Zyra e Kryeministrit

Adresimi i Kryeministrit Kurti në Ditën Botërore të Shëndetit Mendor

10 Tetor, 2022

Prishtinë, 10 tetor 2022

Adresimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në Simpoziumin “Shkolla në mendje”, organizuar nga Qendra për Hulumtim Psiko-Social dhe Mjekësor bashkë me Qendrën për Arsim të Kosovës, në shënim të Ditës Botërore të Shëndetit Mendor:

Përshëndetje të gjithëve,

Pjesëmarrës, studiues e mysafirë të Simpoziumit të sotëm,

Së pari u kërkoj falje që nuk jam sot aty në mesin tuaj. Angazhimet e shumta në zyre e jashtë saj, e kanë pamundësuar pjesëmarrjen time fizike bashkë me ju.

Më vjen mirë që Qendra për Hulumtim Psiko-Social dhe Mjekësor bashkë me Qendrën për Arsim të Kosovës, po e trajtojnë çështjen e mirëqenies psikologjike të nxënësve në shkollat tona, dhe atë pikërisht në Ditën Botërore të Shëndetit Mendor. U falënderoj për këtë organizim kaq të nevojshëm. Për një temë sa të ndjeshme aq edhe të rëndësishme.

Kur po e lexoja titullin e Simpoziumit “Shkolla në mendje”, seç të kthehet mendja në fëmijëri. Aty ku lidhet e ndërtohet gjithçka. Mbase fëmijëria nganjëherë na është dukur se rri në një vend, në një hapësirë, në një dimension. Por, në fakt është koha që krahas delikatesës së saj, është periudha më kreative dhe zhvilluese për fëmijët. Një e kaluar që nuk ekziston, për një të ardhme të padukshme që na pret. Gjendjen e tanishme mund ta njohim, të ardhmen mund ta hamendësojmë. Por, është detyrë e jona e secilit prej nesh, e veçanërisht e institucioneve shtetërore, ta ndërtojmë sigurinë e së ardhmes, e posaçrisht për fëmijët.

Institucioni i shkollës ka një peshë ta paneglizhuar politike e mbarë shoqërore. Çdo hap që bën shteti, pothuajse secila hallkë vendimmarrëse është e lidhur ngushtë me shëndetin, mirëqenien, edukimin dhe të drejtat e fëmijëve. Vetëm kujdesi i shtuar dhe i pandalshëm i shërben zhvillimit të plotë fëmijës.

Mësuesi e mësuesja duhet ta fillojnë ngritjen e nxënësve nga dija e tyre e gjerë dhe humane. Ata janë zgjatja e shkollimit të fëmijëve për mendje përparimtare. Duhet t’i njohin nxënësit nga veçoritë e karakterit, te intelegjenca e tyre mendore e emocionale, nga sjellja shoqërore në klasë te mjedisi familjar, nga shëndeti fizik te ai psikologjik, nga dobësitë e sfidat te shkathtësitë e sukseset, nga mosinteresimi te nxitja e kurreshtjes, e nga vetëvlerësimi i ultë te vetëbesimi i lartë. Pra, një njohje e thellë, përpos asaj edukative, paralelisht edhe ajo empatike e solidare.

Klasat tona shkollore në qendër duhet ta kenë nxënësin. Shkollat dhe mësimdhënësit duhet të krijojnë një mjedis që e mirëpret dhe frymëzon nxënësin por edhe familjen e tij a të saj. Pranda, kërkohet të nxitet një strukturë e ndërveprimeve në të gjitha nivelet: me prindërit, mësuesit, familjen e gjerë, mbikqyrësitë e punës, e ligjvënësit.

Andaj po shtohen e fuqizohen edhe shërbimet përkrahëse në shkolla që asnjë fëmijë të mos mbetet mbrapa. Sepse, secila e secili e meritojnë arsimimin cilësor. Sivjet i kemi punësuar 100 asistentë për fëmijët me aftësi të kufizuara, ndërkaq edhe 300 të tjerë janë buxhetuar për vitet në vijim. Qeveria jonë është duke punuar drejt ndryshimeve thelbësore që ka nevojë vendi ynë. Vëmendje e veçantë po i kushtohet ngritjes së cilësisë parauniversitare. Përmes Strategjisë së Arsimit 2022-2026 janë paraparë aktivitete që do të ndihmojnë në parandalimin dhe raportimin e formave të dhunës së çfarëdo mënyre.

Jemi në proces të dyfshimit të numrit të inspektorëve të arsimit, ashtu që të monitorojnë zbatimin e politikave për mbrojtjen e fëmijës, parandalimin e dhunës dhe braktisjes. Po punojmë në rishikimin e legjislacionit për angazhimin e shtuar të psikologëve e pedagogëve.

Për këto e shumë të tjera, puna duhet të jetë e përbashkët e përkushtimi maksimal nga të gjithë. Prandaj, sot, në Ditën Botërore të Shëndetit Mendor, uroj për një Kosovë ku shëndeti mendor vlerësohet, promovohet e mbrohet. Një vend ku luftohet stigma dhe realizohet e drejta për shëndet të mirë mendor e mirëqenie.

Ne kemi përqëndruar punën tonë në rritjen e fuqizimin e shërbimeve, me synimin që t’i bëjmë shkollat tona më miqësore e më të sigurta për fëmijët tanë. Pasi mbresat e viteve tona të hershme shkollore mbeten gjatë e përherë në mendjet e gjithësecilit. Gjurmët e modeleve edukative nguliten në shprehjet e sjelljet tona, ndaj vetvetes dhe ndaj njëri-tjetrit. Ato nuk mund të zhdukën. Ato duhet t’i përvetësojmë saktë e mirë, t’i shpërndajmë si udhëzues të zhvillimit e të progresit.

Udhërrëfyesi më i mirë është që mendjet e çliruara të drejtohen në njërën anë nga pasionet e ëndrrat, e në anën tjetër nga ndërgjegja e përgjegjësia.

Ju faleminderit edhe njëherë që më ftuat në këtë simpozium. U uroj mbarëvajtje të suksesshme dhe punë të mbarë e të arritura të shumta.

 

Last modified: 11 Tetor, 2022

Comments are closed.

×