Prishtinë, 10 janar 2025
Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Të nderuara medie,
Ky është adresimi im i parë për vitin 2025. Po e fillojmë me një dedikim të veçantë për gratë dhe vajzat e Republikës së Kosovës, sepse viti 2025 do të jetë vit i gruas në Republikën e Kosovës.
Në mandatin tonë të parë, kemi marrë hapa e vendime të shumta që ndikojnë për të mirë në jetën dhe punën e vajzave dhe grave. Mbi 12 mijë gra janë punësuar me mbështetje direkte të qeverisë. 51% e të rinjve përfitues të platformës së punësimit SuperPuna, janë vajza. 55% e përfituesve të masës së punësimit “Qeveria për familjet” janë gra. I kemi mbështetur mbi 60 mijë nëna lehona me shtesa për to dhe për fëmijë të sapolindur. Rreth 100 mijë gra kanë hapur për herë të parë llogaritë e tyre bankare. Me qeverisjen tonë, përfaqësimi i grave në ndërmarrje publike dhe administratë publike është rritur shumë. Ndërkaq, përmes masave e politikave tona mbështetja për to është rritur theksueshëm edhe në ndërmarrësi, bujqësi, arsim, shëndetësi dhe qasje në pronë.
E megjithëkëto, duam të bëjmë edhe më shumë, sepse duhet edhe më shumë.
Ky zotim i yni sot, është zotim për angazhim që vazhdon e shtohet për fuqizimin ekonomik e shoqëror të grave, përmes mundësive të reja që rrisin pjesëmarrjen e tyre aktive në tregun e punës.
Këtë vit, pra në vitin 2025, do punojmë edhe më shumë për të rritur qasjen e grave në pronë dhe trashëgimi, duke i ndërgjegjësuar për të drejtat e tyre pronësore e trashëgimore.
Angazhimi ynë për barazi gjinore do të përfshijë politika që zvogëlojnë hendekun gjinor në institucionet publike dhe sektorët profesionalë.
Do të përkushtohemi edhe më shumë në arsimimin e vajzave dhe grave. Sikurse edhe në shëndetin e tyre, veçanërisht në fushën e shëndetit riprodhues dhe mendor, duke garantuar qasje në shërbime cilësore, të përballueshme dhe të barabarta.
Prioritet i rëndësishëm mbetet mbrojtja e grave dhe vajzave nga çdo formë dhune, me theks të veçantë në dhunën në familje dhe dhunën seksuale. Ne tashmë e kemi miratuar strategjinë shtetërore për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhuna me bazë gjinore, si dhe krijuar mekanizma për ndihmë juridike falas, për strehim dhe për rehabilitim të viktimave. Është përgjegjësi e gjithsecilit që gratë dhe vajzat të jetojnë në një mjedis të sigurtë, pa frikë dhe pa asnjë formë kërcënimi.
Koncepti i emancipimit dhe i fuqizimit të grave, në atë të cilën ne besojmë dhe për të cilën ne punojmë përditë, nuk është i ndërlidhur me ndërtimin e imazheve artificiale për promovimin e grave si raste të ndonjë shkëndije të rrallë suksesi. Përkundrazi, është premtimi dhe dedikimi ynë që t’i njohim e t’i kundërshtojmë pabarazitë, diskriminimet dhe pengesat të cilat të gjitha gratë i përjetojnë në përditshmëri në shoqërinë tonë, që jo rrallë herë i kanë parandaluar ato t’i jetësojnë e përjetojnë sukseset meritore.
Andaj viti 2025, do të jetë vit i inkurajimit të të gjitha grave dhe vajzave për të qenë lidere në çdo fushë – në politikë, arsim, edukim, shkencë, art, kulturë e sport. Për këtë do të vëmë në dispozicion të gjitha mekanizmat shtetëror për të rregulluar ekuilibrin e mirëqenies së grave në sferën private e publike, me më shumë kopshte publike për fëmijë, shërbime cilësore të arsimit publik, shërbime cilësore të shëndetësisë publike dhe mundësi të reja të punësimit. Kësisoj bashkë do ta rrisim pjesëmarrjen e gruas në shoqëri, jo vetëm përfshirjen e saj. Pjesëmarrja si raport i marrëdhënies, ku gratë japin dhe përfitojnë. Japin kontribut në zhvillimin dhe progresin tonë shoqëror, dhe përfitojnë nga po ai zhvillim dhe progres.
Ju falemnderit.
Last modified: 10 Janar, 2025