Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti vizitoi organizatën më të vjetër rome “Durmish Aslano”

5 Prill, 2022

Prizren, 5 prill 2022

“Ishte nder dhe kënaqësi e veçantë, që ta vizitojmë komunitetin rom, duke i parë punët e mëdha dhe kontributin e jashtëzakonshëm, që e kanë dhënë jo vetëm për Prizrenin, por për mbarë vendin tonë me aktivitete të ndryshme kulturore, duke treguar, që gjuha rome është një gjuhë e gjallë, e cila është edhe gjuhë e artit dhe e poezisë, është edhe gjuhë e teatrit”, tha Kryeministri Kurti gjatë vizitës në Prizren.

Në kuadër të javës së aktiviteteve për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Zëvendëskryeministren për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut në Republikën e Kosovës, znj. Emilija Redžepi, vizitoi organizatën më të vjetër rome “Durmish Aslano”, ku u prit nga Drejtori ekzekutiv, Fatmir Menekshe.

Kryeministri theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e gatshme edhe e interesuar, që t’i ndihmojë dhe përkrahë komunitetet. Ai veçoi ndarjen e mbi 500 bursave për nxënësit e komunitetit rom, egjiptian, ashkali dhe marrëveshjen ndërmjet Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, për 50 mësuese të gjuhës së komuniteteve.

Në këtë rast po tregojmë, që jemi të përkushtuar jo vetëm në ditë feste, por edhe për çdo ditë pune, për rezultatet, të cilat mund të jenë veçse të përbashkëta, tha kryeministri Kurti. Nuk ka suksese individuale, ka vetëm suksese të përbashkëta. Do të bëhet mirë për secilin, sepse do ta bëjmë mirë për të gjithë, shtoi ai.

Në ambientet e organizatës joqeveritare “Durmish Aslano” e themeluar në vitin 1969, kryeministri u njoftua me punën dhe aktivitetet kulturore e artistike të komunitetit nga Ertan Galushi, organizatori gjeneral i Teatrit rom “Nexhip Menekshe”, Vera Paçaku, redaktore e radios rome “Romano Avazo” (Zëri i Romëve), Gynesh Veshall, kryetare e klubit të të rinjve, Dashni Veshall, Shef i orkestrës dhe grupit muzikor, Ramadan Veseli, koreograf i ansamblit rom. Ndërsa, mësuesja e gjuhës rome, Urma Menekshe, prezantoi mësimin fakultativ në gjuhën rome, si dhe minibibliotekën rome. “Pasurimi i literaturës në gjuhën rome” është projekt i mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me synim të angazhimit profesional në hulumtimin e letërsisë rome, përpunimin, ribotimin dhe botimin e materialeve të reja letrare. Kjo minibiliotekë  ka më shume se 180 libra të autorëve vendor dhe ndërkombëtar ndërsa është e hapur për të gjithë qytetarët.

Kryeministri vlerësoi aktivizmin e organizatës dhe aktivistëve nëpër vite, në kushte të vështira e pa u ndalur asnjëherë. Kur po dëgjoj se sa shumë të përkushtuar jeni, me siguri kjo na bën të gjithë neve optimistë për të ardhmen e përbashkët, tha ai.

Në këtë vizitë kryeministri shoqërohej edhe nga Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Sejnur Veshall, Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit, Habit Hajredini dhe këshilltarja e kryeministrit për çështje të komuniteteve, Elizabeth Gowing.

Last modified: 13 Maj, 2022

Comments are closed.

×