Aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Këto tri organizata të rëndësishme mbikombëtare e ndërqeveritare të sigurisë, demokracisë e të prosperitetit, janë qëllimi e orientimi ynë strategjik.

Këtë vit, Raporti i Vendit për Kosovën është vlerësuar si një ndër raportet më të mira me zhvillim të konsiderueshëm. Këtë vit, për herë të parë që nga viti 2012 nuk flitet më për dukuri negative të emërimeve apo ndërhyrjeve politike në rekrutime.

Me gjithë këto zhvillime pozitive erdhi edhe përgjigja e shumë pritur, e padyshim e vonuar, nga Bashkimi Evropian për heqjen e kufizimit të vizave për Kosovën me efekt nga 1 janari i vitit 2024. Pra, ky vit ishte vit i arritjeve, zhvillimit dhe përmirësimit të gjithmbarshëm. Por, ishte edhe vit i sfidave.

Falë vaksinimit masiv e bashkëpunimit të qytetarëve, pandemia COVID-19 është menaxhuar me sukses, por virusi dhe rreziku nga ai mbetet ende aktiv. Kujdesi e përkujdesja jonë duhet të shtohen. E krahas sfidës së pandemisë, e cila ndikoi në masë të madhe në ekonomi, këtë vit kishim edhe krizën e energjisë, e cila u vështirësia së tepërmi pas agresionit të Federatës Ruse në Ukrainë.

Kosova është rreshtuar fuqishëm kundër agresionit të Rusisë në Ukrainë dhe është solidarizuar me popullin e Ukrainës.
Në linjë me politikën e Bashkimit Evropian, kemi aprovuar pakot e sanksioneve kundër Federatës Ruse. Kemi strehuar gazetarët Ukrainas, ku 12 tashmë janë banorë të kryeqytetit tonë. Po ashtu kemi ofruar strehimin e deri në 5 mijë refugjatëve ukrainas, e gjithashtu e kemi strehuar 1893 refugjatë afganë.

Ndikimi i luftës në Ukrainë ka prekur jo vetëm sektorin e energjisë, por në një efekt zingjiror ka sjellur edhe një shkallë të lartë të inflacionit, ku kemi rritje të çmimeve në pothuajse secilin produkt.
Duke pasur një ekonomi kryesisht të importit, bashkë me produktet kemi importuar edhe çmimet.

Ndër ngjarjet më të rënda që duhet theksuar për këtë vit, ishin vrasjet dhe dhuna e grave. Një dukuri e shëmtuar, e cila ka vënë në dukje sa mungesën e emancipimit të burrave, po aq edhe mungesën e drejtësisë në parandalimin e dhunës dhe vrasjeve përmes dënimeve meritore. Fuqizimi i gruas është prioritet në secilën politikë të qeverisë sonë, e që fillon nga edukimi deri në punësim e pavarësim.

Për barazi e rritje të mirëqenies janë zgjeruar masat e mbështetjes ndaj qytetarëve, ku për këtë qëllim janë ndarë mbi 100 milionë euro.

Është arritur që nga Skema për shtesat për lehona dhe fëmijë të përfitojnë afro 30 mijë lehona e mbi 275 mijë fëmijë.

Përmes Pakos së Ringjalljes Ekonomike janë mbështetur prodhuesit vendorë, si: Subvencionimi i kredive, 160 biznese përfituese, të cilat janë subvencionuar me mbi 3.3 milionë euro dhe Mbështetja e Eksportit me 85 përfitues në vlerë të subvencionit prej afro 600 mijë euro.

Pakoja mbështetëse prej 100 milionë euro në muajin prill: Këto masa përfshijnë dyfishimin e asistencës sociale, 100 euro shtesë për të gjithë pensionmarrësit për muajin prill, 100 euro shtesë për rreth 300 mijë punëtorët e sektorit privat, 100 euro shtesë për 80 mijë punëtorët e sektorit publik, 100 euro për 80 mijë studentët, 40 mijë pako ushqimore për familjet në nevojë. Kjo mbështetje e njëhershme ka prekur rreth 800 mijë qytetarë të Republikës së Kosovës, apo gati çdo familje në vend.

