Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti në Konferencën për Ditën Ndërkombëtare të Autizmit: Trajtimi i njerëzve me autizëm, tregues themelor i cilësisë dhe shkallës së demokracisë

2 Prill, 2022

Prishtinë, 2 prill 2022

Zyra për Qeverisjes të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, në bashkëpunim me organizatën “Autizmi”, organizoi sot një konferencë të përbashkët me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Autizmit, në të cilën mori pjesë edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi.

“Njerëzit tanë, për të cilët po flasim këtu, përbëjnë një grup, trajtimi i të cilit është tregues themelor i cilësisë dhe shkallës së demokracisë”, u shpreh kryeministri Kurti.

Duke shtuar se fëmijët autistë nuk kanë deficit në dëshirën e tyre për marrëdhënie shoqërore, por kanë nevojë për shoqërim më të matur, më të hollë, më të rregullt, ai tha se “nëse shoqëria nuk zotëron mjetet për ta përmbushur këtë pritje, atëherë pa dyshim që deficiti qëndron te shoqëria dhe institucionet e saj”.

Kryeministri Kurti tha se duhet të kemi vëmendje të shtuar te shkollat e klasat tona, na duhet gjithëpërfshirje me pjesëmarrje aktive të nxënësve e të mësimdhënësve, të prindërve e të punonjësve. Për këtë qëllim ai përmendi se gjatë këtij viti janë shtuar 100 asistentë për mbështetje profesionale të fëmijëve dhe se do të shtohen edhe nga 100 tjerë çdo vit, deri në fund të mandatit. Ndërkaq Qeveria është zotuar për përkrahje të organizatave të specializuar për identifikimin dhe përkrahjen e nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, me dhunti dhe talente, për çka janë alokuar 200,000 euro. Me këtë rast, kryeministri tha se është shumë e rëndësishme përfshirja dhe përkrahja e këtyre fëmijëve, e veçanërisht nëse ata janë autikë.

Në fund të fjalës së tij, kryeministri Kurti tha se si Qeveri jemi të përkushtuar për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, për të gjithë qytetarët e Republikës, pa dallim gjinie e moshe, pa dallim përkatësie e aftësie.

Ministrja Nagavci tha se Dita Ndërkombëtare e Autizmit “synon të ofrojë mundësi për të rritur më tej ndërgjegjësimin për fëmijët me autizëm dhe çështjet që lidhen me edukimin dhe arsimimin e tyre, si shtylla kryesore për pjesëmarrjen e tyre në shoqëri dhe të modelojnë të ardhmen e zhvillimit për të gjithë”. Kurse, ministri Latifi, duke shprehur zotimin për mbështetjen për këtë kategori të shoqërisë, tha se, “sot në Ditën Botërore të Autizmit, rikonfirmojmë zotimin tonë, që kjo kategori ka të drejtë të gëzojë standardet më të larta të mundshme shëndetësore dhe edukative pa diskriminim, duke iu siguruar e garantuar shërbime, përfshirë identifikimin e hershëm”.

Qëllimi i konferencës së sotme ishte që të diskutohen nevojat, prioritetet dhe të drejtat e personave me autizëm, mbledhja e të dhënave, zhvillimi i statistikave, vendosja e prioriteteve në planin e punës, si dhe forcimin e koordinimit dhe bashkëpunimit të institucioneve me shoqërinë civile. Në këtë konferencë të pranishëm ishin, Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Habit Hajredini, aktivistja për të drejtat e personave me autizëm, Shpresa Xhakli, Drejtori i shoqatës “Autizmi”, Cenë Krasniqi, Drejtorja e organizatës ANAK, Jeta Deva, Drejtorja e organizatës “Autizmi Flet”, Violeta Hyseni, Kryetari i Forumit të Aftësisë së Kufizuar, Bujar Kadriu si dhe prindër, punonjës profesionalë e shëndetësorë.

Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti:

I nderuari Drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë, z. Habit Hajredini,
E nderuara ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci,
I nderuari ministër i Shëndetësisë, z. Rifat Latifi,
E nderuara znj.Shpresa Xhakli, aktiviste për të drejtat e personave me autizëm,
I nderuari Drejtor i shoqatës “Autizmi”, z. Cenë Krasniqi,
E nderuara Drejtore e organizatës ANAK, znj. Jeta Deva,
E nderuara Drejtore e organizatës “Autizmi Flet”, znj. Violeta Hyseni,
I nderuari Kryetar i Forumit të Aftësisë së Kufizuar, z. Bujar Kadriu,
Të dashur prindër, punonjës profesionalë e shëndetësorë,
Të nderuar të pranishëm,

Mirë se po takohemi së bashku sot, në këtë konferencë që po organizohet me rastin e 2 Prillit, Ditës Ndërkombëtare të Autizmit. Është shumë e vlefshme që takimet të tilla të bëhen sa më të shpeshta, për ta rritur bashkëpunimin tonë me njëri-tjetrin.

