Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në promovimin e librit “Një kosovar si Radomiri – Radomir Dimiq, përmbledhje shkrimesh”

12 Mars, 2025

 

Prishtinë, 12 mars 2025

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në promovimin e librit “Një kosovar si Radomiri-Radomir Dimiq, përmbledhje shkrimesh”, që u mbajt në ambientet e Bibliotekës Kombëtare.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti vlerësoi lart këtë botim, të cilin e cilësoi si testament të guximit, të së vërtetës dhe të shpirtit të pathyeshëm të njeriut. Ai theksoi se libri, përmes reflektimit të së kaluarës, pasqyron realitetin dhe shërben si një thirrje e fuqishme për të ardhmen.

“Radomir Dimiq ishte një emër i dalluar në politikë e në gazetari, por edhe një njeri që guxoi të sfidonte narrativat e kohës, të ngrinte zërin kur shumëkush heshti dhe të shihte Kosovën me sy dhe zemër të hapur. Ky libër përmbledh shkrimet e tij, rrëfimet dhe bindjet e tij, angazhimin dhe betejën e tij për drejtësinë, të vërtetën dhe pajtimin”, u shpreh kryeministri.

Duke folur për angazhimin e shkrimtarit, kryeministri tha se ky angazhim nuk ishte i lehtë, pasi Dimiq pagoi çmimin e guximit të tij duke u shpallur tradhtar në Beograd dhe duke u sulmuar nga strukturat nacionaliste shtetërore dhe para-shtetërore.

“Ai kërkoi që Serbia të pranonte përgjegjësinë për krimet e kryera në Kosovë, që të ndalej propaganda që i ndante komunitetet dhe që të hapeshin rrugët e pajtimit. “Serbia duhet të kërkojë falje për frigoriferët me kufoma shqiptarësh, për dhunimin e grave” – shtonte ai”,  deklaroi kryeministri Kurti.

Tutje, theksoi se Dimiq në shkrimet e tij vazhdimisht përsëriste nevojën për një narrativë të ndershme dhe të drejtë si dhe duke kundërshtuar versionet e shtrembëruara të historisë që mbajnë gjallë urrejtjen dhe frikën.

“Shkrimet e tij janë dëshmi e një njeriu që nuk u nënshtrua kurrë. Ai nuk e mohoi asnjëherë realitetin e dhimbshëm, por u përpoq ta ndryshonte atë. Ai e dinte që pajtimi nuk mund të ndodhë pa drejtësi dhe që drejtësia nuk është hakmarrje, por një akt përgjegjësie, qytetërimi dhe reflektimi”.

Kryeministri bëri thirrje që ketë libër ta lexojmë jo vetëm si dokument për të kaluarën e udhërrëfyes për të ardhmen, por ta mendojmë në të tashmen për një Kosovë ku e vërteta thuhet pa hezitim, ku drejtësia zbatohet pa vonesë dhe ku pajtimi synohet përnjëmend.

Kryeministri Kurti falënderoi në veçanti shkrimtarin Radomir Dimiq dhe të gjithë të pranishmit e tjerë, me ç’rast përsëriti thirrjen “ta dëgjojmë të vërtetën dhe mbi të vërtetën, të punojmë e kontribuojmë për Kosovën tonë të përbashkët”.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuar z. Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, 

I nderuari z. Nenad Rashiq, ministër për Komunitete dhe Kthim, 

I nderuari z. Abdullah Rexhepi, Dekan i Fakultetit të Filologjisë, Universiteti i Prishtinës,

I nderuari z. Dimiq, Radomir Dimiq, 

Të nderuar përfaqësues të misioneve diplomatike në vendin tonë,

Të nderuar profesorë dhe studentë,

Aktivistë të shoqërisë civile, 

Të nderuar të pranishëm, 

Zonja dhe zotërinj,

Është nder të jem sot këtu me ju për të shënuar botimin e një vepre që nuk është thjesht edhe një libër, apo një libër, por një testament i guximit, i së vërtetës dhe i shpirtit të pathyeshëm të njeriut. Një Kosovar si Radomiri është një rrëfim i së kaluarës, një pasqyrë e sinqertë e realitetit si dhe një thirrje e fuqishme për të ardhmen.

Radomir Dimiq ishte një emër i dalluar në politikë e në gazetari, por edhe një njeri që guxoi të sfidonte narrativat e kohës, të ngrinte zërin kur shumëkush heshti dhe të shihte Kosovën me sy dhe zemër të hapur. Ky libër përmbledh shkrimet e tij, rrëfimet dhe bindjet e tij, angazhimin dhe betejën e tij për drejtësinë, të vërtetën dhe pajtimin.