Pakoja për Përballjen me Inflacion prej 150 milionë në muajin shtator, si rezultat i inflacionit global, Qeveria është zotuar për ndarjen edhe të 150 milionëve të tjera në kuadër të Pakos për Përballjen me Inflacion, pra, përveç Pakos për Ringjallje Ekonomike, ashtu që mbështetja ndaj qytetarëve të vazhdojë. Këto masa përfshijnë subvencionimin e faturës së energjisë elektrike për ata që kursejnë energji; dyfishimin e asistencës sociale për muajin shtator; 100 euro shtesë për të gjithë pensionmarrësit; 100 euro mbështetje e njëhershme për punëtorët e ndërmarrjeve publike; 50 euro shtesë nga muaji shtator për 80 mijë punëtorët e sektorit publik; 100 euro për 80 mijë studentët, subvencionim prej 50% të rritjes së pagës për punëtorët e sektorit privat për 3 muaj.

I kemi negociuar në këtë vit 21 marrëveshje financiare në vlerë prej afro 350 milionë, prej të cilave afro 140 milionë janë grante e rreth 20 milionë euro janë bashkëfinancim.

Në kuadër të hetimeve dhe analizave për financim të paligjshëm dhe shpëlarje të pareve, janë detektuar transaksione të dyshimta, i cili më pastaj ka rezultuar në ngrirjen e rreth mbi 5 milionë eurove, të cilat dyshohen se kishin të bënin me shpëlarje të parave dhe vepra të ndërlidhura penale.

Administrata Tatimore e Kosovës ka arritur të grumbullojë të hyra tatimore prej 673.6 milionë euro gjate periudhës janar-nëntor 2022. Ky nivel i të ardhurave është rreth 121.1 milionë euro më shumë në krahasim me periudhën janar-nëntor 2021, respektivisht 21.9% më shumë. Realizimi i të ardhurave prej 673.6 milionë euro konsiderohet që ka tejkaluar planin për 15.5 milionë Euro ose 2.6%.

Dogana e Kosovës gjatë kësaj periudhe ka arritur të grumbulloj të hyra në vlerë prej 1 miliard e 381.1 milionë euro. Në krahasim me vitin e kaluar ka shënuar rritje prej 11.4%, apo 141.2 milionë euro.

Vlera e mallrave në eksport këtë vit është rritur për 23 %, nga 650.94 milionë euro eksport që ishin vitin e kaluar, këtë vit janë eksportuar mallra në vlerë prej 801.22 milionë €.

Sa i përket mjedisit dhe transportit, drejt një transporti të gjelbër e drejt një ekonomie të qëndrueshme, këtë vit kemi filluar kthimin drejt hekurudhave.

Për të rritë lidhjen me Shqipërinë dhe për të kthyer Kosovën në qendër të tregtisë në Ballkanin Perëndimor, kemi bërë hapat e parë drejt hekurudhës së re Prishtinë – Durrës dhe portit të thatë në Prishtinë.

Po ashtu këtë vit kanë filluar punimet e fazës së dytë për rehabilitimin e linjës së 10-të hekurudhore Fushë Kosovë – Mitrovicë.

Kemi përfituar më shumë se 100 milionë euro grante nga Bashkimi Evropian dhe Gjermania për trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbeturinave.

Sa i përket energjisë, pas një kohe të gjatë të mungesës së vizionit në këtë sektor, që na ka kushtuar jashtëzakonisht shumë në të kaluarën e në të tashmen, duke na ndalur hovin e zhvillimit, më në fund kemi Strategjinë e re të Energjisë 2022-2031. Kjo strategji e nxjerrë Kosovën nga terri, duke siguruar energji stabile në përputhje me rritjen e saj ekonomike dhe e drejton kah tranzicioni në energji të ripërtritshme.
Këtë vit kishim kthimin drejt energjisë së gjelbër.