Sepse nuk kemi të bëjmë në këtë rast vetëm me shëndetin, por edhe me të drejtën. Duhet të njohim së bashku, sa më shumë mekanizma e mundësi që ekzistojnë në përvojat më të zhvilluara. Ato t’i përshtatim në kapacitetet dhe gjendjen tonë shoqërore dhe ekonomike.

Kemi të bëjmë pra me çështje të drejte, e cila është e garantuar me Kushtetutë e me ligjet tona. Por jemi të ndërgjegjshëm se mbështetja në ligje dhe Kushtetutë duhet të zgjerojë kapacitetet tona të veprimit. Njerëzit tanë, për të cilët po flasim këtu, përbëjnë një grup, trajtimi i të cilit është treguesi themelor i cilësisë dhe i shkallës së demokracisë.

Vetëdija është e rëndësishme, por ajo nuk është abstrakte. Ajo është profesionale, mjekësore, psikologjike, sociologjike, pra na duhet pjesëmarrje e shtuar e profesioneve dhe e profesionistëve. Na duhet shoqëria civile, e cila do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me profesionistët, na duhet arsimi si integrimi më i rëndësishëm dhe parësor. Me ç’rast duhet të pajisemi me idenë e plotë mbi njeriun.

Duke qenë se njeriu është qenia në përkufizim i shoqërueshëm, kjo do të thotë dy gjëra: ai është i pajisur domosdoshmërisht me ndjenjën e marrëdhënies me të tjerët, raportin me të tjerët; por, kjo do të thotë edhe se ai është i ndryshëm në aftësinë për qasje në shoqëri. Andaj edhe duhet flasim për cilësinë e demokracisë. Rasti i fëmijëve autistë nuk dëshmon për deficit në dëshirën e tyre për marrëdhënie shoqërore, por vetëm për nevojën e tyre për shoqërim më të matur, më të hollë, e më të rregullt.

Nëse shoqëria nuk zotëron mjetet për të përmbushur këtë pritje, atëherë pa dyshim që deficiti qëndron te shoqëria dhe institucionet e saj. Në një mungesë të tillë, do të shohim se në vend të pranisë së shëndetshme të shoqërisë, izolimi i personave me aftësi të kufizuar, e paaftëson shoqërinë në tërësi në empati.

Një shoqëri e ndjeshme ndaj këtyre personave, është një shoqëri më e vërtetë në vetvete. Sepse sapo të dështojmë në kuptimin e vështirësisë dhe hallit të tyre, do të kemi rënie në terrenin, i cili është jo vetëm i izolimit, por edhe i ngacmimit, i paragjykimit dhe i stigmatizimit.

Nga trajtimi që i bëjmë ne njëri-tjetrit është vetë shëndeti i shoqërisë në përgjithësi. Ushtrimi në të drejtat e njeriut është mënyra për ta bërë shoqërinë më të mirë. Personat me autizëm janë një shprehje më e drejtpërdrejtë e ngutisë sonë për të krijuar mekanizmat të veprimit.

Unë dje isha në shënimin e 10-vjetorit të shërbimeve të Asociacionit Nacional të Autizmit në Kosovë dhe mund të them që, secili e secila nga ne që ishim prezent aty, do të mbetet thellë në kujtesë interpretimi në piano i Elionit. Kujdesi në performancë me një audiencë veshhapur, ishte ky një interpretim i mahnitshëm e i jashtëzakonshëm i Elionit. Talentet si ai e kemi për detyrë e përgjegjësi të identifikohen e të maksimalizohet potenciali i tyre.

Duhet të kemi vëmendje të shtuar në shkollat e në klasat tona. Na duhet gjithëpërfshirje me pjesëmarrje aktive, të nxënësve e të mësimdhënësve, të prindërve e të punonjësve. Trajtim e kujdes shtesë për fëmijët me autizëm do të thotë përkushtim, sepse asistenca do të thotë integrim. Për prindërit është sfidë përfshirja e nxënësve me autizëm në sistemin shkollor, megjithëse këtë e parasheh ligji. Kjo sepse është i nevojshëm asistimi i rregullt në orarin mësimor, prandaj gjatë gjithë këtij viti janë shtuar 100 asistentë për mbështetjen profesionale të fëmijëve. Do të shtohen edhe 100 asistentë të tjerë çdo vit, deri në fund të mandatit.