Radomiri e kuptoi që e vërteta shpesh nuk është e lehtë për t’u pajtuar me të, por pa të nuk mund të ketë pajtim të vërtetë. Ai nuk e pranoi të menduarit e ngurtë që e ndante botën në të mirë dhe të keqe, në fitues dhe humbës. Në shkrimet e tij, ai vazhdimisht e theksonte nevojën për një narrativë të ndershme dhe të drejtë, duke kundërshtuar versionet e shtrembëruara të historisë që i mbajnë gjallë si urrejtjen ashtu edhe frikën. Ai e dinte që pajtimi nuk vjen nga mohimi i së kaluarës, por nga pranimi i saj. “Serbët duhet ta pranojnë të kaluarën dhe të mos përsërisin gabimet e saj,” shkruan Radomiri. Ai e kuptoi që e ardhmja e një shoqërie nuk mund të ngrihet mbi mohimin, as mbi ndarjet etnike, por mbi përqafimin e së vërtetës dhe ndërtimin e urave mes komuniteteve. Ai e refuzoi qasjen e Beogradit që serbët në Kosovë ishin të huaj, ashtu siç kundërshtoi çdo përpjekje për ta trajtuar Kosovën si të ndarë e të copëtuar. Ai besoi se serbët ishin pjesë e këtij vendi sikurse shumica shqiptare, por edhe si pakicat boshnjake, turke e komunitetet tjera. 

Angazhimi i tij nuk ishte i lehtë. Ai pagoi çmimin e guximit të tij, u shpall tradhtar në Beograd, u sulmua nga strukturat nacionaliste si shtetërore ashtu edhe ato para-shtetërore atje dhe, megjithatë, nuk u ndal kurrë. Ai kërkoi që Serbia të pranonte përgjegjësinë për krimet e kryera në Kosovë, që të ndalej propaganda që i ndante komunitetet dhe që të hapeshin rrugët e pajtimit. “Serbia duhet të kërkojë falje për frigoriferët me kufoma shqiptarësh, për dhunimin e grave” – shtonte ai.

Shkrimet e tij janë dëshmi e një njeriu që nuk u nënshtrua kurrë. Ai nuk e mohoi asnjëherë realitetin e dhimbshëm, por u përpoq ta ndryshonte atë. Ai e dinte që pajtimi nuk mund të ndodhë pa drejtësi dhe që drejtësia nuk është hakmarrje, por një akt përgjegjësie, qytetërimi dhe reflektimi.

Radomiri besonte se drejtësia e vërtetë nuk është hakmarrja, por përballja me të kaluarën, për të gjithë neve pa dallim. Ai nuk e shihte pajtimin si dorëzim, por si një rrugë drejt një shoqërie më të drejtë dhe më të bashkuar. 

Një Kosovar si Radomiri është një përmbledhje tekstesh që na sfidon të gjithëve dhe një hap më tutje. Ai na pyet: “Çfarë bëjmë ne me të vërtetën?”. A do të vazhdojmë të heshtim para padrejtësive, apo do ta ngremë zërin në shoqëri?

Sot, ndërsa promovojmë këtë libër, ne nuk po festojmë thjesht botimin e një vepre. Ne po reflektojmë mbi një rrugëtim, mbi guximin e individit që tejkalon kohën dhe kolektivin e tij, mbi peshën e së vërtetës dhe detyrimit tonë për të ndërtuar një Kosovë të drejtë dhe të lirë, demokratike, të zhvilluar, për të gjithë qytetarët e saj.

Le ta lexojmë këtë libër jo vetëm si dokument për të kaluarën, e le ta shohim si një udhërrëfyes jo vetëm për të ardhmen. Le ta mendojmë atë në të tashmen dhe për të tashmen, sot dhe këtu, të gjithë sepse secili prej nesh. Për një Kosovë ku e vërteta thuhet pa hezitim, ku drejtësia zbatohet pa vonesë dhe ku pajtimi synohet përnjëmend.

Guximi për ta thënë të vërtetën nuk është i shpeshtë. Por edhe guximi për ta dëgjuar seriozisht atë po ashtu është i tillë.

Le ta dëgjojmë Radomir Dimiqin. Le ta dëgjojmë të vërtetën. Dhe mbi të vërtetën, të punojmë e kontribuojmë për Kosovën tonë të përbashkët.

Shumica e njerëzve duke sfiduar, bëhen të guximshëm. Por përshtypja ime për Radomirin është që ky sfidon, për shkak se është i guximshëm.

Ju faleminderit Radomir. Hvala Radomir.

Ju faleminderit të gjithëve për pjesëmarrje dhe vëmendjen.

Last modified: 12 Mars, 2025

Comments are closed.