Në korrik nënshkruam Marrëveshjen e Bashkëfinancimit dhe Zbatimit të Projektit “Kompakti i Sfidave të Mijëvjeçarit” në sektorin e energjisë në vlerë gjithsej prej rreth 237 milionë dollarë. Kjo marrëveshje mundëson siguri më të mirë të furnizimit me energji përmes baterive për akumulimin e energjisë elektrike me një kapacitet prej 170 megavat.

Në mars inauguruam Parkun e Erës në Selac, një investim prej 170 milionë euro me kapacitet prej 105 megavat.

Po ashtu, në mars aprovuam projektin “Solar Kosova” me një investim prej 64 milion euro, që do të krijojë një nga termocentralet më të mëdha diellore në Evropë.

Krizën e rëndë energjetike, e cila vendin tonë e gjeti me infrastrukturë të vjetër e të dobët energjetike, po e menaxhojmë përmes masave të qeverisë dhe bashkëpunimit të qytetarëve.

Në njërën, anë ne po subvencionojmë dhe investojmë në blerjen e pajisjeve efiçiente të energjisë, që ulin për 70% konsumin, e në anën tjetër po subvencionojmë kursimin e energjisë nga qytetarët. Vetëm në muajin nëntor kishim 15% kursim të energjisë në amvisëri.

Njëkohësisht kemi investuar edhe në efiçiencë të energjisë në ndërtesat publike në 7 komuna, ku janë investuar rreth 4 milionë euro dhe është arritur kursimi i energjisë në vlerë prej rreth 11 milionë kilovat orë në vit.

Gjithashtu, është përmirësuar dukshëm ambienti i të bërit biznes nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Sipas Global Data Barometer, Kosova është e para në Evropën Juglindore për të dhënat e bizneseve dhe në prokurimin publik.

Këtë vit janë rritur për 50% numri i inspektimeve, kemi shtuar për 1500% apo 16 fish më shumë rezervat shtetërore dhe është menaxhuar ndikimi i rritjes së çmimit të karburanteve në ekonomi, si dhe në xhepin e qytetarëve përmes rregullimit të çmimeve.

Në bujqësi, jemi udhëhequr nga parimi se një ekonomi e qëndrueshme nënkupton rritje të prodhimit vendor. Për të rritur prodhimet vendore në sektorin e bujqësisë janë ndarë mbi 70 milionë euro për 28 mijë fermerë, që përbënë përkrahjen më të madhe ndonjëherë nga qeveria për bujqësinë, si dhe është rritur për 44% eksporti i produkteve bujqësore dhe ushqimore.

Në aspektin e sigurisë e sundimit të ligjit, kemi miratuar Strategjinë e Sigurisë, ku qëllime kryesore në mes tjerash ka mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, sigurinë publike, mbrojtjen e rendit kushtetues dhe anëtarësimin e vendit në organizatat euro-atlantike të sigurisë.

Pas një procesi të gjatë koordinimi për të siguruar konsensus shoqëror e politik brenda vendit dhe bashkëpunim me partnerë e institucione ndërkombëtare, më në fund kemi qartësuar e trasuar rrugën për zhvillimin e Vetingut në sistemin e drejtësisë, bartës i të cilit do të jetë Kuvendi i Republikës.

Një sërë ligjesh janë proceduar në Kuvend për përmirësimin e sundimit të ligjit, duke përfshirë ligjin për Këshillin Prokurorial, për Prokurorin e Shtetit dhe Prokurorinë Speciale, për Byronë për verifikim dhe konfiskim të pasurisë së pajustifikuar, për Gjykatën Komerciale dhe ai për themelimin e institutit për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Me një buxhet prej 102.3 milionë €, më i larti ndonjëherë për Ministrinë e Mbrojtjes, jemi fokusuar në realizimin e tre objektivave kryesore; ndryshimeve legjislative, ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Ministria e Mbrojtjes ka nënshkruar marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare me Mbretërinë e Bashkuar, Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kroacinë.

Janë rekrutuar përgjatë një viti 820 ushtarë të rinj dhe 30 kadetë. Aktualisht jemi në proces të rekrutimit edhe të 612 ushtarëve aktiv, dhe 388 pjesëtarë të tjerë të komponentës rezervë.