Në Kosovë, përballemi me përfshirje shumë të ulët në edukim të hershëm për shkak të numrit të pamjaftueshëm të institucioneve dhe pamundësisë financiare. Vetëm 7% e fëmijëve të moshës prej 0 deri në 5 vjeç janë të përfshirë në edukimin parashkollor. Andaj në qeverisjen tonë, prioritet mbetet rritja e qasjes dhe përfshirjes në edukim cilësor për çdo fëmijë, pa dallim, si një e drejtë e garantuar, jo si diçka që duhet ta meritojë dikush, por ju takon me vetë faktin se janë.

E nuk duhet të mjaftohemi vetëm këtu, por na duhen edhe shërbime më të mira shëndetësore, terapeutike, psikologjike e shoqërore, për fëmijët tanë, por edhe për shoqërinë në përgjithësi.

Na duhet ndërveprimi social i shtuar me njëri-tjetrin, me grupe mbështetëse lokale e projekte të drejtuara me njerëz profesionistë, e për njerëzit autikë. Aktivitete në art, kulturë, sport, e komunikim komunitar. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe organizatat partnere së shpejti do të organizojnë “Javën e Diversitetit”. Në këtë organizim fëmijët me autizëm do të shprehin talentin e tyre përmes vizatimit.

Qeveria është zotuar për përkrahje të organizatave të specializuara për identifikimin dhe përkrahjen e nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, me dhunti e talente. Për këtë gjë janë alokuar 200,000 euro. Është shumë e rëndësishme përfshirja dhe përkrahja e këtyre fëmijëve, veçanërisht nëse ata janë autikë.

Aktualisht numri total i fëmijëve me aftësi të kufizuara të përhershme që përfitojnë shumën mujore prej 100 euro për fëmijë, siç e parasheh ligji përkatës, është 2682. Është e vetmja skemë ku fëmijët e këtyre kategorive përfitojnë këtë shumë. Vetëm në muajin shkurt 2022 në këtë skemë janë përfitues 324 fëmijë me autizëm.

Gjatë vitit të kaluar e kemi themeluar Këshillin për Pesona me Aftësi të Kufizuar. Po ashtu, e kemi miratuar Planin e Veprimit për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar në Republikën e Kosovës (2021 – 2022), në kuadër të Strategjisë Nacionale për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (2013-2023). Kurse sivjet e kemi shpallur vitin 2022 si vit të tyre. Është duke u punuar edhe në Ligjin për Vlerësimin, Njohjen e Statusit, Përfitimet dhe Shërbimet për Personat me Aftësi të Kufizuara, i cili pritet të dorëzohet së shpejti në Qeveri.

Të nderuar pjesëmarrës,

Jemi të vetëdijshëm për brengat dhe shqetësimet tuaja nëpër të cilat keni kaluar dhe po kaloni për çdo ditë, e ato janë edhe sfidat tona. Shumëçka është bërë, por edhe më shumë duhet të bëhet. Bashkëpunimi ndërsektorial është një parakusht i domosdoshëm që të sigurojmë zhvillim cilësor.

Muaj prill është muaj i vetëdijesimit për autizmin, por le të mos të jetë ky muaji i vetëm. Ajo që synohet janë të drejta dhe barazi për të gjithë personat me autizëm në Kosovë. Pra më shumë qasje në shërbime, për çdo person me autizëm.

Si Qeveri vazhdojmë të jemi të përkushtuar për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, për të gjithë qytetarët e Republikës, pa dallim gjinie e moshe, e pa dallim përkatësie e aftësie.

Ne, bashkërisht, duhet të punojmë drejt rritjes së mirëqenies për përmirësimin e cilësisë së jetës, e ta rrisim dinjitetin për më shumë mundësi të barabarta për çdo njërin.

Faleminderit shumë për gjithë punën, angazhimin, kontributin deri më tash dhe ne zotohemi se do t’ju ndihmojmë e do t’ju përkrahim edhe në vijim si asnjëherë më parë, si askush tjetër.

Faleminderit!

 

Last modified: 13 Maj, 2022

Comments are closed.

×