Synimi ynë është anëtarësimi në NATO, andaj në mënyrë të vazhdueshme ushtarët tanë marrin pjesë në ushtrime përkrah ushtrive të shteteve partnere.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme kemi vazhduar me zbatimin e ligjshmërisë në gjithë territorin, duke përfshirë edhe veriun e vendit.

Zgjedhjet dhe referendumi i Serbisë, që mbaheshin në kundërshtim me Kushtetutën e ligjet e vendit tonë dhe praktikat ndërkombëtare, nuk u lejuan në Kosovë.

Janë mbyllur 16 rrugë ilegale, është përmirësuar infrastruktura rrugore dhe kanë filluar patrullimet e rregullta ujore në Liqenin e Ujmanit.

Në mbarë vendin janë kryer 850 operacione kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës. Këto operacione padyshim që kanë prishur edhe rehatinë e kriminelëve, sidomos në veri të vendit për të cilët mungesa e sundimit të ligjit ishte liri. Janë 3051 të arrestuar, prej të cilëve 288 janë zyrtarë publik. Janë shkatërruar 69 grupe kriminale e janë konfiskuar mbi 1.9 ton substancë narkotike.

Është bërë përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe kushteve të punës për zyrtarët policorë në veri të vendit. Janë ndërtuar 4 objekte dhe stacione policore dhe është bërë shtrirja e rrjetit kabllor atje.

Sa i përket situatës në komunat në veri të Kosovës, veprimeve e vendimeve të ligjshme të qeverisë e institucioneve të Kosovës i janë kundërvënë kriminelët, duke sfiduar organet e zbatimit të ligjit por edhe duke cenuar sigurinë në vend.

Fatkeqësisht, këta kriminelë, të sanksionuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, po mbështeten nga Presidenti dhe Qeveria e Serbisë me qëllim destabilizimin e rajonit, përveçse cenimin e integritetit territorial të Republikës sonë.

Institucionet e Kosovës nuk do të bisedojnë e bashkëpunojnë me kriminelë, por do t’i arrestojë ata.

Përfaqësuesit legjitim nga komuniteti serb dalin përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, kurse të drejtat e qytetarëve burojnë nga kushtetua e Republikës.

Vendosja e barrikadave në rrugë është veprim i paligjshëm, i papranueshëm dhe nuk do të tolerohet.

Në përputhje me vlerësimet e sigurisë, ne i kemi dhënë kohën dhe hapësirën e nevojshme KFOR-it për të vepruar, por kjo kohë por sigurisht që kjo kohë po shteron me shpejtësi.

Ne kemi bashkëpunim e bashkërendim me KFOR-in, prandaj edhe kjo kohë e hapësirë e nevojshme i është dhënë KFOR-it dhe me këtë rast një gjë duhet të kuptohet, se nuk mund të qëndrojë edhe parimi i lëvizjes së lirë edhe barrikadat në rrugë, që e pengojnë lëvizjen e lirë.

Një proces, me të cilin jemi angazhuar shumë në këtë vit, është digjitalizimi, shërbimet e digjitalizuara janë avancuar. Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI) përmes Platformës eKosova, e cila është platforma qendrore për ofrimin e shërbimeve të digjitalizuar, ka arritur që deri tani të ofrojë mbi 130 shërbime elektronike për qytetarët, bizneset dhe OJQ-të.

Jemi kujdesur posaçërisht për zhvillimin e barabartë. Qasje e barabartë në arsim dhe në shëndetësi, është parakusht për një shoqëri më të barabartë.

Në shëndetësi këtë vit është përmirësuar furnizimi me barna. Përqindja e furnizimit me barna nga Lista Esenciale e Barnave është rreth 70%, e ajo me material shpenzues është rreth 90% kurse furnizimi me insulina tashmë është në 100%.

Shëndetësia vazhdon të mbetet ndër sektorët sfidues, pasi edhe është sektori më i rrënuar e më i keq-menaxhuar në këto dy dekada, të cilat lamë pas.

Por, problemet do të adresohen. Sistemi shëndetësor cilësor, efikas e me qasje të barabartë, do të ndërtohet.

Ndërkaq, në arsim, kemi miratuar Strategjinë e re të 2022-2026 me qëllim arsimin cilësor dhe gjithëpërfshirës, që zhvillon potencialin dhe kompetencat e individëve dhe inkurajon mësimin gjatë gjithë jetës.

Janë liruar nga pagesa afër 43 mijë studentë; janë ndarë mbi 1,968 bursa për studentët e dalluar për studime brenda dhe jashtë vendit; 106 bursa për nxitjen e vajzave dhe djemve për profile deficitare; afro 2,000 bursa të fushave STEM; 300.000 euro bursa për nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian; 300,000 euro për qendrat mësimore te fëmijëve rom, ashkali dhe egjiptian; si dhe 350,000 euro për punë me fëmijë me talente dhe fëmijë me nevoja të veçanta.

Është bërë unifikimi i Abetares Kombëtare në bashkëpunim me Republikën e Shqipërisë dhe nga shtatori ka filluar pilotimi i arsimit dual për 4 profile dhe 5 shkolla profesionale në 3 komuna.

Në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, janë përfunduar 8 ndërtesa të infrastrukturës sportive, kulturë dhe rini, 17 të tjera janë në proces ndërtimi.

Është dyfishuar mbështetja për skenën e pavarur dhe është reformuar skema e granteve për komunitetin e artit dhe trashëgimisë kulturore.

Është bërë regjistri i Trashëgimisë kulturore në rrezik dhe është dyfishuar fondi për ndërhyrje emergjente në fushën e trashëgimisë kulturore. 65 monumente kanë shpëtuar falë ndërhyrjeve emergjente dhe restaurimeve.

Do të mbahet mend ky vit edhe si vit i Manifestës në arte vizuele dhe Traviatës në operë dhe i shumë sukseseve botërore të artistëve e sportistëve të Kosovës.

E megjithatë, përkundër këtyre arritjeve, secili duhet të masë këto rezultatet në punën e saj dhe tij, jo me progresin e shënuar në krahasim me qeverisjet e kaluara, por me potencialin që kemi përpara.

Se tashmë kemi një qeveri pa korrupsion, që nuk keqpërdorë e shpërdoron paranë publike, kjo është e qartë. Ky standard i ri dhe ky është minimumi, që meritojnë qytetarët, të cilët kanë votuar masivisht për ndryshim.

Por, është e qartë edhe se, kur nuk kemi korrupsion, kemi edhe më shumë demokraci, kemi edhe më shumë rritje. Po ashtu, që ne jemi të parët në rajon në indekset e demokracisë e zhvillimit, edhe kjo pra është bërë e qartë. Por, sërish, vend për vetëkënaqësi nuk ka. Ne jemi në garë me vetën dhe viti që vjen duhet ta krahasojmë me vitin që po e lëmë pas. Sepse unë jam i bindur që potenciali ynë është më i madh se sa aktualiteti që kemi.

E potenciali i pashfrytëzuar është kostoja oportune, të cilën e paguajmë. Shumë na kanë penguar e shumë na kanë vonuar. Prandaj, ne, pavarësisht kësaj duhet të punojmë shumë, shumë më shumë, sepse na duhen hapa të mëdhenj për të kapur kohën e humbur, që kur Kosova u çlirua, që kur Kosova u pavarësua.

Vetëm kështu ngushtojmë hendekun mes potencialit që kemi dhe të mirave që gëzojmë. Secili duhet të jetë në lartësinë e detyrës, që presin qytetarët dhe asnjëherë të mos e harrojmë se e rëndësishme është pozita, që na e kanë veshur qytetarët, e jo vetja jonë. Titujt që i mbajmë, si kryeministër, zëvendëskryeministër, ministër, ministre, zëvendësministër, janë shumë më të rëndësishëm se sa emrat e përveçëm, që i ka çdonjëri nga ne.

Ju faleminderit.

Last modified: 28 Dhjetor, 2022

Comments are closed.

×